Kartëmonedha 2000-lekëshe, BSH-ja gati shpërndarjen këtë vit në treg
Kartëmonedha e re 2 mijë lekëshe pritet të “prezantohet” me tregun këtë vit. Ajo do të jetë pjesa më e re e serisë së parave që qarkullojnë sot në duart e shqiptarëve. Banka e Shqipërisë kishte parashikuar hedhjen e saj në qarkullim që vitin e kaluar, por vonesa në hedhjen e saj në qarkullim është bërë sepse ende nuk është zgjedhur konfigurimi, i cili do të përfaqësohet nga një figurë historike kombëtare. Sipas BSH-së, ekspertët e saj janë duke u konsultuar për këtë qëllim me ekspertë në Ministrinë e Kulturës dhe porsa të ketë një qartësim në lidhje me pamjen, kartëmonedha e re do t'i paraqitet për miratim Këshillit Mbikëqyrës të Bankës. Procedurat pritet të përfundojnë gjatë tre muajve në vazhdim, ndërkohë që hedhja në treg do të bëhet në fillim të 6-mujorit të dytë. Hedhja në qarkullim e kartëmonedhës 2 mijë lekëshe u përgjigjet nevojave gjithnjë në rritje të ekonomisë, karakteristikë e vendeve në zhvillim. Deri tani prerja më e madhe e serisë së monedhave vendase është 5000 lekëshi dhe më pas 1000 lekëshi. Prezantimi i 2000 lekëshit do të jetë një tjetër alternativë përdorimi. BSH-ja është hartuesja e planit të emetimeve të kartëmonedhave e monedhave kombëtare shqiptare, duke siguruar furnizimin e rregullt dhe plotësimin e kërkesave të ekonomisë shqiptare me para. Ajo harton politikën e tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe të monedhave që ka emetuar, kundrejt shkëmbimit me prerje të emetimeve të reja. Ajo sekuestron e konfiskon edhe kartëmonedhat dhe monedhat e falsifikuara.
8 Mars 2008