BSH dhe INSTAT vendosin bashkëpunim për statistikat
Një memorandum bashkëpunimi është nënshkruar dje ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Institutit të Statistikave, në lidhje me përdorimin e ndërsjellë të burimeve të informacionit për hartimin e statistikave të sakta ekonomike. Memorandumi është nënshkruar midis Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dhe Drejtores së Përgjithshme të Institutit të Statistikave, Ines Nurja. Nëpërmjet zbatimit të këtij memorandumi, BSH-ja do të rrisë numrin e produkteve statistikore që merren nga INSTAT-i, në kuadrin e vlerësimeve të fazës së re të zhvillimit ekonomik në të cilën po hyn vendi. Memorandumi do t’i mundësojë INSTAT-it pasurimin e mëtejshëm të spektrit të të dhënave statistikore me të dhëna nga sektori financiar dhe sektori i jashtëm, të cilat prodhohen nga Banka e Shqipërisë. Plotësimi me saktësi i kërkesave të paraqitura në këtë memorandum, përbën një bazë të mirë edhe për plotësimin e një sërë detyrimeve që kanë statistikat shqiptare, për të përmbushur standardet ndërkombëtare. Në memorandum përcaktohen detyra konkrete për plotësimin me saktësi të kërkesave të shtruara nga projekti i “Standardeve të Specializuara të Shpërndarjes së të Dhënave” të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që do të mundësojë nga ana statistikore përfshirjen e Shqipërisë në tregjet financiare ndërkombëtare. Plotësimi i këtyre standardeve si dhe i kërkesave të tjera të parashikuara në programet ekzistuese të zhvillimit të statistikave në institucionet statistikore shqiptare, sigurojnë një shtrat bashkëkohor të plotësimit të standardeve evropiane për statistikat tona.
13 Maj 2008