Kryebashkiaku: Shteti, garanci para se të nisë çmontimin
POLIÇAN – “Nëse do të nisë procesi i çmontimit në Poliçan, atëherë shteti duhet t’u garantojë sigurinë qytetarëve. Duhet të jenë të siguruar për jetën, pronën private dhe ambientin”. Me këtë deklaratë të bërë publike dje, kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotka, i kërkon Ministrisë së Mbrojtjes garancinë, para se të nisë shkatërrimi i 113.7 kg lënde shpërthyese të rrezikshme, mes të cilave edhe 40 kg fulminant zhivë në ish-kombinatin e armëve në këtë qytet. “Kryeministri e ka informacionin e duhur dhe është e pajustifikueshme që kërkon të hedhë në erë depo të tilla, duke bërë rolin e neglizhentit”, u shpreh Kryetari i Bashkisë, Adriatik Zotka gjatë një prononcimi në “Top Channel”. Sipas Zotkës, krerët e Ministrisë së Mbrojtjes janë fajtorë për mosndërhyrjen në kohën e duhur për shkatërrimin e këtyre lëndëve të rrezikshme. Ato ndodhen vetëm 500 metra nga banesat e qytetarëve dhe përbëjnë rrezik për jetën e tyre. Zotka e hedh dyshimin mbi pohimet e dikasterit të Mbrojtjes, se çmontimi nuk do të ketë problem nëse do të kryhet në këtë zonë. “Nëse nuk do të kishte rrezik shkatërrimi i këtyre municioneve në këtë zonë, atëherë pse na kërkohet një leje nga bashkia, kur më parë Ministria e Mbrojtjes ka vepruar pa leje të veçantë”, aludon Zotka, duke shtuar se kjo leje kërkohet për të përcjellë përgjegjësitë në rast se ka pasoja. Për këtë arsye, kryebashkiaku kërkon në emër të qytetarëve garanci para se të veprojë me çmontimin.