BSH paralajmëron "luhatje të fortë të kursit të këmbimit"
Në tregun botëror, disa analistë mendojnë se periudha e dobësimit të dollarit ka mbaruar
Banka e Shqipërisë njoftoi në analizën e saj të fundit mbi gjendjen e ekonomisë se kursi i këmbimit të lekut mund të pësojë "luhatje të mëdha", si pasojë e përkeqësimit të llogarisë korrente të vendit.
"Zhvillimet aktuale në llogarinë korrente mund të shihen edhe si faktorë që mund të çojnë në një luhatshmëri më të madhe të kursit të këmbimit në një kohë të dytë",- shkruhet në raport, ndërsa lajmërohej për rritje me ritme të shpejta të deficiteve.
Kursi i këmbimit është mbajtur nën kontroll gjatë viteve të fundit kryesisht përmes mekanizmit të ofertës monetare, si dhe duke përdorur të ardhurat valutore nga emigrantët. Janë disa faktorë që mund të sjellin rënie të vlerës së lekut, për të cilën BSH përdor termin "Luhatje të mëdha": importet e larta dhe të shtrenjta, deficiti i lartë buxhetor për këtë vit, shoqëruar me rënie të investimeve të huaja dhe remitancave.
Gjatë gjashtë viteve të fundit, leku shqiptar ka ndjekur euron në forcimin kundrejt dollarit amerikan. Që nga viti 2001, leku është forcuar 65% kundrejt dollarit, ndërsa nuk ka ndryshuar kuotim kundrejt euros. Kjo është njohur si periudha e superlekut, monedhë e fortë që i bën importet më të lira e për pasojë, ruan inflacionin. Ka pasur shumë debat se çfarë ndodhi në një ekonomi të dobët me deficit të lartë, si Shqipëria, që solli forcimin e lekut. Por e qartë është se monedha shqiptare, këto katër muaj ka reshtur së forcuari dhe se tani mund të fillojë të ndjekë euron në dobësim kundrejt dollarit. Jozyrtarisht, Shqipëria ka lidhur monedhën e vet me monedhën e njëjësuar europiane që nga viti 1992. Por janë edhe disa faktorë të brendshëm që mund të sjellin nënçmim të lekut. Faktori kryesor është deficiti i lartë buxhetor që këtë vit pritet të arrijë në 8% të PBB-së, shifër kjo dy herë më e lartë sesa deficiti prej 4% që konsiderohet normal për kushtet e vendit tonë. Çmimet e larta të mallrave të importit kanë larguar më shumë valutë nga Shqipëria gjatë këtij viti, ndërkohë që të ardhurat nga emigrantët vlerësohen në rënie nga Banka e Shqipërisë. Emigrantët preken nga krizat ekonomike më shpejt se pjesa tjetër e rezidentëve.
Fundi i dollarit të dobët
Dollari amerikan fitoi terren gjatë ditëve të fundit kundrejt lekut, duke shënuar forcimin e parë pas shumë kohësh. Dollari u rrit në kuotën e 79 lekëve, pasi kishte rënë gjatë prillit deri në 76.6 lekë. Ndryshimet në Shqipëri pasqyruar ndryshimet në tregun ndërkombëtar. Analistët e bursave në Londër dhe Nju Jork, kanë filluar të spekulojnë se periudha e forcimit të euros, që zgjati për shtatë vite, ka marrë fund dhe se tashmë pritet që monedha e përbashkët europiane të fillojë të dobësohet. Leku ka fituar rreth 6.8% kundrejt dollarit që nga fillimi i këtij viti, ndërsa ka ruajtur stabilitet kundrejt euros, duke u gjendur sot në të njëjtën kuotë me janarin.
Euro arriti vlerën më të lartë muajin e fundit, kur u shkëmbye për 1.6 dollarë. Që nga viti 2001, euro është forcuar 70% kundrejt dollarit dhe 30% kundrejt paundit britanik. Por shumë analistë tani po spekulojnë duke thënë se cikli afatgjatë i forcimit të euros ka përfunduar, se euro e fortë ka dhënë pasoja negative ekonomike dhe se tashmë do të fillojë të dobësohet së bashku me të gjithë ekonominë e vendeve anëtare të Eurozonës.