Thesari i Shtetit, vlera e arit të depozituar arrin në 5,370 milionë euro
Ervin Koçi
Vlera e floririt të depozituar në Bankën e Shqipërisë, e cila është pjesë e thesarit të shtetit shqiptar, ka ardhur në rritje gjatë periudhës së fundit të vitit 2008. Sipas të dhënave zyrtare të BSH-së, gjatë muajit nëntor 2008, vlera e arit të vendosur në depozitat e Bankës Qendrore ishte 5,370 milionë euro, kundrejt një muaji më parë që shënoi 4,878 milionë euro. BSH-ja bëri të ditur në raportin e publikuar ditët e fundit mbi statistikat e rezervave valutore se sasia e arit është vlerësuar me kursin e këmbimit fiks të Londrës në datën e bilancit. Më 27 nëntor 2008, një onz ar u vlerësua me 813.5 usd, ndërsa në tetor të vitit 2008 një onz ar ishte 728 usd. Të dhënat e fundit, në lidhje me sasinë e arit që ka në pronësi shteti shqiptar, i referoheshin fundit të muajit qershor 2008, ku sasia ishte 1938 kg ose, e thënë ndryshe, rreth 2 tonë. Sipas të dhënave të BSH-së, më 30 qershor 2008, vlera e arit të vendosur në depozita, mjete të Bankës, ishte 5 miliardë lekë, e cila përbëhej prej 69,223.24 onz ar (1 onz = me 28 gr).
Shtimi i thesarit
Llogaria e shtetit në ar u rrit ndjeshëm pasi në shkurt të vitit 2008, qeveria shqiptare, nëpërmjet një vendimi të posaçëm, konvertoi rreth 7 miliardë lekë duke i kthyer ato në ar që ishin në pronësi të saj, si dhe duke i transferuar në pronësi të BSH-së. Tashmë ka vetëm një rezervë unike në ar, e cila nuk mbahet e ngurtësuar në kasaforta dhe tunele, por investohet në tregjet ndërkombëtare (në bursa). Kjo pasi kohët e fundit vlera monetare e metaleve të çmuara, përfshi këtu edhe atë të arit, është rritur ndjeshëm. Shqipëria, ashtu si të gjitha shtetet e tjera, ka një rezervë monetare që mbahet për të nxjerrë vendin nga kriza të paparashikuara. Një pjesë e këtyre rezervave ruhen në euro, dollarë, ar dhe metale të tjera të çmuara si argjendi dhe platini. Kjo rezervë monetare e vendit tonë është e aftë të përballojë rreth 4-5 muaj importe mallrash dhe një pjesë e saj është e ruajtur në shufra floriri (lingota).
Vlera e arit në bursa
Kohët e fundit, sidomos gjatë vitit 2008, vlera e arit në tregjet ndërkombëtare u rrit së tepërmi. Zhvlerësimi i monedhës së gjelbër amerikane, dollarit, por edhe i valutave të tjera, rriti vlerën e arit me 25 dollarë vetëm brenda dy javësh. Një onz ar u shit në fillim të vitit 2008 në tregun ndërkombëtar me 658 dollarë. Historikisht, çmimi i arit shkon në drejtim krejt të kundërt me vlerën e dollarit amerikan. Një onz ar ka kushtuar në verën e vitit 2005 rreth 451 dollarë, ndërkohë që çmimi i njësisë së arit për dy vite është rritur me më shumë se 230 dollarë. Analistët e ekonomisë në tregjet ndërkombëtare shpjegojnë se çmimi i arit rritet në tregjet ndërkombëtare sa herë që në ekonominë globale diçka nuk është duke shkuar mirë dhe sidomos në ekonominë e SHBA-së, e cila zë çerekun e totalit të Prodhimit Botëror. Kjo ka ndikuar sjelljen e investitorëve, të cilët janë duke e parë arin si mjetin më të përshtatshëm për investime, sidomos në kohën e krizës.
Transferimi i thesarit, BSH-ja pronare e vetme e arit shqiptar
Sasia e arit dhe e materialeve të tjera të çmuara, që deri në shkurtin e vitit 2008 kanë qenë në pronësi të Këshillit të Ministrave, i kanë kaluar tashmë në administrim Bankës së Shqipërisë. Me shumicë votash, Kuvendi miratoi projektligjin “Për ndryshimin e pronësisë së një pjese të rezervave valutore të Republikës së Shqipërisë". Pas miratimit të këtij ligji, qeveria hoqi dorë tërësisht nga pronësia e mbi 2,5 tonë ar, i cili po administrohet tashmë nga Banka e Shqipërisë. Sasia e arit që kaloi në administrimin e BSH-së nga qeveria ishte fillimisht 2412 kg e 172 gr, me një vlerë 5,7 miliardë lekë. Ky ndryshim i pronësisë së arit nga qeveria te BSH-ja ka bërë të mundur rritjen e vlerës së aseteve të bankës dhe vlerës së vetë thesarit nga interesat e depozituara në bankat e huaja. Veç kësaj, BSH-ja ka në pronësi dhe administron rezervat valutore të krijuara nga veprimtaria e saj. Sipas specialistëve të BSH-së, mbështetur në këtë bazë ligjore, Banka ka të drejtë që sasinë e arit dhe metaleve të çmuara në pronësi të qeverisë ta ketë në pronësi të saj dhe vlerën e tyre ta pasqyrojë në bilancin financiar të saj.
23 Janar 2009