Tenton ti japë fund jetës pas vetëvrasjes së shokut nga pakujdesia
ELBASAN - Krimi i ndodhur në Peqin dy ditë më parë është vetëvrasje nga pakujdesia, dhe jo vrasje. Ka qenë Policia e Elbasanit që pas hetimeve të kryera ka bërë të ditur ditën e djeshme se Erjon Daja, 40 vjeç, është vetëvrarë teksa ka qenë duke pastruar pistoletën, kur ka qëlluar pa dashje veten. Ai ndodhej në shoqërinë e Sami Hasës, në banesën e këtij të fundit. Sipas të dhënave nga Policia lokale, 42-vjeçari Hasa, kur ka parë shokun e tij të vdekur, në kushtet e një tronditjeje të rëndë psikike, ka qëlluar veten duke u plagosur rëndë.
Vrasje dhe vetëvrasje
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë në Peqin, nga hetimet paraprake rezultoi se viktima Erjon Daja ka shkuar në banesën e shtetasit Sami Hasa. Duke pastruar një armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante pa leje, shtetasi Erjon Daja ka qëlluar veten aksidentalisht”, - ka bërë të ditur dje Policia e Elbasanit. Sipas saj, në momentin kur Daja ka gjetur vdekjen, shoku i tij, Sami Hasa, ka qëlluar veten, pasi është ndodhur në një gjendje të rëndë mendore. Policia e Elbasanit sqaron se pas ngjarjes, Sami Hasa ka qëlluar veten për shkak të tronditjes së fortë psikike, duke u vetëplagosur.
I vetëplagosuri Hasa është me profesion mësues. Shtetasi Sami Hasa aktualisht ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.
Siç ka bërë të ditur dhe Policia, krimi ka ndodhur brenda apartamentit të Hasës, ku është gjetur trupi i pajetë i viktimës. Por ngjarja nuk ka përfunduar me kaq, pasi kur ka dalë, Sami Hasa, i gjendur nën një tronditje të fortë pas vdekjes aksidentale, ka qëlluar mbi veten me pistoletën që ishte përdorur nga shoku i tij. Ndërkohë, 37-vjeçari Erjon Daja ka gjetur vdekjen e menjëhershme dhe për të nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi, ndërsa i plagosuri është në gjendje të rëndë. Kanë qenë banorët e pallatit që kanë parë skenën e tmerrshme dhe kanë kërkuar ndihmën e policisë dhe të urgjencës mjekësore për ndihmë ndaj të plagosurit.
Hetimet
Uniformat blu kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë hetimet e para ku kanë marrë dhe dëshmitë e familjarëve të të plagosurit. Policia lokale tha se njoftimi për këtë ngjarje është marrë rreth orës 16:15 dhe në drejtim të vendit kanë shkuar forca të shumta policie. Menjëherë, nëpërmjet një autoambulance, i plagosuri rëndë është nisur drejt Spitalit të Elbasanit, ku i është nënshtruar një operacioni për rreth dy orë. Më pas 40-vjeçari është nisur drejt Spitalit Ushtarak për një mjekim më të specializuar. Gjendja e tij, sipas mjekëve, paraqitet mjaft e rëndë. Pasi është sqaruar e gjithë ngjarja, Policia e Elbasanit ka ngritur dhe akuzën ndaj të plagosurit. Sipas zëdhënëses së Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, ndaj 42-vjeçarit Sami Hasa është ngritur akuza e “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe për atë është prerë një fletë-arresti. Gjatë ditës së djeshme, familjarë, të afërm dhe të njohur të viktimës, kanë përcjellë trupin e pajetë të Erjon Dajës për në banesën e fundit. Gjatë ditës së sotme pritet që Gjykata e Elbasanit të japë një masë sigurie ndaj të plagosurit që ndodhet në Spitalin Ushtarak. Pritet që ndaj tij të jepet masa “arrest me burg”.
Mungesa e dëmshpërblimit, përplasen me policinë për prishjen e banesave
KRUJË - E nisur si një protestë paqësore në kërkim të së drejtës së tyre, banorët e Thumanës në Krujë janë përplasur në mënyrë të dhunshme me policinë lokale. Burime nga vendi i ngjarjes thanë gjatë ditës së djeshme se dhjetëra banorë janë përleshur me efektivët e policisë për të mbrojtur banesat e tyre që do të shemben për të zgjeruar autostradën. Protesta e banorëve të kësaj zone ka nisur të premten paradite në shenjë kundërshtimi për prishjen e banesave të tyre. Fadromat e Policisë Ndërtimore po bëheshin gati në aksionin për të shembur shtëpitë që ndodhen në zonën ku do të zgjerohet superstrada. Por, sipas banorëve, deri tani, asnjë dëmshpërblim nuk është dhënë për prishjen e banesave. Në këto momente, disa fshatarë janë shtrirë poshtë fadromave në shenjë kundërshtimi për prishjen e shtëpive të tyre. Policia është përpjekur t’i ndalë këto veprime, por ka hasur në kundërshtimin e banorëve, të cilët janë përleshur me efektivët e policisë, të përforcuar me trupa dhe nga Tirana. Banorët, nga ana e tyre, kanë kërkuar t’u bëhet një vlerësim i drejtë për mallin që do t’u shkatërrohet, që më pas të kenë mundësi ta zëvendësojnë diku tjetër. Në këtë zonë banesat janë qindravjeçare dhe banorët nuk kanë investuar në to, pasi kishin marrë dijeni për projektin e autostradës. Por traseja e rrugës që ka nisur që një vit më parë nuk është dëmshpërblyer. Për këtë arsye, firmat ndërtuese kanë kërkuar dje ndihmën e Policisë Ndërtimore dhe asaj të Rendit. Kur këta të fundit kanë ndërhyrë, atëherë ka ndodhur dhe përplasja fizike.
Por përplasje nuk ka pasur vetëm në Krujë. Dhe në Maliq, prishja e një dyqani në pronësi të nënkryetarit të Këshillit Bashkiak të Maliqit, Rexhep Fejzo, me vendim të kreut të Bashkisë, ka çuar në përplasjen mes pronarëve të objektit dhe Inspektoratit Ndërtimor. Për të ndaluar prishjen e lokalit pronarët kanë dalë para fadromës dhe kanë hipur mbi të duke mos lejuar ekzekutimin e vendimit.
17 Prill 2010