BSH, interesat nuk ndalin inflacionin
Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar interesat për lekun, inflacioni nga oferta
Inflacioni vjen nga oferta, rritja e interesave është e pafuqishme për ta ndalur
Rritja e vazhduar e çmimeve të mallrave ushqimorë, të çmimeve të lëndëve të para dhe të çmimeve të naftës ka karakterizuar 3-mujorin e parë të vitit 2008. Konfirmimi për rritjen e çmimeve vjen nga Banka e Shqipërisë e cila bën të ditur se, "rritja e këtyre çmimeve sjell jo vetëm presione të drejtpërdrejta mbi nivelin e çmimeve të konsumit, por edhe presione më afatgjata mbi nivelin e çmimeve të prodhimit, si edhe rrezikon përkeqësimin e termave të tregtisë së jashtme, për shkak të rritjes së lartë të çmimeve të importeve". Inflacioni vjetor gjatë tremujorit të parë të këtij viti ishte 3.7% ndërkohë që norma vjetore e inflacionit në muajin mars shënoi 4.6%, duke tejkaluar me rreth 0.6 pikë përqindjeje kufirin e sipërm të intervalit 3+/-1 % të synuar nga Banka e Shqipërisë. Kontributin kryesor në këtë normë e ka dhënë inflacioni vjetor i ushqimeve të përpunuara (rreth 3 pikë përqindjeje) si edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike në muajin mars, e cila ka ndikuar me rreth 0.7 pikë përqindjeje në normën e përgjithshme të inflacionit.
***
Varfëria që vjen nga çmimet e larta, prej muajsh tashmë në rritje, është pranuar edhe nga ana e Bankës Botërore. Si në të gjitha vendet në zhvillim, edhe në Shqipëri, janë një pjesë e madhe e popullsisë që sipas BB rrezikojnë ushqimin. Në raportin e saj për situatën BB bën me dije se vetëm shtresat me të ardhura fikse minimale, siç janë pensionistët, por edhe familjet e reja, janë grupet më të goditura nga inflacioni në rritje. Rritja reale e ekonomisë gjatë vitit 2007 sipas BSH-së ka qenë rreth 6%. Sektori i industrisë, i tregtisë, i transportit dhe i shërbimeve të tjera janë rritur me ritme të larta gjatë këtij viti, ndërkohë që sektori i ndërtimit dhe ai i komunikacionit kanë regjistruar norma të ulëta rritjeje të shitjeve. Sipas raportit, në kushtet e forcimit të presioneve inflacioniste si nga ana e ofertës, ashtu edhe nga ajo e kërkesës së brendshme, Banka e Shqipërisë ka rritur 3 herë normën bazë të interesit gjatë vitit 2007, duke e çuar atë nga 5.5% në 6.25%. Efektet e shtrëngimeve të kaluara të politikës monetare duket se po materializohen gradualisht në ngadalësimin e ritmit të rritjes së ofertës monetare dhe në frenimin e rritjes me ritme të larta të çmimeve të ndërtimit. Megjithatë, nga ana e Bankës së Shqipërisë vlerësohet se shtrëngimet e njëpasnjëshme të politikës monetare gjatë vitit të kaluar, nuk kanë dhënë ende ndikimin e tyre të plotë në ekonomi.