Pëllumbi takim me gjeneralin e NATO
22/03/2005 Kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, gjatë një takimi me përfaqësuesin më të lartë të NATO-s në Shqipëri, gjeneralin Pasquale Fierro, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s dhe të vendeve anëtare të saj, në procesin e integrimit të Forcave tona të Armatosura. Sipas një njoftimi për shtyp nga Kuvendi, në këtë takim, Kryetari Pëllumbi u shpreh se, procesi i transformimit të ushtrisë sonë mbështetet nga gjithë spektri politik parlamentar. "Reforma e thellë e ndërmarrë në ushtrinë shqiptare po realizon hap pas hapi standardet e NATO-s", u shpreh Pëllumbi. Ndërsa, Fierro theksoi se "Forcat e Armatosura shqiptare janë në rrugën e duhur për anëtarësim në NATO. Kryetari i Kuvendit pritet të zhvillojë sot një takim me Presidentin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Evropës, Xhovani Stasi.