PSD-ja prezanton Mark Përlleshin në qarkun e Lezhës
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, prezantoi në Rrilë të Lezhës kandidatin e kësaj force, Mark Përlleshi. Gjinushi deklaroi se një nga prioritetet e programit të PSD-së është punësimi. “Hapja e vendeve të reja të punës do të bëhet nëpërmjet përdorimit më efektiv të investimeve publike e të huaja, nxitjes së investimeve direkte në sektorët fasonë, në ndërmarrjet e mesme e të vogla, në industrinë përpunuese e të materialeve të ndërtimit, shtrirjes së shërbimeve, zhvillimit të agro-industrisë; shoqëruar me shumëfishimin e rrjetit të formimit profesional të të rinjve e të të papunëve”, - tha Gjinushi. Kreu socialdemokrat theksoi se punësimi ka vetëm dy sekrete. Sipas tij, së pari duhet të nxitet zhvillimi ekonomik dhe së dyti është angazhimi që duhet të ketë shteti për nxitjen dhe mbështetjen e formimit profesional.
Milo prezanton Anita Kurtin dhe Dritan Pjeçin në Burrel
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, prezantoi në Burrel kandidatët për deputetë; Anita Kurti, e cila është dhe sekretarja e Përgjithshme e degës së Burrelit dhe kryetarin e degës, Dritan Pjeçi. Kreu u PDS-së premtoi se fshati do të jetë në prioritetet e qeverisë së majtë. Milo deklaroi se shqiptarët nuk duhet të përkulen përballë presioneve që u bëhen atyre nga kryeministri Berisha. “Ne duhet të jemi bashkë dhe nuk duhet të përkulemi përpara presioneve të Berishës, i cili përpiqet që ta mbysë demokracinë shqiptare”,- tha kreu i PDS-së. Sipas Milos, jo vetëm shqiptarët, por edhe ndërkombëtarët e dinë mirë se çfarë përfaqëson Sali Berisha. Kryetari i PDS-së u shpreh se me Berishën kryeministër nuk mund të shkohet në Europë. Milo tha se qeveria aktuale është mbartëse e konservatorizmit politik, të së keqes së shqiptarëve.
G99-a, dëgjesë me përfaqësues të shoqatave për të drejtat e njerëzve me aftësi të kufizuara
Gjatë një dëgjese me përfaqësues të shoqatave për mbrojtjen dhe avokatinë e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, kreu i G99-s, Erion Veliaj, theksoi se në Shqipëri të gjithë jetojnë të diskriminuar dhe aq më tepër personat me aftësi të kufizuara, të cilëve u mungon aksesi edhe aty ku institucionet e shtetit do të duhet t’i përfaqësonin dhe ndihmonin. “Është ironike dhe e dhimbshme që dhe zyrat e ministrive që janë caktuar të merren me problemet e kësaj kategorie nuk arrihen dot nga personat me aftësi të kufizuara. Shqiptarët nuk duan lëmoshë apo mëshirë ata duan thjesht mundësi, mundësi dhe akses për të pasur të njëjtat shanse për të qenë të suksesshëm, ata nuk duan më të diskriminohen në bazë të mbiemrit, të ngjyrës së lëkurës, të aftësisë për të lëvizur”, - tha Veliaj. Në fjalën e saj, kandidatja e G99-s për Tiranën, Bardhylka Kospiri, një avokate e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, tha se kjo kategori ka nevojë për mbështetje konkrete nga ana e shtetit.
29 Maj 2009