Nafta rritet sërish, troket kriza globale
Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare përditë po thyen nga një rekord të ri. Vlera e një fuçie nafte ka shënuar dje në bursat ndërkombëtare 125 dollarë/fuçia, në një kohë që vlera e valutës amerikane është përmirësuar këto ditë. Disa vende të OPEC-ut të tilla si Irani "kërcënojnë" se, çmimi i naftës do të arrijë në 200 dollarë/fuçia. Në këtë situatë analistët konfirmojnë se, po troket një krizë nafte në mbarë globin. Por agjencitë e lajmeve ekonomike theksojnë se, më shumë se një rritje nga kërkesë-oferta, çmimi po ndikohet në mënyrë spekulative në bursa nga disa kompani të mëdha nafte amerikane dhe britanike. Nga kjo situatë në tregjet ndërkombëtare është ndikuar edhe tregu vendas. Javën që shkoi çmimi i një litri naftë u rrit edhe me 4 lekë të tjera. Nga 149 lekë/litri që ishte çmimi deri tani, dje u bë 155 lekë/litri. Kurba e rritjes së çmimit të karburanteve gjatë këtij viti, ka pësuar ndryshime të herëpashershme. Gjatë 4 viteve të fundit çmimet e karburanteve janë rritur mbi 65 për qind. Në fillim të 2008-s, që në ditët e para, çmimi i karburantit në tregun shqiptarë nuk pësoi ndryshim, dhe një litër naftë eurodiezel u shit me 140-145 lekë/litri, ndërsa diezeli me 130-135 lekë/litri. Në muajin shkurt, në tregjet tona, eurodiezeli u shit me 140 lekë/litri, benzina me 142 lekë/litri dhe diezeli me 135 lekë/litri. Ndërsa në muajt në vijim, çmimet kanë ardhur drejt rritjes. Kurba e lëvizjes së çmimit të shitjes së naftës në tregjet botërore gjatë vitit 2007 pësoi një rritje të madhe, nga 50 USD për fuçi arriti në 96 USD për fuçi në fund të tij, çka u reflektua edhe në tregjet e vendit. Por që në fillim të vitit 2008, në datën 3 janar, çmimi i naftës në tregun amerikan dhe të Azisë arriti në 98 dollarë për fuçi, duke ruajtur tendencën e rritjes. Edhe dje, një fuçi nafte në Bursën e Nju Jorkut, u shit me 125 USD.
13 Maj 2008