Ushtaraku: “Amerikanët kërkuan Bërzhitën për demontimin e armëve”
Laureta Rryçi
Në seancën e radhës në procesin e Gërdecit, dëshmitë e ushtarakëve dhanë edhe më shumë detaje mbi rrugën që u ndoq derisa u vendos për fabrikën e demontimit. Ish-drejtori i Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, Bardhyl Hoxha, ishte një prej dëshmitarëve në procesin kundër 29 të pandehurve të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit. Ai tregoi para trupit gjykues për takimin me Patrik Henrin, përfaqësues i kompanisë amerikane "Southern Ammunition Company Inc", të kryer më datë 26 dhjetor 2006. Pikërisht në këtë periudhë, kjo kompani kërkoi të kryente demontimin e armëve në Shqipëri. Sipas dëshmisë së tij, takimi është zhvilluar në Ministrinë e Mbrojtjes, në prani edhe të kreut të MEICO-s, Ylli Pinari, ish - drejtorit Teknik të fabrikës, Dritan Minxolli, si dhe sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, Ardian Mullai. “Henri paraqiti mënyrën e demontimit dhe propozoi rajonin e Bërzhitës si vend për kryerjen e këtij procesi. Pas këtij takimi kam përpiluar një memo drejtuar shefit të Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha dhe ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ku kundërshtoja caktimin e zonës së Bërzhitës, pasi ishte zonë e banuar dhe shumë afër rrugës automobilistike, çka përbënte rrezik serioz nëse do të kishte ndonjë avari”, - tha Hoxha. Ndërsa për vendin e dytë të zgjedhur, atë të Gërdecit, Hoxha tha se nuk ka pasur dijeni pasi është transferuar me detyrë tjetër.
Dëshmia e Bardhyl Hoxhës
“Më datë 11.07.2004 fillova punë si drejtor i Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm deri më datë 1.3.2007. Pas kësaj date u emërova si drejtor i menaxhimit të burimeve të mbrojtjes në Shtabin e Përgjithshëm deri në shtator të vitit 2008. Në postin e drejtorit të logjistikës, si detyrë kishim hartimin dhe ndjekjen të planeve të mbështetjes me ushqim, veshmbathje, transport, mirëmbajtje infrastrukture, me armatim municionesh. Jam vënë në dijeni se SAC donte të ndërtonte një fabrikë demontimi më datë 27.12.2006 kur kjo kompani kërkoi të kryente veprimtari demontimi në Shqipëri. Hera e dytë ka qenë kur jam thirrur në zyrën e sekretarit Adrian Mullai në Ministrinë e Mbrojtjes. Aty ishte drejtori i MEICO-s, juristi i Ministrisë së Mbrojtjes Plarent Rukaj dhe përfaqësuesi i SAC-it. Më vonë vjen në zyrë, në cilësinë e shefit të sektorit të armatimit të municioneve, Sokrat Papallima. Aty iu bë një prezantim nga SAC në powerpoint, ku shpjegohej procesi i demontimit. Në fund të prezantimit e vlerësuam si një mundësi për të demontuar sasinë e madhe të municionit të akumuluar. U thirra unë, sepse logjistika mbulon armatim municionesh. SAC-i kërkonte të bënte një fabrikë demontimi për municione të kalibrave të ndryshëm. Kjo kompani donte ta kryente këtë aktivitet në Bërzhitë.
Oferta
Në lidhje më ofertën e SAC-it, më datë 28.12.2006 i drejtuam Ministrisë së Mbrojtjes një shkresë, e cila u firmos nga unë dhe nga Sokrat Papadhima. Kjo kërkesë i kaloi shefit të Shtabit dhe më pas në sekretari. Në këtë shkresë thuhej se rajoni i Bërzhitës është i papërshtatshëm për të kryer demontimin sepse është afër qendrave të banuara, rrugës automobilistike dhe nuk plotëson kushtet për licencim bazuar në rregulloren përkatëse. Siç e kam thënë, duhet të përcaktohet një distancë e caktuar për magazinimin e municioneve. Përsa i përket abuzimit në natyrë, baruti në moshë 20-30 vjet, sa më i vjetër, aq më i ndjeshëm është. Gjithmonë kemi kërkuar që të përfshihen sa më shumë aktorë në shkatërrimin e municioneve të rrezikshme dhe kemi kërkuar që firma të ketë një plan të qartë demontimi që ne të marrim një vendim për ta angazhuar në këtë proces. Nuk kam informacion se si është vendosur Gërdeci në rajon demontimi. Me sa di unë, gjatë kohës së prezantimit të projektit, SAC nuk e kishte fituar tenderin për demontim dhe ishte kjo firmë që kërkoi më datë 27.12.2007 Bërzhitën si vend demontimi“.
Dekarata që bëri dje Dritan Minxolli në sallën e gjyqit
“Prej dy vitesh ndodhem në Burgun 313, kam studiuar dosjen hetimore dhe akuzohem për diçka që s’e kam dëshiruar që të ndodhë në punën time. Rregullorja bazë e krijuar nga SAC, mbi të cilën ka vepruar fabrika, duhet të kishte vendin e saj në vendimin e Këshillit të Ministrave, pasi ishte guri themelit të asaj që u bë në fabrikë. Kurrë nuk e kam imagjinuar se do të ndodhte ajo ngjarje. Sot në këtë sallë ndodhet një person, të cilit i vdiq i djali dhe për këtë unë kam një akuzë shumë të rëndë. Cilët janë këta persona të Ministrisë së Mbrojtjes që firmosën për ngritjen e fabrikës? Pse kompania ‘SAC’ u lejua për transportin e barutit kur nuk u kontrollua asnjëherë, nuk ka pasur asnjë specifikë për trajtimin e barutit? Çfarë rregullash më janë urdhëruar mua nga vendimi i Këshillit të Ministrave që nuk i kam zbatuar? Theksoj se administrimi i barutit është bërë vetëm në sajë të urdhrit dhe rregullores së vendosur nga SAC dhe puna ime është bazuar vetëm në ato rregulla. Çfarë rregullash paskam shkelur unë dhe çfarë kam bërë unë, kur mund të humbas jetën nga ajo ngjarje?! Ditën e ngjarjes veprova si zakonisht dhe kur ndodhi ngjarja unë u vendosa në shtabin e emergjencës, që u ngrit në Vorë. Kam qenë edhe në gatishmëri të prokurorisë, duke iu përgjigjur dhe duke bërë deklarime sa herë më kanë thirrur. Do të vazhdoj t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve që do të më bëhen duke treguar të vërtetën”.
Dëshmia që dha dje Ylli Baja
“Kam qenë i punësuar në Komandën e Forcave të Bashkuara, me detyrë shefi i zyrës së këshilltarëve ligjorë. Jam njohur me Urdhrin Nr. 550, adresuar drejtuesit të Logjistikës. MEIKO ka informuar Kristaq Arapin, i cili më ka shfaqur shqetësim në lidhje me pamundësinë për zbatim të një pike të sipërfaqes së këtij urdhri. Për këtë sipërfaqe thuhej vetëm truall. Dhe unë i kam dhënë përgjigje meqë është projekt shtetëror duhet të komunikohet me strukturën për ta sqaruar. Nuk kreva veprime konkrete se urdhri nuk më adresohej mua. Kam njohur me projekt-aktin 11/47, datë 6.6.2007, për Komandën e Forcave të Bashkuara nga firma ‘MEICO’. Më është kërkuar nga drejtori i Logjistikës për të parë këtë aktmarrëveshje. Drejtori i Logjistikës kishte përgatitur një draft të vetin. Drafti i MEICO-s parashikonte pika që nuk parashikoheshin në urdhrin e Ministrisë së Mbrojtjes. Komanda nuk mund të merrte detyra nga MEICO dhe as të zbatonte urdhra që nuk ishin në Urdhrin 550. Kam qenë në dijeni se do të jepej me qira një pjesë e ish-repartit, por nuk e di, pasi nuk jam marrë unë me kontratat e prodhuesve, është marrë Logjistika. Përsa i përket kontratës midis Albademil dhe Komandës së Forcave të Bashkuara, nuk jam në dijeni. Komanda e Forcave të Bashkuara kishte si detyrim të lidhte të gjitha kontratat. Për arsye të infrastrukturës kam përgatitur një model kontrate qiraje në përputhje me Kodin Civil”.
17 Prill 2010