BSH, operacione në tregun e parasë për të injektuar likuiditet
Banka e Shqipërisë ka qenë e detyruar, për efekt të krizës ekonomike, që gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009 të ndërhyjë në tregun e parasë për të injektuar likuiditet brenda tij. Kështu, burimet zyrtare të saj bëjnë me dijeni se ajo përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e riblerjes me maturim njëjavor mesatarisht të 19.51 miliardë lekëve në javë, si dhe instrumentet rregullues me maturim më të gjatë se një javë. “Me qëllim rritjen në mënyrë të përhershme të likuiditetit në treg, BSH-ja organizoi gjatë muajit dhjetor një ankand për blerjen me të drejta të plota, nëpërmjet të cilit u injektuan 2.35 miliardë lekë”,- thuhet në njoftimin e BSH-së. Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009, depozita njëditore u përdor mesatarisht 0.54 miliardë lekë në ditë, në krahasim me 0.35 miliardë lekë në ditë gjatë tremujorit të kaluar. Përdorimi i depozitës njëditore ishte më intensiv gjatë ditëve të fundit të periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar.
Lojërat e fatit, shkatërrohen makineritë jashtë standardit
Vazhdon aksioni për shkatërrimin e makinerive të lojërave të fatit të cilat janë jashtë standardeve. Kreu i Inspektoratit të lojërave të fatit, Viron Bezhani, u shpreh dje se do të shkatërrohen të gjitha ato makineri me probleme dhe do të zbatohet ligji. Aksioni i nisur muaj më parë pritet që të vazhdojë duke konfiskuar dhe shkatërruar të gjitha ato makineri që nuk plotësojnë rregullat.
Greqia përgatitet të aktivizojë një paketë financiare
Kryeministri i Greqisë ka thënë se vendi i përfshirë në borxhe po përgatitet të aktivizojë një paketë financiare shpëtuese të ofruar nga kombe të eurozonës dhe FMN. Por kryeministri Papandreu këmbënguli se vendi nuk kishte falimentuar. Ishte gjatë debateve në parlament mbi gjendjen e rëndë të ekonomisë greke që kryeministri erdhi shumë pranë pranimit se vendi ishte në prag të tërheqjes së rripit të parashutës ndërkombëtare financiare. Gazetat greke janë të bindura tashmë se kapitullimi është vetëm disa ditë larg, ndërsa ekipe nga BE dhe FMN do të jenë në Athinë të hënën. Njerëzit më të pasur të Greqisë kanë lëvizur 13 miliardë dollarë jashtë në javët e fundit dhe shqetësimet e tyre duket se po kalojnë dhe te kursimtarët modestë që kanë filluar gjithashtu të tërheqin fondet.
17 Prill 2010