Sërish rrezik përmbytjesh, hapen portat e shkarkimit në Vaun e Dejës
Ervin KOÇI
Rikthehet rreziku i përmbytjeve në vend. Niveli i ujit në kaskadën e Drinit ka arritur në kufijtë maksimal, çka ka detyruar Korporatën Elektroenergjetike të hapë portat. Nuk dihet ende, se sa ditë do të kryhen shkarkime, pasi situata varet nga moti. Lidhur me këtë situatë ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, gjatë një konference për shtyp njoftoi dje se i gjithë sistemi është vënë në punë për të prodhuar dhe eksportuar sa më shumë energji, me qëllim menaxhimin e gjendjes hidrike. “Niveli aktual i Fierzës ka arritur në 296.27 metra. Mesnatën e të enjtes, sekretariati teknik është mbledhur dhe ka vendosur që të hapë portat”,- u shpreh Prifti. Sipas tij, prurjet në Fierzë kanë arritur në 1500 metër kub/sekondë dhe ajo çfarë parashikohet në rregullore është që derisa ato të ulen në nivelin e 700 metrave kub/sekondë shkarkimet do të vazhdojnë. Por deri tani sipas kreut të METE-s, situata është nën kontroll që do të thotë se nuk do të ketë përmbytje në zonën e Shkodrës. Por vetëm gjatë 24 orëve të fundit Fierza është rritur me 60 centimetra. Ndërkohë edhe Komani dhe Vau i Dejës janë pranë kufirit të lejuar, përkatësisht 174 dhe 75 metra, pra një metër larg pikës maksimale.
Situata
Ministri Prifti tha dje se, ai ka vënë në dijeni kabinetin e kryeministrit, ministritë e linjës dhe pushtetin lokal në verilindje të vendit, për të qenë në gatishmëri. “Nivelet kanë pësuar një rritje të ndjeshme dje për shkak se prurjet në Fierzë kanë shkuar 1400 metër/kub në sekondë. Fierzën e kemi 296.27 dhe kemi vendosur të fillojmë atje shkarkimet. Kur nuk vazhdojnë shirat dhe kur nuk ka prurje të mëdha nga lumenjtë e tjerë veç Drinit, nuk mendoj që ka ndonjë predispozitë për të pasur përmbytje në Shkodër”,- u shpreh Prifti. Aktualisht, shkarkimet në kaskadën e Drinit po vazhdojnë me 500 metër kub/sekondë. Por duket se edhe moti nuk do të jetë favorit për këtë situatë. Mot i paqëndrueshëm dhe reshje me intensitet të lartë është ajo ç’ka parashikojnë sinoptikanët edhe për ditët në vazhdim. Sipas tyre, shirat do të rikthehen në të gjithë territorin e vendin mbrëmjen e datës 18 prill për të vazhduar edhe gjatë mëngjesit të së hënës. Specialistët sinoptikanë thonë, se ato do të ndihen më shumë në veri-perëndim të vendit. Ky fakt e bën edhe më të rrezikshme gjendjen për banorët, kryesisht atyre të zonës së Shkodrës.
Eksporti i energjisë
Sipas ministrit Prifti, situata hidrike ka rritur në mënyrë të kënaqshme edhe eksportin e energjisë elektrike ku nga 12.4 milionë kilovat/orë energji në ditë, që janë eksportuar deri tani, do të shkojë në 15 milionë kilovat /orë. “Ditën e djeshme kemi prodhuar 27 milionë kilovat/orë energji. Dje është konsumuar rreth 19 milionë kilovat/orë energji në vend. Nga sot e mbrapa eksporti do të shkojë në 15 milionë kilovat/orë”,- u shpreh Prifti. Ministri foli gjithashtu edhe për ndryshimin e ligjit të gjobave për karburantet duke theksuar se ky ligj do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e karburanteve.
BOX/////////////////////////////
Reshjet e dendura fryjnë lumin Mat, hapen portat e Ulzës dhe Shkopetit
Reshjet e shumta të shiut të rëna në këto ditë në Qarkun e Dibrës kanë bërë që sasia e prurjeve hidrike në lumin Mat dhe në degën e tij të Fanit të jetë tepër të mëdha. Kjo gjë ka bërë të detyrueshme hapjen e portave të Hidrocentraleve të Shkopetit dhe të Ulzës që ndodhen në rrethin e Burrelit, si dhe portat e Hidrocentralit të Dibrës së Madhe në Maqedoni. Prurjet hidrike të Hidrocentralit të Shpiljes në Maqedoni ishin shumë të mëdha sa që mbuluan shumë sipërfaqe të konsiderueshme toke në rrethin e Dibrës, duke shkatërruar të mbjellat e fermerëve të këtyre zonave. Problematike paraqitet gjendja në disa fshatra të komunave Gjoricë, Arras, Muhurr dhe Luzni. Sipërfaqet e përmbytura shkojnë deri në 2000 ha tokë.
OSSH: “Sot dhe nesër, Velipoja pa energji elektrike”
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike (OSSH) njoftoi dje se do të shkëputet për dy ditë energjia elektrike për zonën e Velipojës. Sipas OSSH-së, “sot dhe nesër Velipoja dhe zonat përreth do të jenë pa energji elektrike nga ora 09:00 e paradites deri në orën 17:00 të pasdites. Shkak, për këtë janë bërë montimet e pajisjeve të reja në nënstacionin e Velipojës. Parashikohet që instalimi i pajisjeve të reja të forcojë furnizimin me energji të Velipojës. Gjithashtu, OSSH-ja nuk do të tolerojë vjedhjet dhe do të ketë kallëzime penale në prokurori për të gjithë shkelësit. Sipas përgjegjëses juridike pranë OSSH-së, Brunilda Vasha, janë bërë rreth 202 kallëzime dhe është dhënë vendimi i parë duke e dënuar me burg një shtetas. Ndërkohë që do të vazhdojë edhe aksioni për ndëshkimin e të gjithë atyre punonjësve të OSSH-së të cilët abuzojnë me faturat e energjisë elektrike.
17 Prill 2010