E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e ushqimeve e detyron qeverinë të subvencionojë edhe drithërat



Ervin Koçi

Frika nga prekja gjerësisht nga kriza botërore e ushqimit bërë që qeveria shqiptare të nisë nga marrja e masave për parandalimin e saj. Kohët e fundit janë vënë në lëvizje të gjitha levat e shtetit për të ndihmuar dhe zhvilluar sektorin e bujqësisë vendase, si dhe për të subvencionuar fermerët vendas që të mbjellin edhe drithëra, pavarësisht kostos së tyre. Për këtë qëllim, Ministria e Bujqësisë ka parashikuar një plan masash emergjente, ndër të cilat edhe stimulimin me fonde të fermerëve që do të mbjellin drithëra, si dhe më pas blerjen e tyre me çmimet e tregut për ta depozituar në rezervat e shtetit, si një masë antikrizë. Qeveria ka rritur këtë vit edhe fondin buxhetor për mbështetjen e fermerëve, me qëllim rritjen e prodhimit bujqësor. Për këtë vit është përcaktuar që fondi për fermerët të jetë rreth 10 milionë dollarë dhe të subvencionohen sektorët më kyçë të bujqësisë. Sipas krerëve të MBUMK-së, gjatë këtij viti, gama e zbatimit të mbështetjes financiare do të jetë shumë më e gjerë se ajo e vitit të kaluar. Përveç mbështetjes për frutikulturën, ullirin dhe vreshtarinë, MBUMK-ja ka premtuar se do të fillojë mbështetja me pagesa direkte edhe për fermerët që do të kultivojnë drithëra, duke ua blerë produktin dhe depozituar në rezervat e shtetit. Mbështetje direkte me para do të ketë edhe për blegtorinë, si dhe për certifikimin për produktet BIO, pajisjet ftohëse, bashkëfinancim për investime për shoqatat dhe kooperativat e reja.

Fondi

Programi për Zhvillim Ndërkombëtar i Qeverisë Amerikane, USAID, që asiston prej kohësh në fusha të ndryshme të ekonomisë shqiptare, ka prezantuar kohët e fundit një projekt prej 10 milionë dollarësh në fushën e bujqësisë. Projekti, i cili koordinohet mes asistencës teknike dhe investimeve, ka si qëllim bashkimin e fermerëve të vegjël përmes rritjes së besimit të ndërsjellë mes tyre. Projekti i USAID-it pritet të fillojë të aplikohet që këtë vit, dhe të vazhdojë asistencën tekniko-financiare për një periudhë 5 vjeçare. Skema ka hyrë në fazën intensive të zbatimit dhe deri në fund të muajit qershor do të përfundojë faza e parë e saj. Për herë të parë këtë vit do të investohet për prodhimin e vajit të ulliri “Extra-vergine” me 100 lekë/litër, në mbrojtjen e ullishtave nga miza e ullirit me 17.000 lekë/ha, në certifikimin e produkteve bujqësore BIO nga bimët e kultivuara deri në 70.000 lekë/fermë, në ujitjen me pika në pemëtoret intensive në sipërfaqe jo më pak se dy dynym me 300.000 lekë/ha. Subvencionimi do të shtrihet dhe në prodhimin e fidanëve për llojet autoktone të rrushit “Kallmet”, “Debinë“ dhe “Vlosh” për sipërfaqe jo me pak se 3 dynym me 1.2 milion lekë/ha, në ngritje vreshti të ri, për sipërfaqe jo më pak se 5 dynym me 500.000 lekë/ha, në ngritje pemëtoresh të reja, për sipërfaqe jo më pak se 4 dynymë, me 300.000 lekë/ha, për ngritje ullishtash të reja, sipërfaqe jo më pak se 4 dynymë, me 300.000 lekë/ha, në serat me ngrohje teknike për ndryshimin e sistemit të përdorimit të lëndës djegëse nga naftë në solar, me 1.5 milionë lekë/ha. Për fermat blegtorale që mbarështojnë jo më pak se 10 krerë lopë qumështi të matrikulluara dhe që dorëzojnë prodhimin në qendrat e përpunimit të regjistruara në organet tatimore, masa e mbështetjes do të jetë 10.000 lekë/krerë/lopë në vit, për racat e pastra, mbarështimin e dhenve në kullota, për vendqëndrime dhe lëvizje nga kullotat verore në ato dimërore dhe anasjelltas, për tufat mbi 50 krerë të matrikulluara. Masa e përfitimit për tufat nga 50-150 krerë do të jetë 50.000 lekë/vit për fermë dhe për tufat mbi 150 krerë, 100.000 lekë/vit për fermë.

Kreditë

Risi për projektin është dhe subvencionimi i normës së interesit për kreditë që përdoren për veprimtaritë bujqësore, ku pritet të përfitojnë kompanitë që grumbullojnë, ruajnë dhe përpunojnë produkte bujqësore dhe blegtorale, shoqëritë e prodhimit dhe tregtimit në bujqësi, të regjistruara sipas ligjit aktual. Sipas tij, do të financohen normat e kredive jo më të vogla se 10 milion lekë dhe interesi që subvencionohet për një kredi nuk mund të jetë më shumë se 2 milion lekë. Edhe fermerët që kanë përfituar mbështetje nga ky projekt vitin e kaluar mund të riaplikojnë, por duke konkurruar me një rritje të pragut të sipërfaqeve të mbjella me vreshta, nga 3-10 dynym. Ndërkohë skema këtë vit i jep mbështetje dhe fermerëve që duan të punojnë në toka me qira.

13 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›