E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hapja e ekonomisë, ne më të dobtit në rajon

22/03/2005  Banka Botërore i kërkoi Qeverisë të kishte kujdes me treguesin që siguron rritjen e qëndrueshme të ekonomisë

Ekonomia është rritur me 6 për qind në 2004-ën, por ajo që e ka ndihmuar më shumë ishin dërgesat e emigrantëve. Përpjekjet për të rritur eksportet dhe për ta bërë Shqipërinë të njohur me produktet “Made in Albania” në të gjitha tregjet evropiane, nuk ka dhënë rezultatin e duhur. Produktet dhe shërbimet tona nuk kanë patur shkallën e duhur të ekspansionit tregtar, duke bërë që Shqipëria të ketë nivel të dobët të këtij treguesi. “Megjithë rritjen në vëllimin e transaksioneve që ka karakterizuar zhvillimet në këmbime mallrash dhe shërbimesh, gjatë vitit 2004, indikatori i hapjes ekonomike të Shqipërisë vlerësohet në rënie”, bën të ditur në raportin vjetor për bilancin e pagesave, Banka e Shqipërisë. Këtë vit, hapja ekonomike e Shqipërisë llogaritet në nivelin 62 për qind nga rreth 66 në vitin 2003. Por ky është vetëm treguesi për sa i takon hapjes ekonomike për mallra dhe shërbime. Ndërkohë llogaritja e hapjes së ekonomisë vetëm për sa i takon mallrave që Shqipëria çon në tregjet e huaja, mund të thuhet se ka tregues edhe më të dobët. “Treguesi i hapjes së ekonomisë për sa i takon mallrave në 2004-ën është 35.5 për qind, nga 37.8 për qind të PBB-së që ishte në 2003-shin”, bën të ditur Selami Xhepa. Sipas analistit të ekonomisë, mund të thuhet se të gjitha vendet e rajonit e kanë këtë tregues në masën 100 për 100, ndërkohë që Shqipëria duket se nuk reagon aq mirë sa fqinjët. “Vendet me ekonomi të vogël e kanë këtë tregues sa masa e PBB-së, në mos më të madhe, sepse ky ndihmon në zhvillimin e ekonomisë”, thotë Selami Xhepa. Sipas Xhepës, Shqipëria ka tregues të dobët në krahasim me vendet e rajonit dhe statistikat e 2004-ës treguan se, pavarësisht rritjes së nivelit të eksporteve me 22 për qind, vlera më e lartë e PBB-së bëri që ky tregues të mbetej sërish i ulët. “Megjithëse Shqipëria vlerësohet si një ndër ekonomitë më të shpejta të rajon në vitin 2004, me një rritje ekonomike rreth 6 për qind për të dytin vit radhazi, shkalla e hapjes ekonomike lë ende shumë për të dëshiruar në raport me vendet e rajonit”, bën të ditur Banka e Shqipërisë në raportin vjetor. Ky raport publikohet pak ditë pas raportit të Bankës Botërore, ku duket se një nga pikat më të rëndësishme të sugjerimeve, adresuar qeverisë shqiptare, ishte dhe rritja e indikatorit të hapjes së ekonomisë si një tregues që ndihmon në rritjen afatgjatë dhe të qëndrueshme të ekonomisë. Sipas BB-së, ekonomia shqiptare ka patur një rritje të mirë ekonomike, por për këtë duhet t’i themi faleminderit emigrantëve dhe dërgesave të tyre. Eksportet nuk kanë patur fare peshë në këtë rritje dhe, nëse do të duam një të ardhme të sigurtë, eksportet duhet të ndryshojnë raportet e tyre. “Banka Botërore sugjeroi që t’i vihej theksi shkallës së hapjes së ekonomisë, si një tregues mjaft i rëndësishëm për ekonomitë e vogla dhe ato në zhvillim”, thotë Selami Xhepa. Kështu duhet që Shqipëria të jetë të paktën në nivelin e 100 për 100 si Maqedonia, Bullgaria apo Bosnja, dhe jo të mbetet tek 66 përqindëshi i deklaruar nga Banka e Shqipërisë. Tregues të lartë të hapjes së ekonomisë kanë dhe vendet zhvilluara si Holanda apo Irlanda, edhe pse për ato nuk kanë nevojë të kenë tregues të tillë, pasi ekonomitë e tyre janë të mëdha dhe të zhvilluara dhe nuk kanë nevojë për ekspansione tregtare, thotë Selami Xhepa.

Shkalla e hapjes ekonomike

Shqipëria 62%

Maqedonia 100%

Bullgaria 100%

Holanda 120%

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›