E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetim sekretarit të Përgjithshëm



Dashamir Biçaku

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes merret nën hetim për dhënien abuzive të lejeve të importit për lëndët plasëse. Lajmi konfirmohet nga burime të policisë së Tiranës, të cilat thanë se veç dy ish-zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Ushtrisë, të arrestuar me akuzat e korrupsionit, në hetim është edhe sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, mësohet se Adriatik Mema, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, dyshohet të jetë përfshirë në dhënien abuzive të lejeve të importit dhe të transportit të lëndëve plasëse për kompanitë private që ofronin ryshfet. Dy ish-zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë, Koloneli Kadri Suli dhe drejtori Shkëlzen Madani, akuzohen se kanë kufizuar dhënien e lejeve të importit dhe të transportit të tritolit duke pajisur me licencë vetëm dy firma, të cilat në këtë mënyrë kanë siguruar monopol dhe fitime marramendëse, pasi konkurrentët e tyre nuk kanë mundur të marrin licencë. Në këtë mënyrë, sipas hetimeve, zyrtarët e arrestuar pajisën me licenca vetëm subjektet “Nitromak Albania” sh.p.k dhe “Geoconsult” sh.p.k, të cilat u detyroheshin zyrtarëve të arrestuar në shumën e 2 mijë eurove ryshfet për çdo ngarkesë me tritol që fusnin në Shqipëri. Zyrtarët e arrestuar për korrupsion, Shkëlqen Madani dhe Kadri Suli, nxirrnin pengesa burokratike për kompanitë e tjera, duke përqendruar në këtë mënyrë biznesin e tritolit vetëm tek dy kompanitë që kishin paguar ryshfet. Bizneset që kishin siguruar monopolin përmes zyrtarëve shtetërorë, u detyroheshin atyre të paguanin ryshfet për fitimet marramendëse të siguruara.
Abuzimi me qiratë
Abuzimi i zyrtarëve të ushtrisë dhe mbrojtjes nuk mbaronte me kaq. Koloneli Kadri Suli, ish-shef i Komandës Së Furnizimit pranë Shtabit të Përgjithshëm, që kishte nën varësi magazinimin e lëndëve plasëse, dyshohet se ka abuzuar me dhënien e magazinave të ushtrisë me qira për kompanitë private. Magazinat me të cilat është abuzuar ndodhen në fshatin Borizanë të Krujës. Ato u ishin dhënë me qira subjekteve që merreshin me veprimtarinë e importit dhe tregtisë së tritolit. Sipas hetuesve, në mënyrë të vazhdueshme çmimet e qirave të magazinave ushtarake ndryshoheshin nga komandanti i furnizimit në Shtabin e Përgjithshëm. Ai dyshohet se ka përfituar pagesa jashtë çmimit të qirasë nga kompanitë private që shfrytëzonin magazinat ushtarake. Vlerat e kërkuara nga zyrtarët e Mbrojtjes për importimin e transportin dhe pagesën e qirasë së magazinimit ishin të konsiderueshme, deri në 2 mijë euro për çdo rast. Sipas burimeve hetimore, dy mijë euro kërkoheshin nga zyrtarët për çdo leje importi të tritolit nga firmat private.

Verifikim skemës së licencave

TIRANE – Arrestimi i një drejtori të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Kolonelit të Forcave të Armatosura, si dhe zbulimi i abuzimeve që ata kanë kryer me dhënien e licencave, është bërë shkak që Prokuroria të verifikojë të gjitha vendimet e marra nga të arrestuarit. Ata mësohet se kanë pasur për kompetencë dhënien e licencave jo vetëm për tregtimin e eksplozivit, por edhe lejet e importit për mallra dhe aktivitete të tjera që kryenin kompanitë private. Sipas burimeve nga organi i akuzës, shërbimet e policisë janë në pritje të marrjes së denoncimeve të tjera rreth abuzimeve të kryera nga të arrestuarit. Ata dyshohet se kanë ndjekur procedura të paligjshme me qëllime përfitimi financiar edhe në raste të tjera. Një nga rastet për të cilat hetohen edhe Shkëlzen Madani, por edhe Kadri Suli, të arrestuar për korrupsion, është edhe pozicioni i tyre në ngjarjen e Gërdecit. Të dy ata kanë lënë gjurmë në veprimet e kryera nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura lidhur me demontimin e armëve në Gërdec të Vorës. Oficerët gjyqësore të Njësisë Task-Forcë kanë marrë në pyetje katër të arrestuarit, por ata mësohet se nuk kanë pranuar akuzat e ngritura ndaj tyre. Katër të arrestuarit e aksionit “Nitromak” pritet të dalin sot para Gjykatës së Tiranës, e cila do t’u komunikojë atyre masën e sigurisë “arrest me burg” të vendosur në mungesë.          t.s  

Provat shtesë në Kuvend, Prokuroria: Morëm kërkesën dhe po e shqyrtojmë
TIRANE – Mbërrin në Prokurorinë e Përgjithshme kërkesa e Kuvendit për materiale shtesë lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Kërkesa e Kuvendit është dorëzuar dje në organin qendror të akuzës. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila konfirmoi marrjen e kërkesës për të dërguar në Kuvend prova shtesë në mbështetje të kërkesës për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. “Prokuroria ka filluar shqyrtimin e kërkesës së Kuvendit, për të dalë më pas në një konkluzion rreth dokumenteve shtesë që do të vihen në dispozicion të Parlamentit”, thanë burimet nga organi i akuzës. Sipas tyre, pavarësisht deklaratave dhe pretendimeve të javës që shkoi, kërkesa për dokumente e prova shtesë ka mbërritur vetëm ditën e djeshme në organin e akuzës. Pas trajtimit të sajë në rrugën ligjore, mësohet se grupi i prokurorëve të dosjes “Gërdeci” është mble-dhur dje në një analizë lidhur me kërkesën e Kuvendit, për të vendosur rreth dokumenteve dhe provave shtesë që do t’i dërgohen Kuvendit në mbështetje të kërkesës për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu. Në një konferencë shtypi disa ditë më parë, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi se i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit republikan Fatmir Mediu, në formë autorizimi për ndjekjen penale të ish-ministrit të Mbrojtjes, për “shpërdorim detyre” lidhur me ngjarjen e ndodhur në Gërdec më 15 mars 2008. Atë ditë, në fabrikën e demontimit të municioneve, pronë e Mihal Delijorgjit, ndodhi një shpërthim i fuqishëm, si pasojë e të cilit humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit në Kuvendin e Shqipërisë, e cila u zhvillua të martën e kaluar, kryetari i Grupit Parlamentar të PR-së, Arjan Madhi, kërkoi që kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të shoqërohet dhe me dokumentacionin përkatës. Kërkesa e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Republikane është mbështetur edhe nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila kërkoi nga deputeti Madhi që të paraqesë me shkrim kërkesën për t’ia përcjellë më pas Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo e fundit mësohet se do të analizojë dokumentet që do t’i dërgohen Kuvendit, në mënyrë që kjo procedurë të mos cenojë sekretin hetimor të dosjes së tragjedisë së Gërdecit.                         tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›