E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baba Amr pothuajse i rrafshuar

Zëvendësministri sirian i Naftës, Abdo Hussameddin, ka dhënë dorëheqje dhe i është bashkuar forcave antiqeveritare. Dorëheqja e tij vjen pas lajmeve se pjesë të tëra të qytetit Homs pothuajse janë rrafshuar me tokë nga forcat qeveritare.

Dorëheqjen e tij zëvendësministri Hussameddin e ka bërë të ditur përmes një videoje të postuar në YouTube. Është ky zyrtari më i lartë sirian që e braktis presidentin Bashar al-Assad që prej fillimit të kryengritjes popullore kundër diktaturës së tij.

Ai ka njoftuar për kalimin në anën e popullit në kohën kur, menjëherë pas vizitës që i bënë qytetit Homs punonjësit humanitarë të OKB’së pohojnë se pjesë të tëra të qytetit janë rrafshuar nga forcat siriane të sigurimit.

Ndryshe, ushtria siriane depërtoi të premten në lagjen e rrënuar Baba Amr, e cila u pushtua pas një muaji bombardimesh, gjatë cilave, sipas vlerësimeve të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, janë vrarë mes 700 dhe 1,000 civilë.

"Brutaliteti me të cilin ushtria veproi në zonën e Baba Amr dhe ndaj banorëve të atjeshëm nuk do ta shuaj kryengritjen. Përkundrazi, ajo vetëm sa do ta radikalizojë shoqërinë siriane”, theksoi Sarah Lee Whitson, drejtoreshë e organizatës Human Rights Watch për Lindjen e Mesme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›