E Diel, 1 Nëntor 2026

Baba im, 116 vjeçar, Kadiu i Tiranës, vuri rregull në qytet

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Sabri Tefiku, mësuesi që e mësoi në ditët e tij të para në spitalin civil

Burrë e grua të bashkaur sa për fotografi. Gruaja gjendej në Francë tek djali i saj dhe gjatë kësaj kohe shkon atje edhe Qazimi. Në foto janë me fëmijët dhe nipat e mbesat e tyre si dhe dhëndrin.

Hasan Bakalli u martua 5 herë, nuk i rronin gratë. Djalin e fundit e bëri 107 vjeç

Gjykatësi i Mbretit gjykonte mbi Sherihatin, ligjin turk për të cilin kishte studiuar

Historia e familjes së tij është ajo e njërës prej familjeve më të vjetra tiranase, me tradita. Në njërën nga pesë shtëpitë që u la babai (e zhvendosur paksa më tej nga e vjetra 2000-vjeçare - aty ku sot ndodhet ”Shtëpia e Birrës”), në zemër të Tiranës jeton i fundit i 6 vëllezërve prej një mëme e një babe dhe një prej 24 fëmijëve të Kadiut të Tiranës- siç thirrej atëherë gjykatësi i qytetit, Hasan Bakalli. Qazim Bakalli, sot 88- vjeçar, pasi ka kaluar 5 infarkte dhe një hemoragji cerebrale, shpreson të jetojë edhe për shumë kohë akoma, falë besimit në Zot.

Historia e tij është nga më të rrallat, ashtu siç mund të presësh të dëgjosh nga një njeri në pleqëri të thellë e me një jetë shumë të pasur të të gjitha natyrave. Ndonëse të folurit i pengohet pak nga paraliza që ka kaluar para disa kohësh, ai e quan një mrekulli që i është kthyer kjo aftësi. Dhe ja se çfarë na tregoi shtruar, aty në shtëpinë e tij të mbushur me libra, dekorata e simbole fetare.
”Babai im ka qenë hoxhë. Hoxhë domethënë mësues i ligjit. Ai ka jetuar 116 vjet.“ Kështu e nis rrëfimin e tij doktor Qazim Bakalli.- Baba ishte Kadiu i Tiranës, që atë kohë vinte i dyti pas Mbretit.“ Ndërsa përpiqemi të bëjmë lidhjen mes rrëfimeve të të moshuarit dhe shënimeve në fotografi për t i saktësuar, gjejmë përkimin me shënimin pas fotos së Kadiut: 1834-1950. Doktor Bakalli thotë se i ati ka punuar deri në fund të jetës dhe ka dalë në pension në kohën e diktaturës. Ai kishte studiuar turqishten, pastaj kishte shkuar në Turqi ku ishte specializuar për legjislacionin turk, Sherihatin. Më pas kishte vijuar specializimin në Iran. Hasan Bakalli njihej si specialisti i parë për Sherihatin në Shqipëri, sidomos në fushën e legjislacionit për pronësinë. Por në duart e tij kishte kaluar e gjithë jeta e kryeqytetit. Aty, para tij lidheshin dhe zgjidheshin jetë njerëzore, martesa e divorce. Nuk kishte asgjë të ngjashme me imazhin e gjykatësit të sotëm. Qazimi kujton se baba i tij kurrë nuk mori rryshfete dhe për të thoshin se ishte kaq i pastër fizikisht dhe shpirtërisht, saqë kur binte miza, bënte mjalt. Ishte një njeri që kurrë nuk u përfol dhe vuri rregull në jetën e qytetit me vendimet e drejta, duke ulur kriminalitetin e çdo forme dhe duke ndikuar në forcimin e marrëdhënieve të pastra të njerëzisë.
Por jeta e tij familjare nuk kishte kaluar pa andralla. Pesë herë ishte martuar se gratë nuk i rronin. Kështu, martesë pas martese, ai e shtoi familjen që numëronte e tëra 81 pjesëtarë. ”Vetëm me nënën time, baba bëri 6 djem (mes tyre unë) dhe një vajzë,- thotë- Të gjithë u shkolluan në shkollë fillore (se më tepër se kaq nuk kishte atëherë). Doktor Qazimi tregon me dorë godinën e Pedagogjikes, sot shkolla e mesme ekonomike. Në atë kohë, shkolla fillore ishte 6 vite, por mund të merreshin edhe dy vite brenda një viti duke dhënë provimet. Kështu, Qazimi e mbaroi shkollën në 4 vjet, para se të vinte Fulci, të cilin e kujton si një njeri të madh, që fartkeqësisht do ta etiketonin më pas agjent. Pas shkollës fillore, Qazimi ndoqi Liceun e Shtetit që gjendej përballë Bankës Kombëtare. Ndërsa më 1939 shkon në Bolonjë me studime për mjekësi. Por, befas u kthye në atdhe...

“Nëna më vdiq në lindje. Nuk kam foto të saj”
Babai i tij ka lindur në vitin 1834. Vetë Qazimi, 88-vjecar ka lindur në vitin 1921. I ati i tij në martesën e tretë e ka bërë Qazimin kur ka qenë 87 vjeç! Gjithsej 24 fëmijë. Por Qazimi nuk ishte as më i vogli i fëmijëve. “Nëna ime ishte e treta ndër gratë e babait,- thotë ai.- Pas meje, ata patën edhe një fëmijë tjetër, djalë, në lindjen e të cilit nëna ime vdiq. Kam mall të madh për të dhe nuk kam as një fotografi që t ia shikoj portretin. Nuk e mbaj mend, isha vetëm dy vjeç kur ajo vdiq. Por në atë kohë, për shkak të fesë, të një bestytnie pa vend, gratë nuk lejohej të dilnin në fotografi”, kujton ai. Fytyrat e tyre kanë humbur në kohë. Ndërsa nga martesa e katërt, babai i tij, Kadiu i Tiranës, solli në jetë edhe dy djem të tjerë. Të fundit, kur ishte në moshën 107-vjeçare. Vëllai i fundit i familjes së madhe Bakalli duhet të ishte 60 vjeç sot. Me gruan e pestë Kadi Hasani nuk pati më fëmijë, por rriti si të tijën një vajzë që e shoqja e solli me vete.

Fëmijët dhe nipat
Krenaria për violinën e famshme të të birit në Francë
“Kam një mbesë që ndrin shtëpinë, që nuk e njohu i ati”

Doktor Qazimi solli në jetë tri fëmijë, një djalë dhe dy vajza të cilët thotë se as nuk i ndan dot për dashuri nga njëri-tjetri. Nuk ka të parë e të dytë, i ka të tërë njësoj. Edhe pse dikush arriti më tepër në jetë e dikush më pak. Kështu, djali i madh i tij, të cilit i ka vënë emrin e të atit, Hasan, u bë artist më famë në Francë. Në një qytet pranë Gjermanisë ai jep mësim si pedagog violine. Pasi kishte mbaruar shkëlqyer Institutin e Lartë të Arteve, Hasani i ri kishte punuar për shumë kohë si pedagog në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe vetëm pas 90-s ishte larguar drejt Francës. I biri i tij ka ndjekur po atë rrugë. Gjysh Qazimi mban mbi tryezë botimet e mediave franceze për të birin dhe nipin, Marlenin (që do të thotë lind i mbarë) koncertet e tyre në Francë dhe takimet me presdintin e këtij vendi. Në mur, fotot e koncerteve.
Ndërsa djali i dytë i Hasanit, Bengu (tingulli i parë, sipas filozofisë së Krijimit të botës nga klithma e një zogu), i ka ngjarë të gjyshit. Zotëron disa gjuhë të huaja dhe tani ka shkuar në Kinë për të mësuar edhe gjuhën e këtij vendi.
Ndërkohë, vajza e tij, e madhja, e cila ka mabaruar gjithashtu shkëlqyeshëm për piano dhe dirigjim, pas vitesh karriere në Tiranë ku ka qenë mes të tjerave dhe drejtoreshë e Pallatit të Kulturës para viteve 90, jeton sot me familjen në Itali, dhe punon sekretare në një ndërmarrje. Një punë jashtë natyrës së profesionit të saj. Ndërsa vajza e dytë, fëmija më i vogël i tij, ndonëse babai nuk e quan kurrë zhgënjim, nuk ia plotësoi ëndrrat. Ai kishte menduar për të, që do të merrte rrugën e tij, do të bëhej mjeke e zonja. Mirëpo ajo pas tri vite studimesh, i braktisi ato. “Edhe dashni, edhe mjeksi nuk bëhen në një kohë”, thotë doktor Qazimi.- Madje asnjëherë nuk bëhen në një kohë dy gjëra të mëdha e të rëndësishme. Ajo u mor me dashni dhe la studimet. I dashuri i saj kërkonte një fëmijë prej saj kur kushtet nuk ishin. Ajo e solli në jetë disa kohë më pas, por ai nuk iu përgjigj detyrimeve. E telefonoi nga Italia dhe kur dëgjoi në telefon zërin e foshnjes së tij, nuk pyeti një herë se ç është ky fëmijë që qan”. Pas kësaj, nuk u bë më i gjallë. Por gjyshi Qazimi është tepër i lumtur për këtë krijesë të mrekullueshme që i solli e bija, edhe pse jashtë kurore. Vajza rreth 8-10 vjeçe hyn e del nëpër shtëpi si hare e tij, me bukurinë e pazakontë të një zonjushe të vogël si të pikuar nga qielli apo si e bulëzuar nga burime nëntokësore. Dhe e shkëlqyer në mësime. Ajo jeton me të ëmën dhe gjyshen, një kat sipër gjyshit. Nuk para hyn aty, nuk ka qejf e gjyshja që ajo t i bëjë shoqëri plakut, të cilin e përflet shumë për moral. Edhe e vogla bën sikur mban inat, por ai është i kënaqur që ka mundësi ta shohë përditë, t i hapë portën, ta thërrasë kur dikush vjen.
Vajza e vogël (ajo me të cilën ai ka dalë fotografi kur ajo ishte foshnje), e shikon të atin plak përditë nga pak. Zbret shkallët, i bë pazar, ndonjëherë i gatuan diçka, por kaq. “E ëma vazhdon të jetë edhe sot diktatore dhe imponuese me fëmijët. Ajo nuk i lë të vijnë të rrinë tek mua,- thotë ai.- Fëmijët edhe kur kanë një vit pa më parë, vijnë nga jashtë shtetit, rrinë 15 minuta tek mua pastaj ngjiten sipër, rrinë atje, hanë e pinë tek e ëma. Megjithatë, ai ndihet me fat që janë afër dhe mund t u ndiejë çapitjet në tavan.”

“Ju tregoj jetën time si guerrilas, grupin e pionierëve që drejtoja ku ishte Ramizi dhe aksionin e futjes së radiotransmetueses së parë”

“Orët e ankthit në hotel Brindizi ku fjeta mes gjermanëve”
Më 43-shin solla në Shqipëri radiotransmetuesen e parë. Korruptova doganierin”

Pranverë 39. Në atë kohë, rinisë shqiptare iu bë thirrje të kthehej në atdhe. ”U ktheva sepse pas fesë është atdheu,- thotë Qazim Bakalli. -Më 1 prill 1939 u përfshiva me Lëvizjen, -tregon doktori plak. Por jeta e malit ishte vetëm një periudhë e shkurtër. Qazimi bënte jetë guerrilase. ”Aksionet tona ishin brenda në qytet,- rrëfen ai.- Unë kam qenë në atë kohë pjesëtar në 10 grupe antifashiste, mes tyre në grupin e rinisë, në njësitin gueril, drejtoja edhe një nga grupet antifashiste të pionierëve, që ishin të organizuara sipas lagjeve. Ishin si ”Debatiku”, që njihni, kujton ai. -Ramiz Alia atëherë pionier, ishte pjesëtar i grupit që drejtoja. Gjithashtu, Qazimi ishte edhe pjesëtar i grupit universitar si dhe i disa grupeve të tjera, që kishin anëtarë edhe jashtë atdheut.
Meqenëse ai studionte në Itali, Partia e kishte ngarkuar me një detyrë: Do të shkonte në vendin fqinjë për të dhënë dy provime dhe atje do të takonte edhe një person në Milano. I dhanë adresën dhe një shumë të mirë parash. Atje do ta priste një italian i lidhur me Lëvizjen. Ai do t i jepte një radiotransmetuese. E bleu dhe u nis për kthim.
Zoti më ka ndihmuar,- thotë Qazimi, -ndërsa nis të tregojë peripecitë e këtij aksioni të madh. –Nuk e harroj anthin e udhëtimit me tren nga Milano për në Brindizi për 1 ditë e gjysmë. Me vapor qe e pamundur të udhëtoje për shkak të bombardimit të nëndetëseve angleze. Duhet ta dini, se anglezët janë armik i gjithë njerëzimit. Më në fund, mbërrita në Brindizi, nga ku do të nisesha për në Durrës. Atje nuk nisej asnjë vapor për një javë. Për një javë qëndrova atje me valixhet dhe radiotransmetuesen. Gjermanë të rinj 16-17 vjeçare, që niseshin drejt frontit për në Azi, më kalonin fare pranë. Ndërsa netëve, për një javë në hollin e një hoteli kam fjetur bri tyre, duke pasur në gjoks një komunikatë dhe në brez një revolver. Romel, komandanti i gjermanëve flinte pranë meje. Tani kjo skenë më kujton atë filmin ku aktori komik flinte mes gjermanëve.” Më në fund e njoftuan, se vapori për Shqipëri ishte gati. Gjatë kësaj kohe, bagazhet e udhëtarit qëndronin në një ndërtesë. “Kur shkoj atje të marr valixhet dhe radiotransmetuesen time, më thonë: ”I kanë marrë!”. Si i kanë marrë?”, thashë i tronditur. Pastaj, më drejtuan tek një dhomë e gjatë ku ishte një tavolinë dhe disa rrafte. Atje ishte doganieri dhe një tjetër me kapele republike, spiun italian. ”Kur pashë valixhet e mia dhe radiotransmetuesen, aty mendova: ”Mora fund”. I them doganierit: ”Zotni, unë jam pronari i këtyre”. Ai më thotë: “Hapi valixhet: Të shohim ç ke brenda; ar apo armë?” I thashë që më ka humbur çelësi. Pastaj, ai vuri dorën mbi radiotransmetuese dhe më tha me qesëndi: ”Radiotransmetuese ë?!...E pashë në sy dhe pa rënë në sy të spiunit, u afrova dhe i thashë: ”Unë jam mjek (edhe pse ende nuk kisha mbaruar studimet) dhe më duhej kjo pajisje. Është radiomarrëse. Dhe ndërkohë i zgjata 5000 lireta, që në atë kohë me kaq para një student në Itali kalonte një muaj me ushqim, dhe me shlyerjen e të tëra pagesave të tjera. Ai i futi shpejt në xhep dhe me shkumës të verdhë, shkroi sipër V, që do të thoshte se bagazhet ishin parë dhe ”kalon”. Por megjithatë, Qazimi që nuk harron asnjëherë të falenderojë Zotin, kujton se në këtë aksion e kishte ndihmuar fakti që italianët janë njerëzorë e sado që lufta është e rrezikshme, rreziku zbutej prej natyrës së tyre. Ndërsa gjermanët nuk të falnin, por ata në atë kohë nuk dinin ku kishin kokën, -thotë ai. -Ishin hall më vete e nuk e kishin mendjen tek unë. Kështu me gjithë radiotransmetuese dhe më dy valixhet u gjenda në vapor, ku për fat të madh, nuk pati kontroll. Megjithatë, frika nuk më la të vija gjumë në sy. Atje takova një shqiptar që ishte me lëvizjen dhe i kërkova ndihmë. I thashë: “Merre ti një vegël nga radiotransmetuesja, që të mos merret vesh se ç është.” Ai ma ktheu: “Vetë e more përsipër, tani mbaje.” Pas lufte, ky njeri ka qenë prokuror,- kujton Qazim Bakalli, ishte anëtar partie dhe spiun i rregullt. Ka marrë më qafë shumë njerëz. Ishte me origjinë prej Shkodre...
Kur mbërrita në Durrës, kujtova se shpëtova, por jo. Këtu ishte më e keqja. Sapo zbrita në port, më thanë: “Si e ke emrin?” Qazim Bakalli,- u thashë. “Qazim Bakalli ë? Ai që ka marrë detyrë të sjellë radiontrasmetuese!”. Katër spiunë më rrethuan në çast, -kujton ai.- Aty thashe se nuk do shpëtoja më, por pas pak, njësiti gueril që mbulonte veprimet e mia mbërrin aty dhe kur pashë grykën e kobures anash shpinës së njërit prej spiunëve, m u duk të them të drejtën, si grykë topi. Doganieri që ishte spiun, u zverdh, u bë dyllë, u mbulua me djersë dhe tha me nxitim: “Po, po, kalon. Shoni, shkoni”. Kur erdha në Tiranë, në shtëpinë tonë që është bërë kishë katolike, gjeta aty vëllain e Vasil Shantos, një nip i babës tim. Më tha: “Të të lëshoj një deklaratë për këtë shërbim që i ke bërë lëvizjes?” Unë atëherë i thashë: „E ç po më duhet mua deklarata”. Mirëpo disa kohë pas luftës, ia kërkova dhe ai bëri të paditurin.
Kështu Qazim Bakalli, student 21-vjecar në Itali, solli për herë të parë në Shqipëri më 1943-shin, një radiotransmetuese, një aksion i vështirë në shërbim të lëvizjen antifashiste.

Mes luftës dhe besimit
Do të më vriste ndërgjegjja, po të kisha vrarë në luftë
Pak këtij rrëfimi të gjati e pyesim doktor Bakallin: “Si ka mundësi, edhe njeri fetar, edhe pjesëmarrës në luftë? A nuk do t ju vriste ndërgjegjja, të vrisnit njerëz?” “Zoti thotë që kur të sulmojnë pasurinë, shtëpinë dhe familjen tënde, kthehu dhe lufto. Atdheu është pasuria, shtëpia e familja jonë” Më tej na pohon se sot do ta kishte vrarë ndërgjegjja ndëse do të kishte vrarë qoftë edhe një gjerman. “As nuk isha i përgatitur shpirtërisht për të vrarë...” Ndërsa na rrëfen këtë përsiatje për rrjedhën e ngjarjeve dhe filozofinë e luftës së një besimtari, doktor Qazimi pohon, se kur je tepër i ri, shpesh lufta të duket një punë e thjeshtë, nuk mendon as që duhet të vrasësh, as që mund të vritesh. Rinia ka iluzione, vështirësitë i kalon pa menduar thellë. Dhe shton: “E vetmja luftë e drejtë është ajo që sjell paqe e shpëtim për popujt. Në Kuran përmendet shpesh fjala “Selam” që do të thotë “Paqe”.

Çdo ditë mes librave të shenjtë dhe literaturës mjekësore
Thotë se ka nevojë akoma për dituri dhe dituria është bekim

“Ai që nuk pranon Krishtin si Muhametin, ai as mysliman nuk është...Kurani e përmend 5 herë në 5 kapituj Krishtin (Isai) dhe 3 herë Marien.” Kështu na thotë ndërsa në përcjell tek porta doktor Qazim Bakalli.

Në raftin e tij janë edhe Ungjilli edhe Kurani. Doktor Qazimi i lexon çdo ditë këta libra të shenjtë, krahas literaturës shkencore mjekësore dhe librave në gjuhë të huaj. 7 libra të hapur mbi tavolinën e bukës, tryezën e shkrimit dhe shtratin e tij, ishin bota ku vërtitej atë ditë qe ne e takuam. Duke iu rikthyer leximit të librave fetarë, thotë se ka gjetur shumë pika të përbashkëta mes Biblës dhe Kuranit, gjë që e ka entuziazmuar dhe vazhdon ta entuziazmojë akoma, pasi siç thotë, “kjo më bind se fjala e Zotit është Një”.
Shtëpia e tij është një mikromjedis i çuditshëm ku përzihet fryma fetare me frymën akademike. Herë ke përshtypjen se je në shtëpinë e një personi që ndjek rituale fetare, herë se je në shtëpinë e një dijetari. Muret të mbushura me copëzat e kohës, diku piktura e shtëpisë së tyre të vjetër, dhuratë e A. Bashës, vëllait të dhëndrit të Qazimit, diku dekoratat e luftës, më tej medaljet dhe dëshmitë e nderimit si Doktor i Mjekësisë, copëza gazetash për karrierën e të birit violinist në Francë, flamuri kombëtar, Meka në sixhade, syret, kapituj të Kuranit në një copë më gërma të ndritshme, foto të reja e të vjetra familjare dhe në ballë të tyre, portreti i babait, Hasan Bakallit, ish-Kadiut të Tiranës, që vinte i dyti pas Mbretit, bashkë me shkopin e tij, që i biri e ka kujtim të çmuar. Shkopi qëndron i varur në mur qëkur i ati u largua nga jeta.
Doktor Qazimi është një besimtar mysliman i devotshëm, por brenda devocionit të tij ka edhe një tolerancë të madhe fetare. Gjatë viteve të rinisë së tij tregon se frekuentonte kishat në vendet ku jetonte si Itali, Jugosllavi, Rumani Bullgari, ku shkonte çdo të dielë, pasi në këto vende nuk kishte xhami ose ishte tepër larg. “E rëndësishme është që i lutesh Zotit,- thotë ai,- edhe pse për moshën i takonte të ishte një fanatik i fesë së tij. Megjithatë, ai nuk i ndahet ritualeve të saj që nga mosha 7-vjeçare. Agjëron rregullisht dhe pesë herë në ditë bën falje. Edhe pas mesnate.

Aksidenti dhe eksperimenti i profesorit
7 gjuhët e ruajtura pas përplajses në kokë
Doktor Bakalli nuk e shkon asnjë ditë pa lexuar; literaturë fetare e shkencore në gjuhë të ndryshme. Mendja e tij ruan frëngjishten dhe italishten si shqipen, pastaj anglishten, gjermanishten dhe gjuhët sllave; mes tyre serbokroatishten, bullgarishten dhe rusishten. Para 35 vitesh, ai pësoi një aksident me biçikletë. U godit në kokë. Mban mend kolegët e tij të mbledhur mbi të në diskutim a duhet ta hapnin kafkën e tij apo jo. Shefi, një njeri që u pushkatua më vonë, tha: “Ky di 7 gjuhë. Ta pyesim”. “Dhe ata nisën të më provokonin si mashkull me lloj-lloj sharjesh, secili në njërën nga gjuhët e vendeve ku kishin studiuar. Unë me sytë e mbuluar nga gjaku po u përgjigjesha të tërëve, pa ua lënë mangët. Atëherë shefi, të cilit nuk ia kujtoj emrin, tha: “Reagoi, nuk paska gjë”.Eksperimenti funksionoi.

“Ndërsa firmosja fletën për divorc, m u duk se firmosa vdekjen time”

Dashuria nuk pyet për të tjerat. Edhe doktor Qazimit ia mbylli sytë. Pavarësisht biografisë sterrë, Qazimi mori vendim të martohej me vajzën që për shumë vjet do të ishte gruaja e tij, atë që ishte më e bukura ndër shoqe. Kështu e shpjegon ai arsyen. “Ishte më e bukura vajzë e Tiranës. E njihja prej vitesh, sepse vinte tek ne, ishte shoqe me mbesën time. Ishte edhe mjaft inteligjente dhe e vuajtur.” Kështu, ai ishte tunduar fort, për ta pasur atë çdo ditë të jetës para syve të tij. Por me sa duket, fëmijëria e saj e tronditur nga dënimi i babait, do ta trazonte jetën e familjes së tyre. “Gruaja vuante nga çrregullime nervore,- thotë ai- dhe unë si mjek ndihem fajtor, sepse nuk kam treguar vëmendjen e duhur ndaj shëndetit të saj. Ajo më ankohej dhe unë i thosha: “Shko, ka mjekë plot.” Qazimi që ka kuruar gjithë botën, ndjehet fajtor një herë si bashkëshort dhe dy herë si mjek, sepse nuk i ka ofruar të shoqes ndihmën e duhur. Për rrjedhojë, jeta e tyre familjare, me gjendjet e saj ishte tronditur. Qazimi tregon shpërthimet e së shoqes edhe në mesnatë. ”Më gjuante me shqelma, ora 1 e natës dhe më thoshte: “Pse nuk më do ti mua?” Grindje edhe për gjërat më të parëndësishme, - thotë ai.- Pse e lë këtu, pse s e lë këtu”. Një mbrëmje, natën e Vitit të Ri, më hodhi gotën e kosit në fytyrë, më qërroi sytë,- thotë. -Atëherë zura ta rrihja”. Ai pohon me keqardhje se e ka rrahur disa herë të shoqen, por nuk mund të bënte ndryshe, sepse ajo kishte sjellje të padurueshme. “Ajo më vërviste sende, më godiste,- thotë.- E kam rrahur paq mëse një herë. E rrihja sepse më mbyste me fjalë. Por nuk krenohem për këtë. E quaj veten injorant dhe katil, edhe pse me gruan time ishte e padurueshme jeta. Nuk ka burrë që do të mund ta shtynte”.
E megjithatë, ai divorcin nuk do ta kishte dashur. Para 35 vjetësh (atëherë Qazimi duhet të ketë qenë 55 vjeç dhe e shoqja 43, mbërriti fleta nga gjykata. “Isha duke punuar bahçen e shtëpisë në atë kohë,- tregon Qazimi,- dhe as që e prisja diçka të tillë. Ajo e kishte marrë vendimin pa e biseduar më parë me mua. Ndërsa po firmosja thirrjen për në gjyq, m u duk se po firmosja vdekjen time”.
“Jam treguar injorant dhe katil që kam vënë dorë mbi të”
Ndihem fajtor përsërit doktor Qazimi. Jeta bashkëshortore më vjen ndër mend me ankth, sepse e kam shkatërruar, sepse shkatërrova jetën e fëmijëve. Grindeshim në mes të natës, ora 1.00, ajo niste të qante, qante natë e ditë, dimër e verë, ikte prej shtëpie me çorape. Ishte shumë xheloze.” Ai nuk thotë se bëhej kot xheloze, nuk thotë as që kishte të drejtë. Në vend të kësaj, thotë se shoferëve dhe mjekëve u ka dalë nami se shkojnë me femra, sepse kanë shumë kontakte me to. “Gruaja e një mjeku nuk mund të mos jetë xheloze,- thotë ai.- Por më vjen keq, që nuk ia kam respektuar sa duhet hallet e saj familjare, ajo ishte shumë e vuajtur. Ishte grua shumë e mirë, shumë punëtorë, e pastër, edhe inteligjente. Ka qenë mësuese, por kishte nervat një problem që ta bënte jetën të pamundur. Unë nuk i kam rrahur kurrë fëmijët, kurse ajo i rrihte vazhdimisht. Bëhej xheloze edhe për dashurinë time me fëmijët”.
“Gruaja e një mjeku ka gjithnjë arsye për xhelozi”
Gruaja ishte xheloze edhe për namin tim si mjek, - thotë ai.- Kur u ktheva pas 10 vitesh nga Burreli në Tiranë, këtu ishte mbushur me mjekë shumë të mirë. Por mua më kishte dalë nami dhe kur të del nami, nuk mbetet familje pa të thirrur. Kam bredhur gjithë Tiranën me biçikletë. Gruaja nuk i përjetonte mirë komplimentet apo ankesat e pacienteve. Pa le kur ndodhte t i shihte duke qeshur. Unë si i ardhur prej province isha i sjellshëm me tërë njerëzit dhe këtë ajo e quante dobësi timen.
Ai shton se xhelozia dhe mosbesimi i saj është kaq i madh, saqë dyshon për çdo rast. ”Nëse ajo merr vesh që ti ke qenë këtu, ose të shikon nga dritarja, do t i thotë së bijës, jo mua: “Qazimi vazhdon të jetë kurvar si i ri, si plak”.
Kanë kaluar 55 vjet nga koha e martesës së tyre. Edhe tani që ka kapur 76 vjeçe dhe ata janë të ndarë, ajo vazhdon të turfullojë nëpër shtëpi kundër tij. Qazimi na rrëfen se kjo është shtëpia e tyre, që ia ka lënë baba, kati i parë është i tij, ndërsa në dy katet sipër banon e shoqja. Nuk i ka fituar ato nga ndarja e pasurisë, por nga shitja e pronave të të atit, që kishte tek liceu. Me paratë e tyre ndërtoi po aty sipër tij, dy kate. (Po si harruam ta pyesim doktor Qazimin, që pse ajo vendosi t i ngrejë katet pikërisht aty, pasi qe divorcuar e jo gjetiu, apo mos ndoshta i kishte ngritur ato para se të ndaheshin?).
Sot, në moshën 88-vjeçare ai thotë: “Habitem se si ne, familje intelektuale, unë mjek, ajo mësuese, të dy nga familje me tradita, të arrinim në atë pikë sa të ziheshim me shapkë. Ajo vuante prej neurozave, por edhe unë nuk e përmbaja dot veten pas shpërthimeve të saj,- thotë ai.- Jemi treguar gjaknxehtë.”
E pyesim nëse i troket në derë ndonjëherë ish-gruas dhe a i dërgon ndonjë dhuratë. Doktor Qazimi përgjigjet: “Dhuratë? Pu, pu, pu! Ajo ta përplas fytyrës. Edhe plehrat kur ia gjej në oborr, ia derdh fshehurazi. Është tipi i saj që të bëjë gjithçka”. Ai përsërit se nëse nuk do t i kishte neglizhuar shqetësimet nervore të gruas së tij dhe ajo do të ishte kuruar, nuk do të kishin pasur divorc.

Doktor Qazimi: “Kam nevojë për dashni. Baba bëri seks deri në 114 vjet”
Pajtimi i pelqve dhe zënka e përsëritur
Gruaja iu gjend te koka pas infarktit, por një aventurë seksuale e 88-vjecarit e zemëroi sërish

Para një viti doktor Qazimi kishte shkuar në Francë për operacionin e prostatës. Por kishte kaluar në hemorragji cerebrale pas kësaj. Kishte humbur të folurin. Në këto momente, ish-gruaja e tij (ai e quan vazhdimisht “gruaja”) kapërcen zemërimin e akumuluar prej vitesh dhe vjen ta vizitojë. I zbret shkallët e shtëpisë si shkallët e inatit dhe i qëndron tek koka. E ushqen. Për muaj të tërë ajo i gatuante përditë. “Edhe më lante si fëmijë”, tregon Qazimi. Por kjo dashuri pleqnore nuk do të zgjaste shumë. “U ngarërruam prapë,- thotë ai, -pa dhënë ndonjë hollësi.
Kohë më vonë ai do të kalonte infarkt. Infarktin e pestë. E shoqja e bëri edhe një herë zemrën të madhe dhe sërish i ofroi kujdes. Por, disa kohë pasi e kishte kapërcyer gjendjen, doktor Qazimi me sa duket bëri një nga ato gabimet e rinisë. “Dola për shëtitje, pasi isha përmirësuar dhe rastësisht takova tek tregu një grua të cilës i kisha mjekuar nënën dhe babanë. Kisha hyrë në shtëpinë e saj vite shumë përpara, por nuk e mbaja mend, kurse ajo, po. Më takon rastësisht në rrugë, pasi më tregon se ishte divorcuar, më thotë që kishte probleme me shëndetin. I thashë që duhet ta vizitoja. Erdhi këtu në shtëpi. Nuk kisha asnjë paramendim,- tregon Qazimi,- pasi mjeku që nuk bën punën pa qëllime të tjera, nuk është mjek. Pasi e vizitova, ne nisëm të bisedonim. U pëlqyem dhe u ngatërruam...”, - thotë Qazimi.-Ndonjëherë të ngatërron shejtani”.
Këtë episod e shoqja e kishte marrë vesh, ndoshta përgjuar. Që nga ajo ditë, kur e shihte ish-bashkëshortin plak në rrugë, i thoshte: “Ku ishe? Shkove të takosh atë kurvën, kokëkuqen?...Që sot mos prit më asnjë shërbim nga mua. S ka më as mirëmëngjes, as mirëmbrëma”. Doktor Qazimi thotë se nuk e ka dashur ndonjëherë këtë grua që kishte jetë shumë të ngatërruar.
Megjithatë, ajo hera-herës vjen i bën shoqëri. E pyesim se si ka mundësi që u ngatërrua me këtë grua në këtë moshë të shtyrë, duke i dhënë sërish shkas për xhelozi gruas që e fali. Përgjigjja mund të duket nga ato lëvdatat e pleqve, por duke ndjekur me kujdes gjithë kronologjinë familjare, mund të arrish t i besosh gjërat ndryshe. Në rrëfimin e të moshuarit vërehen doza madje të tepruara sinqeriteti. “Kam nevojë,- thotë ai.- Unë jam burrë... Baba im ka rrojtur 116 vjeç dhe me gruan e fundit ka bërë dashni deri në 114 vjeç. Jemi racë e fortë. Po të ishit djalë, do të flisja ndryshe, por po ju them se ndihem si djalë i ri...(shpreh edhe vetë me një lloj habie, ndësa pohon se nuk ka përdorur kurrë ndonjë stimulues).
“Por tani ka 3 muaj që kam hequr dorë. Kam frikën e zemrës, kam kaluar 5 infarkte. Për këtë shkak, kam disa muaj që kam lënë edhe banjat me ujë të ftohtë që bëja çdo mëngjes. Edhe mjekët m i kanë ndaluar....” Të gjitha këto duken kaq të cuditshme! Apo jo?

VETMIA
88-vjecari: “Gatuaj për një javë, laj shtëpinë 3 herë në ditë”
Prej 24 vitesh doktor Qazimi jeton i vetëm mes mureve të lagështa të shtëpisë së tij. Ngjyra e suvasë e rrëzuar disa herë në pjesën e lagësht tregon të gjitha shtresat e viteve. Por burri 88-vjeçar nuk ankohet. Ka qenë shumë keq më parë. Tani është mirë,- thotë. Ma rikonstruktuan fëmijët kur erdhën nga jashtë, sepse këtu, çfarë binte jashtë, hynte brenda.” Por lagështia nuk është e vetmja mikeshë e tij. Vetmia është ajo që e mundon më tepër. E gjejmë duke ngrënë në një tigan të madh makarona me mish. “I bëj për një javë dhe i ha për gjithë javën”, thotë, ndërsa na tregon se si i ka gatuar. Si mjek që është, Qazimi ka një pasion të rrallë për rregullin dhe pastërtinë. Me këto duar fshij, laj dhe marr pluhurat tri herë në ditë,- na thotë. -Librat në veçanti duhen mbrojtur nga pluhuri, i prish”.

Margarita
Fotografinë e të dashurës bullgare, gruaja ime nuk ma grisi kurrë
Qazimi na ofron një foto tjetër: Një grua e moshuar, moshatare me të, i ka dërguar vite më parë një foto të saj. Ka dalë aty me të nipin. Është bullgare, ka qenë e dashura e tij përpara sesa të martohej. “Ishim moshatarë,- kujton Qazimi,- të dy 27 vjeç. E kam dashur, dashuri që zgjati rreth 1 vit, sa erdha këtu, por gruaja nuk u bë asnjëherë xheloze për të. Madje, edhe kur ia shihte një foto të rinisë, ku kishte dalë shumë e bukur, më thoshte: “Këtu ke ditur të zgjedhësh”. Kjo grua tashmë edhe vetë një e moshuar, quhet Margarita. Por Margarita nuk e ka trazuar kurrë jetën e tij familjare, mbeti një kujtim i rinisë. Pas kësaj, krijojmë një ide më të mirë rreth natyrës së xhelozisë së të shoqes. Nuk duhet të ketë qenë e sëmurë nga xhelozia. Edhe vetë Qazimi e pohon: ”Gruas sime i pëlqente pamja e kësaj gruaje dhe nuk e grisi kurrë foton e saj. Ajo grua nuk e bënte të ndihej xheloze, pasi kishte qenë një histori para njohjes dhe martesës sonë”.

Një ndër 5 mjekët e parë të pasluftës
Shqipëria kishte në atë kohë gjithsej 5 mjekë: doktor Rusin, doktor Sulën, doktor Selenicën (oficer), doktor Cimbin dhe doktor Qazimin. Dy prej tyre kishin studiuar ne Rumani dhe tre të tjerë në Itali, ishin pothajse një brez. Institucionet civile dhe ato ushtarake grindeshin mes tyre se kush t i merrte mjekët. “Ishim si ujët e pakët, -kujton doktor Qazimi.- Institucionet ushtarake, për të na pasur për vete, na morën ushtarë, ndonëse kishim kryer studimet e larta. Na mobilizuan dhe pas dy muajve na graduan ”kapiten”. Por nuk kemi bërë asnjë orë ushtri. Sot, nga këta mjekë të mëdhenj, jetojnë 3, ndërsa doktor Maksut Dërrasa (kirurg i madh) dhe Hysni Rusi (kardiolog i talentuar) nuk jetojnë.

Doktori i njerëzve të lirë dhe të burgosur në 70 vjet, Qazim Bakalli, tregon
Bekimi i shenjtë i babait më bëri të falja hasmin
“Si m u fanit babai me xhybe, kur do merrja vendimin për diagnozën e spiunit”

Ishte viti 1939. Hasan Bakalli, Kadiu i Tiranës, e thërret të birin, Qazimin dhe i thotë: “Ta shoh pak diplomën?” Ia dhashë dhe pas kësaj, ai më tha: “Merre një napolon floriri se e meriton. “Jo, - i thashë, -nuk e dua”. “Do ta marrësh”, më tha. Ma dha me imponim. Pas kësaj më pyeti: “Ca ke me ba?” “Çfarë të duash ti,- i thashë”. “Bëhu hoxhë”,- më tha baba. Unë ula kryet. Nuk ishte imponim, sepse në familjen tonë nuk kishte pasur kurrë asnjë formë dhune. Por ishte respekt. Ndër 81 vetë të familjes që ishin mbledhur, çohet vëllai i dytë dhe thotë: “Mor bab . S ka për tu ba si ti. Do bëhet një hoxhë katundi e do ta gjuajnë me patate”. Atëherë ai më pyeti: “Çfarë do mor bab?” “Mjek”,- i thashë. Babai u gëzua shumë. “Bëfsh hajr, bëfsh hajr!,- më tha” Ai e quante të shenjtë këtë profesion sepse kush shpëton jetë njerëzish shpëton njerëzimin. Pas kësaj, baba i kishte përsëritur disa herë: “Nëse viziton cilindo sa herë ka nevojë, njësoj si mu, bëfsh hajër! Nëse viziton me hile hasmin tim, qofsh mallku!”
Gjthë jetën kam vizituar çdo njeri si të ishte njeriu im”, tregon doktor Qazimi. Këtu zë fill një histori e veçantë e punës së tij. Ishte në atë kohë në Burrel dhe përveç njerëzve të lirë, duhet të vizitonte edhe të burgosurit. E kishin thirrur t i vizitonte në një rast, për të përcaktuar se kush ishte dhe kush nuk ishte i aftë për punë. Të burgosurit ishin shtruar në ambulancën e burgut, e sajuar si spital. Ishin “armiqtë e popullit”. “Kur u hap dera, pashë atje edhe vëllanë tim, por nuk i fola. Nuk lejohej. Ndërsa nisa mjekimin, mes tyre njoha njërin, të cilin kisha marrë vesh se kishte spiunuar vëllanë tim” . Sipas urdhrit të drejtorisë së burgut nisa t i vizitoja. Këtë njeri e pashë në sy, pa i thënë asnjë fjalë, e sy i thashë se e di që ti je ai që ke marrë më qafë vëllanë tim. Duke e vizituar spiunin, i cili ankohej se vuante nga zemra, dy mendje luftonin tek unë: Njëra më thoshte: “Futja se e ke në dorë”, tjetra më thoshte ndryshe. Duke u luhatur në këtë përplasje mendimesh mes hakmarrjes dhe ndjenjës së faljes, m u fanit baba, aty ngjitur me të burgosurin, në këmbë me xhyrbe, me shkop në dorë. Më vërente dhe nuk fliste. Më erdhi shpirti i babës pa më folur,- thotë me sytë e rrëmbushur në lot, doktor Qazimi. -Atëherë mora letrën dhe shkrova: “Vuan nga zemra”, edhe pse kisha bindje që ai njeri nuk vuante. I bëra tolerancë pikërisht atij, hasmit tim dhe vura në vend fjalët e babës. Vite më vonë, doktor Qazimi kujton se ky njeri do t i puthte këmbët.
Në burgun e Burrelit ishte drejtor një njeri i mirë i dalë nga lufta, por analfabet. Ishte vlonjat. “E pyeta drejtorin e burgut se çfarë kanë për të ngrënë të burgosurit”, tregon doktor Qazimi,- por ai m u përgjigj: “E di komanda”. Ia bëra të qartë se më duhej ta dija se si ishte trajtimi ushqimor, cfarë lloj pune i priste të burgosurit, sa orë në ditë dhe nëse rruga deri atje ishte me makinë apo më këmbë. Më vonë e mora vesh se më kishte gënjyer. Më tha me makinë, kur atje ata shkonin më këmbë, dhe ushqimi nuk ishte ai që më treguan.”
Pastaj zë fill një histori tjetër: “Një i burgosur me emrin Harri Panariti, i dënuar me vdekje, qëndronte në spitalin e burgut sepse sipas ligjit, ai duhej të mjekohej më parë sesa të ekzekutohej. Më tregoi një njollë në këmbë. Konstatova që ishte gangrenë. Për një javë nuk shkova në burg, sepse i gjithë qyteti priste prej meje. Prisja lindjet në maternitet. Kur u ktheva, më thanë që Harri ishte në birrucë. I them drejtorit që ai duhej nisur që atë ditë urgjent për në Tiranë për operim. Ai nënqeshi dhe tha: ”Ohu dhe ti. Do bëjmë mbledhje njëherë, e pas një apo dy jave mund ta çojmë në Tiranë. Ngula këmbë që duhej nisur sot, por ai nuk më dëgjoi. Atëherë shkova në postë dhe i shkrova një letër Ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut. Ajo që merrte letrat, shefja e postës ishte e Sigurimit, por qe grua-zonjë. Shkrova dhe orën, pagova dhe mora kuponin. Ndërkohë, pasi unë u largova, ajo kishte marrë në telefon drejtorin e Ministrisë së Brendshme Gjolekë Aliun dhe i tregoi. Ky i hipën makinës dhe vjen si rastësisht. Më thotë: “Doktor”, (nuk më thoshte asnjëherë në emër), si të venë punët?”. I tregova për letrën dhe ky ma kthen: “Pse nuk më thua mua?” Thërret pas kësaj në zyrën e tij drejtorin e burgut. Ky vjen duke dihatur sa nga nxitimi, sa nga pesha e madhe trupore, edhe nga meraku. Dhe i thotë: “Ka apo nuk ka të drejtë mjeku, urdhri i tij është i pakundërshtueshëm. Sepse ai përgjigjet për shëndetin e të burgosurve”. Me makinën e një ministri e çuan të dënuarin në spital urgjent, u bë operim, por ishte vonë. Nuk shpëtoi.” Doktor Bakalli pohon se regjimi vepronte në dy krahë: Nga njëra anë luftë klasash, nga ana tjetër, përgjegjësi për jetën njerëzore. I burgosuri shpresonte deri në minutën e fundit për ndonjë ulje dënimi, edhe kur ishte i dënuar me vdekje, e për këtë arsye, donte të mjekohej. “Jeta është shumë e shtrenjtë,- thotë mjeku- dhe për aq kohë sa e ka, njeriu shpreson deri në fund.”

Vëllai më vdiq në urgjencë, kur mjeku e infermierja bënin dashuri
“Ky mjek-spiun, me vdekjen e tij, inauguroi varrezat e Tufinës”

Pasi kishte shkelur me këmbë gjithë Shqipërinë, kudo ku kishte urgjenca mjekësore, më në fund Doktor Bakalli ndali në Tiranë. Në spitalin civil, sot Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ai ishte shef personeli, gjithashtu edhe dietologu që caktonte mënyrën e ushqyerjes së pacientëve në të gjithë spitalet, përshirë Sanatoriumin dhe Spitalin Ushtarak. “Përvec kësaj, kisha në ngarkim, ndjekjen e shëndetit të 25 të sëmurëve çdo ditë,- thotë ai,- ndërkohë që mjekë të tjerë, anëtarë partie, spiunë të Sigurimit, kishin në ngarkim nga 1 deri në 5 pacientë.” Këtu ai kujton një ngjarje të hidhur. Njëri nga vëllezërit e tij, me punë këpucar, ishte prekur nga ikteri (verdhëza). U paraqit në urgjencë. “Ishte ditë e dielë dhe ne përgatisnim dasmën e çunit të vëllait të tretë. Vëllai im atë ditë vdiq. Vdiq pakujdesisht, për shkak të mosmarrjes së ndihmës shëndetësore në kohë. Mjeku roje, Hektor Peçi, bashkë me një kryeinfermiere, po bënin dashni dhe i kishin lënë pacientët në mëshirë të fatit,- tregon doktor Bakalli.- Dhe ky njeri i Sigurimit, nuk pësoi asgjëkafshë. Ngjarja u mbulua dhe u quajt aksident”. Doktor Qazimi tregon se vite më pas, me vdekjen e këtij njeriu, do të inauguroheshin Varrezat e Tufinës. “Ai ka qenë i pari që është varrosur atje,- thotë Qazimi. Sot i vjen keq, se edhe pse vetë ishte mjek, nuk e kishte ndjekur shëndetin e njerëzve të tij. Ishte kujdesur për të gjithë të sëmurët, ndërsa ata i kishte lënë pas dore të tijët. Vdekja e të vëllait, dhe sëmundja e së shoqes e vrasin edhe sot. “Nëse do të ishte kuruar, nuk do të ishim dirvocuar”, thotë.

Lufta e klasave
Vjehrri, nxënës i Ajshtajnit u pushkatua, vëllai i “Grupit të Deputetëve” u burgos

Lufta e klasave e preku familjen Bakalli nga të tëra anët, si dallga që sulmon varkën nga të gjitha drejtimet. Vëllai i tij ishte dënuar dy herë me vdekje nga regjimi (por ia kishte hedhur me burg). Ai kishte marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste, dinte pesë gjuhë, kishte qenë nxënës i Fulcit. Por fill pas luftës, nuk kishte qenë për komunizmin dhe ishte bërë pjesë e “Grupit të deputetëve”. Faji i tij ishte përkthimi nga anglishtja i memorandumit të qeverisë nacionaliste. “E dënuan me vdekje, pastaj me 20 vjet,- tregon Qazimi.- Herën e dytë, e kishin transferuar në burgun e Burrelit, ku unë isha i vetmi mjek në të gjithë rrethin e Matit. Isha edhe mjek i burgut”
Ndërsa gruaja e tij kishte nga ana e saj, një tjetër peshë të rëndë. Babai i saj, Asim Abduraman Shpuza ishte pushkatuar si nacionalist. Ai nuk kishte pranuar të merrte pjesë në qeverinë e atëhershme komuniste. Asimi kishte qenë in xhinier kimist i shkëlqyer, kishte mbaruar në Gjermani, nxënës i Ajnshtajnit
në auditor dhe qe dekoruar me medalje ari. E shoqja e Qazimit, ishte vetëm 10 vjece kur i ati u pushkatua. Familja e tyre mbeti pa asnjë mbështetje, nuk u jepnin bukë, nuk u jepnin triska. Nëna e saj u katandis sa s ka më keq dhe jetonin me shitjen e disa punëve të dorës.
Familja e tij ishte e njollosur. Kur një vëlla dërgohet në burg, shpejt edhe tjetri e ka vendin aty. Por diktatura me doktor Qazimin u kursye. “Ndoshta ngaqë isha mjek dhe u duhesha, ndoshta ngaqë kisha qenë me lëvizjen antifashiste që nga ora e parë dhe ngaqë familja ime kishte qenë depo për ushqime e ilaçe për çetën e Dajtit”, thotë ai.
Ky lajm është publikuar: 04/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›