E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreditë e mëdha, bankat vendosen në "karantinë"

 

BSH miraton rregulloren e re të kontrollit për kreditë në vlera të mëdha të marra nga klientë të caktuar  

Pas një rritjeje të ndjeshme të nivelit të kreditimit dhe njëkohësisht edhe të kredive të këqija në sistemim, Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore të re për administrimin e riskut që vjen kryesisht nga kreditë në vlera të mëdha të marra nga një individë apo nga grupe të vogla individësh. Rregullorja "Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave", hartuar në përputhje dhe në zbatim të dispozitave të ligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" merr në konsideratë Standardet e Komitetit të Bazelit për ekspozimin ndaj rrezikut të përqendrimit, Direktivën Evropiane, elementë të administrimit dhe vlerësimit të rrezikut sipas Akordit të Ri për Kapitalin, si dhe eksperiencat e vendeve të tjera lidhur me rregullimin e administrimit të rrezikut që rrjedh nga ekspozimet e mëdha të bankave. Rregullorja paraqet kriteret e autoritetit mbikëqyrës për llogaritjen, mbikëqyrjen dhe raportimin e ekspozimeve të mëdha të bankës ndaj një personi/klienti ose grup personash/klientësh të lidhur ose në një marrëdhënie të veçantë me bankën, me qëllim administrimin e rrezikut që rrjedh nga ekspozimi i përqendruar ndaj tyre. Në rregullore parashihen ndryshime në normat mbikëqyrëse për ekspozimet e mëdha në përputhje me përcaktimet e ligjit "Për bankat", vendosen disa kufizime për kredidhënien e bankës ndaj personave me një marrëdhënie të veçantë me të, bëhen përcaktime të kolateralit, që do të njihet si element zbritës në llogaritjen e këtij ekspozimi, si dhe përjashtohen apo përfshihen në shuma të reduktuara, disa marrëdhënie në aktiv dhe angazhime jashtë bilancit të bankës me persona/klientë ose grup personash/klientësh të lidhur, për qëllime të llogaritjes së ekspozimit të madh. Në rregullore përcaktohen gjithashtu kërkesa mbikëqyrëse e raportuese lidhur me monitorimin e vazhdueshëm të ekspozimeve të mëdha. Rregullorja e re vjen në një kohë që kemi një rritje të madhe të kredisë së keqe në sistem.

***

Kredia e keqe është trefishuar në harkun kohor të 1 viti e gjysëm. Rritja e shpejtë e kreditimit nga ana e sistemi bankar, është shoqëruar me shtim të shpejtë edhe të kredisë së keqe. Nëse i referohemi vlerave të dhëna nga ana e Bankës së Shqipërisë, nga rreth 36 milionë dollarë që ka qenë në fund të vitit 2005, kredia e keqe në qershor të vitit 2007 ka mbërritur në 90 milionë dollarë. Në vitin 2008 pritet që të merren një sërë masash nga ana e Bankës së Shqipërisë, për një kontroll më të mirë të procesit të kreditimit. Por specialistët vënë alarmin se duhet të tregohet më shumë kujdes në këtë drejtim nga ana e bankave pasi pjesa dërrmuese e kredive është dhënë në vitet 2005-2007. Në këto kushte pritet që përkeqësimi i portofolit të jetë në një kohë të mëvonshme, referuar edhe përvojës botërore në këtë drejtim. Por nëse i referohemi raportit të kredisë me probleme ndaj portofolit të kredisë së dhënë nga ana e sistemit bankar, niveli mbetet i ulët duke konfirmuar se sistemi bankar operon brenda normave të sigurisë. Nga ana tjetër, specialistët e bankave bëjnë të ditur se raporti kredi me probleme ndaj portofolit total të kredisë vërtet është tregues bazë, por në kushtet kur pjesa më e madhe e këtij portofoli është dhënë në 2 vitet e fundit, ky raport mund të ketë ndryshime në vitet e ardhshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›