E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH-ja, përpjekje për të ruajtur stabilitetin makroekonomik



Banka e Shqipërisë, në politikën e saj afatgjatë, do të synojë stabilitetin e përgjithshëm makroekonomik të vendit me qëllim rritjen e mëtejshme të investimeve vendase e të huaja. Burime nga BSH-ja thanë se përballë kushteve të krizës financiare ndërkombëtare, ruajtja e stabilitetit makroekonomik të vendit mbetet një nga sfidat kryesore të Bankës Qendrore. Sipas BSH-së, burimet e rritjes së qëndrueshme për periudhën afatmesme dhe afatgjatë do të konsistojnë jo vetëm në nxitjen e rritjes së produktivitetit të punës apo të investimeve në industri e ndërtim, por edhe në sektorë të tjerë strategjikë. Për ekonominë shqiptare, që është një ekonomi në zhvillim, investimet vendase dhe ato të huaja direkte në sektorë strategjikë, si turizëm dhe infrastrukturë, do të përbënin një burim real të rritjes ekonomike shqiptare, duke ndikuar kështu dhe në zbutjen e efekteve negative të krizës financiare ndërkombëtare.

Investimet në sektorin energjetik ulën numrin e kufizimeve

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, deklaroi dje gjatë punimeve të seancës plenare të radhës se investimet në sektorin e energjisë bënë të mundur shkëputjen historike nga emergjencat kronike të furnizimit të popullatës me energji elektrike. "Investimet e kontraktuara në formën e kontratave të lidhura tashmë nga qeveria në sektorin energjetik arrijnë të shënojnë një kapacitet të projektuar prej rreth 3 mijë Megavat dhe vlera e investimeve të shtrira në vite është rreth 5 miliardë euro", - theksoi ministri Ruli. Sipas kreut të METE-s, "me këto masa të marra dhe arritjet pozitive në reformën e sektorit të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, por dhe me investimet e konkluduara që kanë nisur ose janë në proces, përveçse realizuan disa objektiva strategjikë të qeverisë, shënojnë edhe shkëputjen historike që ne bëjmë nga emergjencat kronike të furnizimit të popullatës me energji elektrike".

BSH-ja ndërhyri gjatë vitit 2008 në tregun e parasë

Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë 3-mujorit të tretë të vitit 2008 kanë vijuar të kryhen nëpërmjet instrumentit kryesor të Bankës së Shqipërisë, marrëveshjes së anasjellë të riblerjes me maturim njëjavor, me një mesatare javore prej 4.46 miliardë lekësh.
BSH-ja nëpërmjet një njoftimi për shtyp bëri të ditur se gjatë 3-mujorit të tretë të vitit 2008, për investimin e likuiditeteve të lira, bankat përdorën depozitën njëditore, niveli mesatar ditor i së cilës ishte 5.07 miliardë lekë, në krahasim me 3.8 miliardë lekë në tremujorin e kaluar. Rritja e likuiditetit të investuar në depozitë njëditore ishte rezultat i rritjes së nivelit strukturor të likuiditetit të mbajtur nga bankat e nivelit të dytë. Ndërsa instrumenti i kredisë njëditore gjeti përdorim në rreth 0.95 miliardë lekë në 4 raste.

23 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›