BSH, turizmi bën para më shumë se eksportet
22/03/2005 Sektori i turizmit ka punuar mirë dhe ka sjellë para 11 për qind më shumë se eksportet në ekonominë e vendit. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, turizmi ka gjeneruar rreth 673 milionë dollarë flukse të ardhurash në shërbime ose rreth 11 për qind më shumë se eksporti i mallrave. Duket se ky është zëri dominant në grupin e eksportit të shërbimeve që përfaqëson dhe flukset e hyrjeve të parave dhe valutave që sjellin të huajt ose shqiptarët për shërbimin që u sigurohet në vend. “Rritja vjetore e të ardhurave nga turizmi është influencuar nga rritja në numrin e shtetasve të huaj dhe emigrantëve si dhe rritje e moderuar në shpenzimet ditore”, ka bërë të ditur Banka e Shqipërisë. Përballë këtij treguesi, duket se etja e shqiptarëve për turizëm elitar, ka bërë që rreth 560 milionë dollarë të dalin jashtë kufijve në udhëtimet jashtë shtetit. “Shqiptarët kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë shtetit rreth 560 milionë dollarë, ose sa 58 për qind të totalit të dërgesave nga emigrantët”, bën të ditur Banka e Shqipërisë. Në krahasim me vitin e kaluar, të ardhurat nga turizmi janë rritur më shumë se shpenzimet e të njëjtës kategori shërbimi. Në fund të vitit, bilanci pozitiv i kësaj kategorie vlerësohej 112 milionë dollarë, nga 33 në vitin 2003. Ndërkaq duket se numri i turistëve që vizitojnë Shqipërinë dhe totali i shpenzimeve të tyre në destinacionet shqiptare, është shumë më i ulët në krahasim me vendet e tjera të Evropës Juglindore. Megjithatë, raporti i ekspertëve të Bankës Botërore pohon se, Shqipëria vitet e fundit po bën hapa përpara në këtë sektor. “Rritja për Shqipërinë është më e larta nga të gjitha këto vende (Evropës Juglindore) në pesë vitet e fundit. Kjo bëhet akoma më e qartë po të hedhim një vështrim te të ardhurat nga turizmi. Të ardhurat e përftuara nga industria e turizmit përbëjnë rreth 10 për qind të PPB-së që nga viti 2000. “Industria e turizmit mund të japë një kontribut të rëndësishëm për rritjen ekonomike dhe lehtësimin e varfërisë në Shqipëri, sidomos në zonat bregdetare, që janë me potencial të madh”, ka bërë të ditur Banka Botërore në raportin e saj të fundit. Duke iu referuar shifrave zyrtare për numrin e turistëve, mund të thuhet se ato kanë një rritje të qëndrueshme. Gjatë 2003-shit, rreth 155.422 turistë të huaj vizituan Shqipërinë dhe kjo shifër rezulton të jetë 27 për qind më të lartë sesa numri i turistëve për të njëjtën periudhë të 2002-shit.