PDS-ja prezanton kandidatin e saj në Librazhd
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, prezantoi në qytetin e Librazhdit kandidaten për deputete, psikologen Fatbardha Alimeta. Milo e akuzoi kryeministrin Berisha se qeverisja e tij është kanunore dhe e krijuar mbi baza klanesh. “Në Europë ne nuk mund të shkojmë me një qeverisje klanore”,- tha kreu i PSD-së. Milo deklaroi se vendi në Europë do të pranohet vetëm nëse plotësohen standardet europiane. Sipas tij, në radhë të parë Shqipëria duhet të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Koha e sulltanëve politikë ka ikur. Ne na duhet qeverisje moderne, demokratike, europiane dhe ne në Europë me Sali Berishën nuk mund të shkojmë, me një qeverisje të diktatit politik. Kryetari i PSD-së ftoi të pranishmit që të mbështesin forcat e opozitës, që sipas tij janë forcat më progresiste të politikës sot në Shqipëri.
PS-ja: Berisha gënjeu për uljen e TVSH-së për energjinë
Anëtari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Saimir Tahiri, e akuzoi kryeministrin Berisha se nuk ka mbajtur premtimet në lidhje me TVSH-në për energjinë elektrike. Tahiri deklaroi para një filiali të OSSH-së, ku kryhen pagesat e faturave të energjisë elektrike në Tiranë, se 4 vjet më parë në programin e tij qeverisës, Sali Berisha premtoi se do të ulte nga 20% në 6% TVSH-në për energjinë elektrike. Sipas anëtarit të Asamblesë së PS-së, sot, katër vjet më pas, TVSH-ja për energjinë vazhdon të mbetet 20%. “Premtimi i dhënë, premtim i pambajtur. Kjo është shprehja më domethënëse që karakterizon qeverinë e Sali Berishës”, - tha Tafaj. Ai u shpreh se mosmbajtja e premtimeve është tipike për politikën e vjetër. “Me këtë premtim të pambajtur Sali Berisha u merr më tepër para nga xhepi i tyre pensionistëve, buxhetorëve dhe të gjitha shtresave në nevojë, duke iu pakësuar tryezën e përditshme të bukës”, - deklaroi Tafaj. Saimir Tafaj u shpreh se kjo është edhe arsyeja që shqiptarët më 28 qershor do të votojnë për PS-në.
22 Maj 2009