Shqipëria, eksportet e naftës shkojnë 82 mln USD
Nafta që nxirret nga nëntoka shqiptare ka si destinacion kryesor rafineritë italiane
Kompania "ARMO" ka bërë të ditur se ka eksportuar 32.3 mln USD naftë, në 9 muaj
Shqipëria ka realizuar një eksport të naftës të papërpunuar që kap një vlerë prej 82 milionë dollarë për vitin 2007. Rritja në eksportin e naftës, për vitin që lamë pas vlerësohet në 145 për qind në vlerë. Ndërsa, përsa i përket sasisë, eksporti i naftës së papërpunuar është vlerësuar në 257 017 ton për vitin 2007, me një rritje prej 91 për qind. Të dhënat vijnë nga ana e Qendrës Shqiptare të Tregtisë Ndërkombëtare (ACIT). Sipas përbërjes së këtyre produkteve që përpunohen për prodhimin e naftës, në pjesën më të madhe të tyre, ato kanë qenë naftë dhe nënprodukte të saj të nxjerra nga bitumet. Përsa i përket destinacionit të eksporteve të naftës, pjesa dërrmuese e tyre shkojnë në drejtim të Italisë. Vlera e këtyre eksporteve në fqinjin tonë perëndimor llogaritet në 47 milionë dollarë për vitin 2007, ose rreth 57.4 për qind e totalit të naftës të eksportuar. Vendin e dytë si vend destinacion për eksportet e naftës shqiptare është Turqia, me një total eksporti prej 12 milionë dollarë dhe pas saj vjen Kosova, me një total prej 7.6 milionë dollarë. Eksportet e naftës, sipas ACIT, në drejtim të Italisë kanë njohur një rritje për vitin 2007, krahasuar me 2006, me rreth 164 për qind, ndërsa në krahasim me vitin 2003 rritja e eksporteve në drejtim të këtij vendi shkon në 2772 për qind. Ndërsa, përsa i përket vlerës së importeve të naftës, gjatë vitit 2007 vlera llogaritet në 356 milionë dollarë. Nëse bëjmë një krahasim të importeve të naftës me eksportet, atëherë raporti në favor të importeve është 4.3 herë më i lartë.
***
Rritja e eksportit të naftës, që kryesisht është i orientuar drejt Italisë, ka ardhur në rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit pas futjes në treg të disa kompanive private. Por rafineria ende shtetërore e naftës që menaxhohet nga kompania shtetërore "ARMO", zë aktualisht në tregun vendës rreth 25 për qind të tregut. Brenda këtij muaji pritet që kjo kompani të privatizohet, duke lënë vetëm 15 për qind të aksioneve në pronësi të shtetit shqiptar. Me këtë privatizim i gjithë sektori i naftës në vend kalon nën administrim privat. Në të 9 muajt e parë 2007, "ARMO" ka realizuar të ardhurat në 11.664 milionë lekë, nga 9.853 milion lekë të programuar, ndërsa shpenzimet u realizuan 101.9% kundrejt programit të zhvillimit për këtë periudhë. Prodhimi, përpunimi i naftës dhe shitja e nënprodukteve të naftës, janë treguesi kryesor që ka ndikuar në rritjen e të ardhurave dhe fitimit për kompaninë publike të naftës. Kështu, gjatë 9 mujorit të parë u përpunuan 359.120 tonë, duke tejkaluar dukshëm planin. Në këtë periudhë, prodhimi "mall i shitur" në 9 muajt e parë 2007 u realizua 107.2%, etj. Eksportet, sipas drejtuesve të kompanisë kanë ndikuar gjithashtu në rritjen e të ardhurave, pasi për periudhën 9 mujore të 2007, ato arritën në vlerën e rreth 32,3 milion USD. Gjatë kësaj periudhe, kompania shtetërore ka eksportuar sasi të bitumit, solarit dhe koksit, ku në marrëveshjet me blerësit, vendosja e çmimit aktual të bursave ka ndikuar në shitjen e këtyre produkteve me çmim të favorshëm për vetë kompaninë ARMO.