E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, 160 biznese mbyllin aktivitetin

Më të zhgënjyerit duket se janë emigrantët që kanë dëgjuar për lehtësira fiskale të pavërteta

Rreth 160 subjekte janë çregjistruar gjatë katër mujorit të parë të këtij viti në Qendrën Rajonale të Regjistrimit, në Fier, kryesisht për shkak se nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë pagesën e taksave. Lajmi bëhet i ditur nga drejtori i QKR-së për Fierin, z.Agron Dyrmishi.

Por interesant dhe bindës për tatime të rënda, është fakti që zbulon Dyrmishi se ka subjekte të cilët kërkojnë ta mbyllin biznesin menjëherë pasi njihen me detyrimet e larta tatimore dhe i drejtohen dy herë kësaj zyre, në jo më shumë se tre ditë, një herë për regjistrim dhe herën tjetër për çregjistrim.

Jo më larg se dy ditë më parë, një person që kishte regjistruar biznesin, u rikthye për të kërkuar mbylljen duke shprehur një zhgënjim të madh për detyrimet tatimore, me të cilat u njoh menjëherë pasi bëri regjistrimin e biznesit, subjekte të tilla kanë kërkuar mbylljen e menjëhershme, ndërsa janë të detyruar që të paguajnë tatimet për tre muaj dhe nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, atëherë do të jetë më keq për ta, sepse nëse nuk paguajnë këto detyrime, QKR në qendër nuk e bën mbylljen dhe kështu këta persona do të jenë të mbërthyer nga ky ngërç tatimor.

"Ne i dërgojmë të dhënat pranë QKR, në qendër, por nëse këto subjekte nuk shlyejnë detyrimet për tre muaj, pavarësisht se e kanë mbyllur aktivitetin, do të konsiderohen se janë në aktivitet dhe mbi ta do të rëndojnë detyrimet për tre muajt e ardhshëm",- vijon Dyrmishi.

"Zhgënjim dhe revoltë kanë shprehur edhe emigrantë, të cilët i drejtohen zyrës sonë për të mësuar nëse atyre u ofrohen lehtësira për të çelur një biznes apo për të investuar djersën e viteve të tëra në emigrim në atdhe. Një rast tipik ishte ai i një emigranti, A.K., i cili pasi brodhi nëpër dyert e burokracisë shqiptare, erdhi duke hedhur mbi tavolinë formularët që kishte tërhequr disa ditë më parë, duke thënë shprehimisht: "Mos ia pafsha bojën këtij shteti, nuk kam për të investuar asnjë qindarkë këtu dhe nuk kthehem kurrë!".- Pas kësaj ne menjëherë i bëmë procedurat e mbylljes së aktivitetit",- thotë Dyrmishi.

Në këtë zyrë ofrohen shërbimet e regjistrimit dhe mbylljes së aktivitetit për qytetet e Vlorës, Beratit, Ballshit dhe vetë rrethin e Fierit. Nga Fieri janë rreth 60% e numrit të bizneseve që kanë mbyllur aktivitetin. Mes këtyre përfshihen edhe subjekte të biznesit të madh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›