Produktet “BIO”, qeveria zvicerane ofron 2.1 milionë franga
Qeveria zvicerane po financon 2.1 milionë franga zvicerane, për të kontribuar në përmirësimin e situatës ekonomike të popullsisë që jeton në zonat rurale në Shqipëri, nëpërmjet shfrytëzimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore në vendin tonë. Ministria e Bujqësisë bëri të ditur se, fondi prej 2.1 milion franga zvicerane po menaxhohet nëpërmjet Institutit Kërkimor të Bujqësisë Organike, i ngarkuar për të zbatuar projektin "Për Mbështetjen e Bujqësisë së Qëndrueshme në Shqipëri" (SASA). Projekti, do të shtrihet në zona potenciale bujqësore të vendit, dhe synon rritjen e aksesit në tregje dhe shërbime të fermerëve shqiptarë për prodhimin e produkteve “BIO”, si fruta, perime, vaj ulliri dhe verë. Në qendër të punës do të jenë inspektimi dhe certifikimi për të siguruar produkte të etiketuara me cilësi të lartë, nëpërmjet strukturës Albinspekt. Bashkëpunimi me qeverinë zvicerane në fushën e bujqësisë, pritet të japë impakt dhe të kontribuojë në përmirësimin e konkurrueshmërisë së produkteve organike bujqësore në tregun shqiptar dhe atë të huaj. Zvicra është një nga vendet kryesore, ku fermerët shqiptarë eksportojnë produkte bujqësore “BIO”.
13 Maj 2008