E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita: “Të pyetet biznesi për ndryshimet në ligjin e falimentimit”



Deputetët e opozitës dhe përfaqësuesit e biznesit kërkuan dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë që ndryshimet në ligjin për falimentimin të mos kalojnë pa marrë parasysh vërejtjet e grupeve të interesit. Deputetët e opozitës kërkuan konsultime me Këshillin Konsultativ të Biznesit para se ndryshimet ligjore t’i paraqiten Kuvendit. Ndryshimet në ligjin për falimentimin parashikojnë shkurtimin e afatit të falimentit për bizneset nga 3 në 2 vjet në rast se për këtë periudhë kohore biznesi rezulton me borxhe ndaj shtetit dhe ndaj të tretëve. Një ligj për falimentimin e biznesit ka vite që është miratuar, por nuk ka funksionuar kurrë, pasi 80 për qind e biznesit vendas e nuk deklaron saktë xhiron dhe fitimet për aktivitetin e kryer dhe shumica e tyre, megjithëse ka aftësi paguese, nuk derdhin rregullisht detyrimet në shtet. Sipas përfaqësuesve të qeverisë, projektligji "Për falimentimin" është përgatitur sipas standardeve të BE-së. Përgatitja e këtij projektligji është ndërmarrë pasi në treg shumë kompani, duke marrë borxhe te njeri-tjetri, rrezikojnë të fshehin situatën e tyre, si dhe të mund të përballen me procesin e falimentimit zinxhir. Në rastet e kompanive me bilance negative, në një afat kohor prej më shumë se një vit, me rregullimet që do t'i bëhen këtij ligji, pritet që të bëhet efektiv falimentimi, pasi ato nuk do të mund të pranohen nga bankat për marrje kredie apo borxhe te njeri-tjetri. Në tregun vendas ka kompani të cilat punojnë duke marrë borxhe te njëra-tjetra, pasi vetë paraqesin bilance me humbje. Por, nga ana tjetër, bilancet negative fshehin edhe vetë të ardhurat e kompanive, me qëllim fshehjen ndaj sistemit të taksave, çka rëndon në të ardhurat buxhetore. Përballë kësaj situate, deri tani nuk është bërë asnjë proces gjyqësor dhe nuk është marrë asnjë vendim ndaj kompanive që rezultojnë me bilance negative, për të shpallur falimentimin e tyre.

13 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›