E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja rrëzon ligjin e gjobave



Aristir Lumezi

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dje ligjin e qeverisë “Për para-pagimin e gjobave ndaj biznesit”, duke e cilësuar atë antikushtetues. Në një njoftim për shtyp nga zyra juridike e kësaj gjykate, thuhet se, “Gjykata Kushtetuese vendosi të pranojë kërkesën e subjekteve kërkuese, duke shfuqizuar si të papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë, pikën 2 të nenit 3 të ligjit nr. 9713, dt.16.04.2007, sipas të cilit, tatimpaguesit para se të paraqiten për shqyrtim gjyqësor, janë të detyruar të paguajnë 15 për qind të çdo gjobe dhe interesi”. Në këtë mënyrë biznesi nuk do të parapaguajë më gjobat që i vendosen para se ajo të ankimohet. Ishin shtatë shoqata biznesi që ankimuan pikën 2 të nenit 3 të ligjit nr. 9713, dt.16.04.2007, siç ishte Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri; Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë; Konfindustria/Konfederata e Industrive të Shqipërisë; Shoqata e Hidrokarbureve; Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri; Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqiptaro-Britanike dhe Dhoma Greko-Shqiptare e Tregtisë dhe Industrisë. Është hera e parë që Gjykata Kushtetuese shpall vendimin e saj në këtë formë, pa përfunduar zbardhja e tij. Duket se shkak është bërë drafti i ri që qeveria është duke përgatitur në të cilin përfshihet sërish parapagimi i gjobës nga ana e biznesit.
Biznesi
Në seancën e parë të kësaj çështjeje, përfaqësuesi ligjor i biznesit, Krenar Loloçi, paraqiti argumentet që sipas biznesit e bëjnë këtë ligj antikushtetues. “Shteti nuk mund të vjelë një gjobë pa vërtetuar më parë ligjshmërinë e saj, gjë që mund të bëhet vetëm përmes një rruge gjyqësore. Në të kundërt, ky është një cenim i së drejtës së pronës”, u shpreh Loloçi. Por pretendimet e biznesit kundërshtohen nga qeveria. Marsida Xhafellari, juristja e Këshillit të Ministrave, u mbrojt duke thënë se, ligji nuk cenon të drejtat e biznesit dhe nuk cenon të drejtën e pronës. “Duhet të ndajmë shpronësimin nga gjoba, pasi vetëm në rastin e parë kemi të bëjmë me cenim të së drejtës së pronës”, u shpreh Xhafellari. Neni 43 i këtij ligji, ka qenë dhe pika e debatit. Sipas tij, shtetit i jepet e drejta të vjelë 15 për qind të gjobës së një biznesi para se ky i fundit ta ankimojë atë në gjykatë. Gjobat vendosen nga inspektorët e administratës tatimore kur këta të fundit dyshojnë se një biznes ka fshehur taksat. Biznesi thotë se ky nen është antikushtetues, pasi ai bie në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës. Neni 41 përcakton qartë se, “ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publike. Ka qenë presidenti Moisiu, i cili nuk e dekretoi këtë ligj në fund të mandatit të tij vitin e kaluar. 

Reagimi i Biznesit: Ligji ishte pazbatueshëm
Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë dje ligjin e gjobave. Menjëherë pas marrjes së këtij vendimi, ka reaguar Shoqata e Ndërtuesve. “Ne e cilësojmë këtë vendim si një sukses të të gjithë palëve dhe grupeve të interesit që e ankimuan këtë ligj, por edhe të administratës tatimore për të cilën ky ligj ishte praktikisht i pazbatueshëm. Nga ana tjetër shprehim keqardhjen që u humbën shumë energji dhe para të taksapaguesve shqiptarë për të shfuqizuar nenet që cenonin kushtetutën e këtij ligji”, kanë  deklaruar dje për mediat përfaqësues të Shoqatës së Ndërtuesve.
Për vendimin e gjykatës janë shprehur edhe përfaqësues të Dhomës Amerikanë të Tregtisë. “Gjykata ka marrë në konsideratë ankesat e biznesit, duke i quajtur ato të drejta dhe kjo konsiderohet si një fitore e madhe e tyre. Kjo ndodh në një moment kur ligji i ri procedurave tatimore po diskutohet në komisione dhe për fat të keq nuk janë marrë parasysh propozimet e biznesit”, ka thënë dje për mediat përfaqësuesja e Dhomës, Floreta Luli-Faber. 

Ligji i ri i tatimeve: Pikat që ankimohen
Projektligji i ri “Për procedurat tatimore” ka rihapur sërish debatin mes komunitetit të biznesit dhe qeverisë. Pika më e debatuar e këtij projektligji mbetet neni i gjobave. Biznesi ka kërkuar që ky nen të hiqet. Sipas tyre, aplikimi i këtij neni do të ashpërsonte marrëdhëniet shtet-biznes. Heqja e këtij neni bëhet edhe më e domosdoshme po të merret parasysh edhe fakti që është hequr si shkallë apelimi, Komisioni i Apelimit të Tatimeve në Ministrinë e Financave, i cili kishte një farë pavarësie relative në vendimmarrje, pasi biznesi kishte përfaqësuesit e tij në të. Por debatet për këtë draft të ri janë zgjeruar edhe më tej. Gjatë shqyrtimit të projektligjit të ri në Komisionin e Ekonomisë, deputetët e opozitës kanë kundërshtuar shumë nene të tij dhe sidomos nenin që parashikon hetimin tatimor nga inspektorët te bizneset që dyshohen se kryejnë evazion fiskal apo krim ekonomik. Më përpara ky hetim kryhej nga Policia Gjyqësore. Sipas deputetëve të opozitës, ky nen nuk do të bëjë gjë tjetër, veçse do të komplikojë edhe më shumë marrëdhëniet mes tatimorëve dhe biznesit. Sipas projektligjit të ri, strukturat e hetimit tatimor kanë si funksion parësor mbledhjen e informacionit tatimor, hetimin tatimor dhe ndjekjen e zbatimin e masave shtrënguese. Sipas projektligjit të ri, punonjësit e njësive të hetimit tatimor gëzojnë atributet e Policisë Gjyqësore në përputhje me Kodin e Procedurave Penale dhe ligjin për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore. Në projektligjin e ri është përcaktuar se, nëse sipërmarrësit nuk paguajnë në kohë detyrimet e tyre, atëherë tatimorët kanë të drejtë që të sekuestrojnë pasuritë e këtij tatimpaguesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›