Pensionistët e nëndetëseve fitojnë trajtimin special

22/03/2005 Janë 125 pensionistë, ish-oficerë në forcat detare dhe konkretisht në nëndetëse, që do të trajtohen me një pension suplementar nga shteti. Këshilli i Ministrave ka pranuar propozimin e një grupi deputetësh dhe ka hapur një fond prej 100 milionë lekësh të vjetra për një kategori punonjësish që kanë kaluar karrierën e tyre si oficerë në nëndetëse, duke patur në fund të punës një impakt negativ mbi shëndetin e tyre. Duke qenë një kategori oficerësh unik për pozicionin që kanë patur, Komisioni i Ekonomisë ka pranuar të miratojë fondin e trajtimit suplementar, edhe pse ky nuk do t’u jepet si pension nga Sigurimet Shoqërore, por si ndihmë nga shteti. “Pensionet janë fonde që mblidhen prej kontributeve të të siguruarve dhe ne nuk kemi mundësi t’u japim një pension shtesë, por këtë do ta bëjë qeveria me fondet e veta buxhetore”, ka thënë përfaqësuesja e Sigurimeve Shoqërore në Komisionin e Ekonomisë. Deputetët kanë pranuar të miratojnë këtë fond, nisur nga fakti se ish-oficerët, tashmë pensionistë, kanë punuar në kushte shumë të vështira dhe pensioni aktual nuk mjafton për të përballuar shpenzimet e tyre të jetesës, por dhe të shëndetit. Kështu, fondi vjetor në dispozicion për çdo pensionist, do të jetë 800 mijë lekë të vjetra dhe ky fond do të akordohet çdo vit nga Buxheti i Shtetit.