E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti, turizmi shqiptar pas Armenisë

 

Forumi Ekonomik Botëror e rendit Shqipërinë në vendin e 92-të, nga 130 vende të studiuara

TIRANË- Ndërsa qeveritarët vazhdojnë të flasin me nota optimiste për turizmin në vend, forumet e specializuara ndërkombëtare flasin për të kundërtën. Duke iu referuar të dhënave të bëra publike nga Forumi Ekonomik Botëror, nënsekretari për Programin Politik në PS, Ervin Bushati u shpreh dje se turizmi shqiptar është larg parametrave të kërkuar, në një kohë kur pushuesit e huaj, por gjithmonë e më shumë dhe ata vendas, kanë mundësinë e zgjedhjes së lirë, në një treg konkurrues gjithmonë e më të hapur. Sipas studimit të fundit të Forumit Ekonomik Botëror për vitin 2008, turizmi shqiptar zë vendin e 92-të, nga 130 vende të analizuara, ndërkohe që fqinji ynë kombëtar, Mal i Zi renditet në vendin e 59 dhe Greqia në vendin e 22. Shqipëria renditet gjithashtu pas Maqedonisë e Serbisë. "Sot është koha që "euforia e turistit" t'ia lerë vendin realitetit të një qeverisjeje me këmbë në tokë. Partia Socialiste, në programin e saj qeverisës, do të ketë prioritet turizmin dhe rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, në kushtet e një konkurrencë të fortë rajonale, nëpërmjet politikave dhe strategjive reale. Tabela shoqëruese e studimit, ilustron mbi situatën që është në përkeqësim nga viti i kaluar, tepër larg pretendimeve mediatike të qeverisë dhe Ministrisë së Turizmit. Analiza e saktë ndërkombëtare, jep mundësinë për një optikë krahasuese të gjendjes së turizmit në vendin tonë. Kjo arrihet nëpërmjet studimit të kujdesshëm të disa faktorëve dhe politikave të kombinuara, si: Infrastrukturë, Burime Natyrore dhe Njerëzore, Siguri, Higjienë, Ligje dhe Politika Turistike etj.",- tha dje Bushati. Duke iu referuar tabelave të publikuara, Bushati sqaroi se Shqipëria shënon me keq në faktorët e "Klimës se Biznesit dhe Infrastrukturës", ku renditet në vendin e 105-të. Në "Burime Natyrore, Kulturore dhe Njerëzore" Shqipëria është paraqitur më mirë, duke u renditur në vendin e 71. Në listë, para nesh, janë vende si Kazakistani, Armenia, Bostwana, Uzbekistani, Tanzania etj. "Varësia e turizmit nga cilësia e mjedisit dhe e natyrës, duhet të shtyjnë një qeveri të përgjegjshme të rrisë mbrojtjen e tyre, nëpërmjet strategjive dhe politikave të qarta aktive",- tha Bushati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›