E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazetaret e zhveshura

 

"Spiuni" u mërzit shumë dje që Shqipëria ishte sërish në listën e zezë të vendeve ku media nuk është e lirë. Kishte besuar se afër fundit të mandatit, qeverisja e Sali Berishës do ta rregullonte marrëdhënien me mediat sepse përpara janë zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe do ta mbante premtimin e bërë tre vite më parë, se: "Qeveria deklaron angazhimin dhe përkushtimin e saj maksimal, duke e parë lirinë e informimit dhe transparencën si mjetin kryesor të qeverisjes së mirë dhe luftës kundër korrupsionit... mediat në asnjë rast nuk do të trajtohen në mënyrë diskriminuese, qoftë për interesa politike apo për interesa të tjera".

"Shtypi në Shqipëri nuk është plotësisht i lirë dhe ndodhet nën presionin politik dhe ekonomik. Kështu thuhet në raportin e përvitshëm të organizatës "Freedom House", që bën një pasqyrim dhe grafik të lirisë së shtypit në të gjithë botën. Raporti e rendit Shqipërinë në vend të 105 pas Senegalit dhe para Kongos, në një liste me 195 shtete, ndërkohë që fqinjët tanë ballkanikë, Serbia, Mali i Zi e Maqedonia janë disa vende me sipër. Raporti thotë se qeveria "Berisha" ka ushtruar gjatë vitit të shkuar një presion selektiv ndaj medias opozitare, duke akuzuar kanalet televizive në përgjithësi se marrin fonde nga grupet e krimit të organizuar".

"Spiuni" takoi mbrëmë një këshilltar të qeverisë dhe i tregoi raportin dhe faktin se Doktori po i mbyt mediat, por ai u kthye i rebeluar: "Po pse ia fusni kot mor gazetarë? Ju e meritoni t'ia bëjë shefi si atëherë. Mos u merrni me sondazhe që i bëjnë këto OJF-të kote. Ky është vendi më i lirë në botë për mediat. Ja p.sh., sot më ka ardhur një kërkesë nga një televizion rus që do të japë lajme me spikere që zhvishen gjatë dhënies së lajmeve dhe kërkon hollësira se si është legjislacioni ynë.

-Lajme lakuriqe, në mes të ditës?

-Po mo, topless-e do dalin se Doktori i dashuron mediat e lira.

-Ik, ore, se jeni çmendur, tha "Spiuni" dhe shkoi të gërmojë te arkiva e qeverisë. Por mbeti i shtangur, sepse po lexonte fjalën e Berishës në një mbledhje qeverie më 19 mars 2008 kur po fliste për mediat dhe Gërdecin: "Sërish nuk do të kenë asnjë lloj intimidimi. E theksoj se, edhe në rast se do të dalin lakuriq në ekranet e tyre, le ta bëjnë, ne do të respektojmë linjën e tyre".

Ta miratojë vërtetë qeveria?!

Trofta e fekaleve

Një qytetar nga Korça erdhi dje për të takuar "Spiunin" me një merak të madh. Kish udhëtuar që pa gdhirë dhe donte të njoftonte popullin për një gjëmë të paparë që kish ndodhur atyre anëve dhe që kish mbërritur në kryeqytet në formën e... troftës.

Nuk kish ndodhur ndonjë tërmet, as Gërdec tjetër. Vetëm se ishin devijuar pak kanalizimet e ujërave të zeza dhe ato prej disa javësh shkarkohen te vaskat ku rritet trofta. Prodhimi është shtuar shumë se helbete, peshqit e rezervuarëve kanë se çfarë të hanë papushim, por halli është se çfarë do të hajë populli. Ky peshk i paparë që ushqehet me mut, prej kohësh po shitet në karroca ambulantësh te Stacioni i Trenit, apo në vende të tjera të kryeqytetit, sepse në Korçë, ngaqë e dinë si është puna, nuk e fut kush në gojë.

-Po pse nuk shkon te ministria e Jemin Gjanës?- e pyeti "Spiuni" korçarin e mirë.

-Shkova, por më thanë se me peshkun, ujërat dhe çfarë rrit toka merret Lufter Xhuveli. Shkova edhe te ai, por një vajzë më përcolli, duke më thënë se ata të Jeminit më kanë gënjyer sepse është përgjegjësia e tyre dhe duket nga emri, ngase ajo quhet Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Ndaj po ju njoftoj juve që t'ia thoni popullit, se ata nuk e njohin këtë lloj peshku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›