Drejtori i ATK, shkarkohet me policë
Kryetarja e bordit, znj.Lindita Rusmajli e akuzon për tentativë falsifikimi dokumentesh dhe rezistencë me dhunë
Agjencia e Trajtimit të Kredive është një institucion shumë i qetë, ku zakonisht nuk ndodh asgjë. Gjatë pesë viteve të fundit, kjo zyrë shteti ka ndërruar adresë herë pas here përgjithësisht në ambiente të marra me qera. Dje në drekë, kjo gjendje qetësie duket se ndryshoi. Dëshmitarë nga zyrat qendrore të ATK-së bënë të ditur se një furgon policie ka shoqëruar Kryetaren e Këshillit Drejtues të ATK-së, znj.Lindita Rusmajli. Misioni i znj.Rusmajli qe të komunikonte emërimin e drejtorit të ri, z.Agron Kaja. Një mesazh i dërguar nga një sekretare për stafin e ATK, bënte të ditur: "Me urdhër të Kryetares së Këshillit Mbikëqyrës, znj.Lindita Rusmajli, të gjithë punonjësit të paraqiten nëpër zyra tani (ora 2:00). Ai që nuk do të jetë prezent, do të pushohet nga puna". Mesazhi u dërgua nga Erdisa Rexhepi, Sekretare e Këshillit Mbikëqyrës të ATK-së.
Pesë ditë më parë, Këshilli Mbikëqyrës i ATK kishte vendosur pushimin nga puna të drejtorit të mëparshëm z.Edmond Lici, me motivacionin e mosrealizimit të planit. Drejtor i komanduar qe emëruar z.Feti Zeneli, i cili e gëzoi postin vetëm për tre ditë pushimi zyrtar dhe pak orë pune.
"Unë kërkova praninë e policisë, për shkak se z.Lici po zbrazte institucionin dhe nuk po lironte zyrën",- tha znj.Rusmajli dje e pyetur nga "Shekulli".
"Gjatë këtyre pesë ditëve, nëndrejtori dhe punonjës më kanë informuar se drejtori i shkarkuar ka ndërhyrë te Protokolli dhe ka tentuar të falsifikojë dokumente. Kam kërkuar auditin e ministrisë, për të verifikuar gjendjen e dokumentacionit",- sqaroi ajo. Drejtori i shkarkuar, z.Lici nuk qe e mundur të kontaktohej, për shkak se numri i tij i celularit qe bllokuar menjëherë.
Z.Lici u shkarkua nga detyra sepse nuk kishte arritur të realizonte planin, gjatë kohës që ka mbajtur postin e drejtorit në këtë institucion. Sipas znj.Rusmajli, gjatë tremujorit të parë, plani qe realizuar vetëm 51%. Drejtori i ri, z.Agron Kaja ka punuar më herët si Drejtor i Zyrës së Tatim-Taksave të Durrësit.
Ai është raportuar në tetor të vitit të kaluar nga Komisioni i Shërbimit Civil, si një drejtues i lartë i tatimeve i emëruar në kundërshtim me "Ligjin për Statusin e Nëpunësit Civil". Ai qe emëruar Drejtor i Tatimeve të Durrësit, në nëntor të vitit 2006. Në javën e parë të prillit z.Kaja u shkarkua nga kjo detyrë, me motivacionin e "ristrukturimit të tatimeve".
ATK, zyra 160 milionë euro
Megjithëse shumë larg vëmendjes së publikut, ATK është një zyrë që konsiderohet shumë e rëndësishme për shtetin. Detyra e saj është të mbledhë kreditë e pakthyera që një numër i madh shqiptarësh morën në bankat ish-shtetërore.
Agjencia u krijua me ligj të veçantë, në vitin 1998, me synimin për të mbledhur kreditë e pakthyera të dhëna nga bankat nën pronësi publike, BKT, BK dhe BTA, si dhe kompania INSIG, gjatë viteve 1993-1998. Fondi i përgjithshëm i kredive të këqija që duhej të trajtoheshin nga kjo agjenci arrinte në 19.2 miliardë lekë, (rreth 160 milionë euro me kursin e sotëm). Por që nga dita kur u krijua e deri më sot, kjo agjenci ka përdorur një pjesë të konsiderueshme të parave të mbledhura nga borxhlinjtë vetëm për të mbuluar shpenzimet e veta.
"Sipas planit strategjik të miratuar, kërkohej që në fund të vitit 2005 të ishte zgjidhur 90% e portofolit në vlerë dhe 75% e numrit të portofolave në administrim", - thuhet në një raport të KLSH-së për aktivitetin e këtij institucioni, raport që përmbledh të dhënat deri për gjashtëmujorin e parë të vitit 2006. "Në fakt rezulton se në fund të vitit 2005, niveli i realizimit të këtij objektivi është 10.7% e portofolit në vlerë dhe 24% e numrit të kredimarrësve".
Mandati i ATK-së, i cili ligjërisht duhej të mbaronte në vitin 2005, u shty me ndryshim ligjor të propozuar nga Ministria e Financave për disa vite të tjera, pikërisht për shkak se nuk kishte arritur të mblidhte veçse një pjesë të papërfillshme të borxheve. Por mbledhja e këtyre borxheve ka patur një rendiment financiar të paimagjinueshëm për një institucion financiar. Zakonisht shpenzimet e ATK-së kanë ngrënë një të pestën e parave të mbledhura nga kreditë e vjetra, ndërkohë që vetë kreditë janë zhveshur nga interesat për dhjetë vitet e fundit.
Kredi me letër deputeti
Kreditë që ka për detyrë të mbledhë ATK njihen në gjuhën e bankierëve, si "kredi me kolateral autorizim deputeti". Është një shaka që tregon se shumica dërrmuese e atyre që morën kredi në periudhën '93-'98, paraqesin si garanci për marrjen e kredisë dokumente për anëtarësim në parti apo rekomandime nga deputetët e zonës. Kredi të tilla çuan në falimentim Bankën Tregtare Agrare, e cila u mbyll në prill '98, ndërkohë që dy bankat e tjera u mbajtën në këmbë për shkak se Buxheti i Shtetit mori përsipër kreditë e pakthyera. Këto kredi i kushtuan taksapaguesve 19.2 miliardë lekë të rinj, deri në vitin 2001.