E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH miraton javen tjeter politiken monetare

TIRANE- Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë (BSH) në mbledhjen e javës së ardhshme do të vendosë mbi politikën monetare për 3-mujorin e parë të vitit 2010, ku një nga elementët kryesorë do të jetë shqyrtimi për ndryshimin ose jo të normës bazë të interesit, që aktualisht është në nivelin 5.75 për qind.

Gjatë kësaj mbledhjeje, vend kryesor do të zërë dhe diskutimi mbi gjendjen e ekonomisë gjatë muajve të parë të vitit 2010 dhe perspektiva afatmesme e këtij sektori- shkruan sot atsh, duke cituar burimet nga kjo banke.

Banka e Shqipërisë, në misionin e saj, mbetet e angazhuar në hartimin e politikave monetare që synojnë ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe qëndrueshmërisë së tyre, në përputhje me objektivin e saj.
Burime nga BSH-ja bënë të ditur se sistemi bankar shqiptar nuk është prekur nga kriza ndërkombëtare, megjithatë ajo dhe stukturat e saj kanë rritur vigjilencën ndaj aktivitetit bankar në vendin tonë.

Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë do të monitorojë me kujdes të veçantë çdo informacion dhe zhvillimet në javët në vijim, bënë të ditur burime nga BSH-ja.

Ndërkohë në axhendën e punimeve të Këshillit Mbikqyrës të BSH-së, është parashikuar të diskutohet edhe informacioni "Mbi ndërhyrjet në tregun e parasë dhe në tregun e brendshëm valutor gjatë tremujorit të parë të vitit 2010".
(s.g/Atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›