Ministria e Brendshme: “Një milion e 17 mijë qytetarë kanë aplikuar për karta”
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve paraqiti në mbledhjen e djeshme të dhënat që Ministria e Brendshme i ka dërguar këtij komisioni në lidhje me pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. Në letrën e Ministrisë numri i aplikimeve në të gjithë vendin, që nga nisja e procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, ka kaluar 1 milion. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, e ka quajtur të paplotë dokumentacionin e dërguar dhe ka kërkuar informacione të tjera në lidhje me ecurinë e pajisjes së qytetarëve. Letra e Ministrisë drejtuar KQZ-së vjen pas kërkesave të shumta të anëtarëve të Komisionit, të përfaqësuesve politikë në Komision dhe kërcënimit se do të njoftoheshin ndërkombëtarët.
Letra
Në letrën që Ministria e Brendshme i ka dërguar KQZ-së thuhet se numri i qytetarëve që kanë aplikuar për karta identiteti ka kaluar 1 milion e 17 mijë. Firma austriake që merret me prodhimin e kartave të identitetit ka arritur që të prodhojë 883 200 karta identiteti. Prej këtyre kartave të prodhuara, në zyrat e gjendjes civile janë dorëzuar rreth 816 900 karta identiteti. Ministria e Brendshme njofton Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që numri i qytetarëve që aplikojnë është 13 705 në ditë. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, deklaroi se informacioni i paraqitur nga KQZ-ja është i paplotë. Ne kemi kërkuar që Ministria e Brendshme të na njoftojë edhe për numrin e qytetarëve që nuk janë të pajisur me karta identiteti”, - tha Subashi. Sipas nënkryetares së KQZ-së, informacionet që i dërgohen KQZ-së nuk kanë të bëjnë me atë që përcakton Kodi Zgjedhor. Letra e dërguar KQZ-së nga Ministria vjen pas kërkesave të herëpashershme që anëtarët e KQZ-së dhe përfaqësuesit politikë kanë kërkuar në mbledhjet e Komisionit. Në Kodin Zgjedhor thuhet se Ministria e Brendshme duhet të informojë KQZ-në në lidhje me procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. “Ministria e Brendshme e informon në mënyrë periodike, jo më pak se një herë në muaj KQZ-në në lidhje me ecurinë e pajisjes së shtetasve me karta identiteti sipas pikës 2, pra detyrimi për ta informuar KQZ-në jo më pak se një herë në muaj është vetëm për ecurinë e procesit”,- shkruhet në Kodin Zgjedhor.
22 Maj 2009