Presidenti Obama i vë “drynin” Burgut të Guantanamos
Blerina Olldashi
Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, po i bën realitet premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale. Ai nënshkroi dje një urdhër ekzekutiv, i cili parashikon mbylljen e Burgut të Guantanamos në Kubë brenda një viti. 250 të dyshuarit që mbahen të burgosur atje do të lirohen ose transferohen në një vend të sigurt. Ky urdhër ekzekutiv kërkon gjithashtu rishikimin e të gjitha dënimeve për të përcaktuar ecurinë e procesit penal ndaj atyre që mund të kenë kryer krime. Kreu i Shtëpisë së Bardhë firmosi edhe një tjetër urdhër, i cili u jep fund metodave të ashpra të marrjes në pyetje nga agjentët amerikanë. Urdhri do të detyrojë të gjitha agjencitë, përfshirë dhe CIA-n, që të ndjekë udhëzimet e ushtrisë, sipas të cilave ndalohen taktika të tilla ku përfshihen dhe simulimi i mbytjes me ujë gjatë marrjes në pyetje. Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, fillimisht pezulloi për 120 ditë gjykimet në këtë burg. Pas vendimit për mbylljen e tij, problemi kryesor ka të bëjë me të burgosurit për të cilët nuk dihet nëse do të lirohen apo do të transferohen diku tjetër. Aktualisht, në Guantanamo qëndrojnë 250 të burgosur, statusi i të cilëve, me pak përjashtime, është i pasqaruar. Një grup prej 60 të burgosurish konsiderohen nga qeveria e SHBA-ve të pafajshëm. Këta persona mund të lirohen menjëherë nëse gjendet një vend strehimi i sigurt. Presidenti i ri Barak Obama u betua të mërkurën si president, por një fjalë e thënë ndryshe e detyroi atë të ribetohej për herë të dytë në Shtëpinë e Bardhë nga kryetari i Gjykatës Supreme, Xhon Roberts, para një grupi gazetarësh. Betimi për të marrë postin më të fuqishëm në botë përbëhet nga 35 fjalë. Shtëpia e Bardhë tha se ribetimi u bë si masë e një kujdesi të veçantë nga ana e tij. Betimi është pjesë e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara dhe administrata e Obamës nuk dëshironte që të rrezikonte. Sipas zyrtarëve u deshën vetëm 25 sekonda për kryetarin e Gjykatës Supreme për të drejtuar këtë procedurë, këtë radhë pa asnjë gabim. Presidenti Obama nuk është presidenti i parë që ka përsëritur betimin. Në të kaluarën janë ribetuar edhe presidentët Kalvin Kolixh dhe Çester Artur.
Karolajn Kenedi heq dorë nga kandidatura për senatore
E bija e presidentit të vrarë Xhon Kenedi tërhoqi dje kandidaturën për senatore. Karolajn Kenedi vetëm disa ditë më parë synonte të zinte vendin në Senat të lënë bosh nga zonja Hillari Klinton. Pas vendimit të saj, Guvernatori i Nju Jorkut, Dejvid Paterson, pritet të emërojë një person tjetër për këtë post. Nuk është e qartë se çfarë e ka shtyrë zonjën Kenedi të tërhiqet. Karolajn Kenedi ka banuar në Shtëpinë e Bardhë nga viti 1961 deri në vrasjen e të atit në vitin 1963. Xhaxhai i saj, Robert Kenedi, ka qenë senator i Nju Jorkut nga viti 1965 deri në vrasjen e të vëllait më 1968-n. Dëshira e shprehur nga zonja Kenedi për t’u bërë senatore është kritikuar sepse ajo nuk ka patur më parë asnjë post publik.
Riarmatosja e Hamasit, Izraeli paralajmëron luftë
Rripi i Gazës rrezikon të sulmohet sërish nga Izraeli, i cili paralajmëroi se ky veprim mund të ndodhë pasi militantët e Hamasit po përdorin tunelet e nëndheshme në kufi me Egjiptin për t’u riarmatosur. Izraeli tha se ka shkatërruar rreth 150 tunele gjatë ofensivës trejavëshe në Gaza, por raportohet se disa nga tunelet janë rihapur. Sipas autoriteteve izraelite, militantët i përdorin tunelet për të trafikuar armë në Gaza, ndërsa palestinezët thonë se tunelet janë mënyra e vetme për t’u furnizuar me karburant dhe ushqim për shkak të kontrollit të rreptë izraelit në kufi. Ndërkohë, institucionet palestineze kanë bërë një bilanc të të vrarëve nga sulmet e Izraelit dhe ky numër shkon në 1,330 persona. Gjysma e tyre mendohet se kanë qenë civilë dhe 5,450 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ndër të vdekurit janë 437 fëmijë nën moshën 16-vjeçare, 110 gra, 123 pleq, 14 punonjës mjekësorë dhe katër gazetarë, - ka thënë udhëheqësi i shërbimit mjekësor të Gazës.
23 Janar 2009