E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Dyshimet e mia për kartat”

Autori i Lajmit: red.
Intervista

Zoti Rama provim i vështirë ky ballafaqim për ju?
Për mua është privilegj që të kem mundësinë që të shpalos alternativën e rrugës sonë të re për Shqipërisë si gjithë Evropa para publikut, ekspertëve si dhe shqiptarëve që na ndjekin.

Zoti Rama duket se provimin e vështirë fushata nuk po ua jep me tematikën sesa me incidente si ai sot në Shijak, një incident i tillë ndodhi pak ditë më parë dhe në Tiranë. Duket ironike, pak ditë pas mitingut hapës në Tiranës ku ju iu drejtuat me një ton disi të rëndë përkrahësit tuaj që anatemoi kryeministrin e vendit dhe ju thatë se nuk jeni për të thënë poshtë, por jeni për të thënë rroftë e ardhmja. Duket se vizioni juaj për të ardhmen do të kalojë nëpërmjet këtyre imazheve. Si i komentoni këto dhe a do e ashpërsoni tonin rrugës?
Nuk heq dorë nga bindja ime e thellë se që të ndryshojë Shqipëria dhe që ky vend të bëhet vendi i aspiratave të të gjithë shqiptarëve duhet të ndryshojë rrënjësisht politika. Ndryshimi rrënjësor i politikës kalon nëpërmjet transferimit të pushtetit nga duart e një grushti njerëzish në duart e të gjithë atyre që duan të marrin pjesë në transformimin e vendit. Nëse ju përmendët faktin se sot jemi në një ballafaqim ku ka më tepër çështje konkrete sesa ka luftë të drejtpërdrejtë të stilit të vjetër unë mendoj se ky është kontributi i drejtpërdrejtë i Partisë Socialiste, dhe produkt i drejtpërdrejtë i kësaj mënyre të re të të të bërit politikë. Ne kemi përballë një kundërshtar të vjetër, politikën e vjetër të së shkuarës, kemi përballë atë shumatore oborresh familjare e klanore qe e ka marrë peng politikën në këto 18 vjet dhe unë nuk pres që të kemi prej tyre reagime si do dëshironim, dhe nuk pres që këta zotërinj të jenë në lartësinë e sfidës qoftë për sa i përket zhvillimit të vendit qoftë për sa i përket hapjes së politikës ndaj njerëzve. Unë pres jo vetëm këto që kanë ndodhur por dhe më shumë se këto dhe mos harrojmë se sot jemi në një fushatë, jemi në një proces ku Shqipëria do të vendosë por jemi njëkohësisht dhe përballë një të panjohure të madhe si ajo e infrastrukturës zgjedhore, e kartave të identitetit, e të drejtës së votës për çdo qytetar e qytetare, e lirisë për të vendosur dhe e ndershmërisë të procesit zgjedhor. Megjithatë unë e përsëris se ne nuk jemi këtu për të thirrur Poshtë Sali Berisha , Poshtë Partia Demokratike , Poshtë kundërshtari ynë por jemi këtu për të parë nga e ardhmja për të ngritur lart njëri-tjetrin duke ngritur lart vendin tonë, duke ngritur lart gjithçka që përbën ato vlera dhe virtyte të popullit tonë. Kjo është politika e re, ky është ndryshimi që ne po sjellim në jetën politike dhe këtë ndryshim do ta bëjmë nesër pjesë të qeverisjes së vendit.

Meqë folët për kartat, ju dhe partia juaj keni dhënë konsensusin për Kodin Elektoral për mënyrën se si shqiptarët të votojnë, për pasaportat dhe kartat e identitetit. Sot dëgjova nga partia juaj se nuk ka një mekanizëm për të verifikuar kartat e identitetit, dëgjojmë alarmin e selisë rozë deri në mundësinë e mosmbajtjes së zgjedhjeve në këto kushte. A shikoni një farë përgjegjësie tek ekipi juaj që ka negociuar për kodin elektoral?
Ky është një dështim i kësaj qeverie dhe përgjegjësi direkte e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Për herë të parë në historinë e demokracisë së re shqiptare, Qeveria ka pasur të gjithë kohën e nevojshme përpara sepse për herë parë falë opozitës sonë të re në mendësi dhe qasje ndaj problemeve të vendit, i është dhënë kohë përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore më shumë se kurdoherë tjetër. Mos harrojmë se deri në zgjedhjet më të fundit ishte minuta e fundit, e mëngjesit të fundit, para ditës së fundit, një minutë para fillimit të fushatës që vendosi rregullat e lojës. Kësaj radhe kanë qenë plot 9 muaj në dispozicion të qeverisë dhe kryeministrit. Dhe në rast se Qeveria dhe kryeministri jo vetëm që janë të papërgjegjshëm por janë dhe të prirur të deformojnë procesin duke penguar në vazhdimësi aksesin e barabartë të qytetarëve dhe duke bërë selektive, për të zmbrapsur zgjedhësit potencial të krahut kundërshtar, kjo është përgjegjësi që kryeministri nuk ka me kë e ndan dhe që bie tërësisht mbi supet e tij dhe kësaj qeverie.

Cili është tavani i pranueshëm për ju pra deri në çfarë pike do shkoni dhe më pas do thoni se procesi zgjedhor nuk mund të mbahet? Do të braktisni zgjedhjet?

Ne për asnjë çast nuk kemi thënë dhe nuk kemi lënë të kuptohet se shohim si një rrugë të mundshme shtyrjen e zgjedhje. Kemi thënë dhe kemi përsëritur se procesi i administrimit dhe njëkohësisht përgatitja e infrastrukturës zgjedhore kërkonte plan të qartë, aftësi dhe përgjegjshmëri që qeveritarët e sotëm, ministria dhe kryeministri nuk e kanë. Por ndërkohë grupi ynë i ekspertëve, i nivelit më të lartë është ngarkuar për ta monitoruar nga afër këtë proces dhe për të detektuar në të gjithë pjesën që ka të bëjë me zbardhjen e të dhënave dhe të gjitha deformimet, ka arritur mbrëmë në konkluzionin që janë të gjitha kushtet për një kallëzim penal për të gjithë ata që në strukturën e Ministrisë së Brendshme merren me të dhënat dhe informimin për këto të dhëna që kanë të bëjnë me regjistrin dhe pajisjen e zgjedhësve me letërnjoftim. Sepse konstatojmë shpërdorim të detyrës, falsifikim të dhënave dhe informim të rremë. Dhe ndërkohë kemi qenë dhe jemi në kontakt me komunitetin ndërkombëtar të cilin sot e kemi informuar drejtpërdrejt për gjithë sa kemi konstatuar. Unë përsëris që çdo qytetar që kërkon fundin e këtij tranzicioni, kërkon mbylljen e këtij kapitulli të shëmtuar dhe hapjen e një kapitulli të ri duhet të këmbëngulë për të aplikuar dhe për të marrë letërnjoftimin elektronik në mënyrë që më 28 Qershor të japë kontributin e vet për atë ndryshim të madh rrënjësor dhe historik që i duhet vendit tonë. 4 vjet të tjera si këto janë të papërballueshme, të padurueshme dhe papranueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Kjo është ajo që thoni ju ndërsa keni përballë një mazhorancë që ka vënë firmën në marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ka vënë firmën në anëtarësimin në NATO, që ka firmosur dosjen e aplikimit të Shqipërisë për kandidimin në Bashkimin Evropian, një qeveri që thotë se ka ulur taksat, një qeveri që ka bërë rrugën Durrës-Kukës, një qeveri që ka shtruar disa nga akset kryesore të vendit dhe qindra apo mijëra kilometra rrugë rurale, një qeveri që thotë se modeli i Tiranës nuk është modeli i së ardhmes! Cila është oferta e Partisë Socialiste nesër dhe e juaj personale si kryeministër i vendit?

Para se të përgjigjem më lejoni të reagoj ndaj parashtrimit tuaj duke thënë se varfëria më e madhe që pjell gjithë varfëritë e tjera është varfëria e aspiratave dhe nuk ka varfëri më të madhe aspiratash sesa varfëria e kësaj qeverie dhe këtij kryeministri që sot u kërkon shqiptarëve të jenë të lumtur me çka këta zotërinj kanë bërë në 4 vjet.
Bilanci i kësaj qeveri mund të përmblidhet në disa pika: Kemi luftuar korrupsionin! A është e vërtetë?
Unë them me plot gojë jo. Ka ndryshuar vetëm drejtimi i kanaleve të korrupsionit i cili është spostuar nga një klientelë pushteti te një tjetër dhe është përqendruar në duart e një familje dhe e ka kthyer qeverinë e vendit në një biznes të drejtpërdrejtë familjar dhe në duart e një klientele që përbën oborrin e sotëm qeveritar dhe që pa asnjë dyshim lidhet ne një mënyrë apo në një tjetër me këtë bërthamë familjare. Mjafton shpërthimi tragjik i Gërdecit, mjafton dëshmia rrëqethëse e atij vullkani korrupsioni që shpërtheu vetëm pak kilometra larg Tiranës dhe që përbën në vetvete shprehjen më kuptimplotë për të kuptuar atë që thashë më parë. 11 institucioneve të shtetit u janë mbyllur sytë dhe u janë lidhur duart për të mundësuar një trafik të mirëfilltë, korrupsion shtetëror dhe biznes ku familja që qeveris, politika në pushtet dhe klientela e oborrit qeveritar për përfitime marramendëse u dhanë shqiptarëve një tragjedi marramendëse dhe këtu është vetëm pamja simbolike, kartolina dëshpëruese e korrupsionit të ditëve tona. 4 vjet të tjera me Sali Berishën, me këtë qeveri, me këtë oborr familjarësh e klientësh të këtij pushteti do të thotë janë përqendrim i plotë i fatit të vendit në duart e një grushti njerëzish dhe në varësi të një oligarkie që do e kthejë Shqipërinë në model të papranueshëm dhe të pakonvertueshëm në mozaikun e modelit evropian.
Thonë që kanë bërë rrugë. Nuk është qeveria që i bën rrugët por taksapaguesit dhe kompanitë e ndërtimit. Qeveria garanton standarde. Kush janë standardet e rrugëve që janë shtruar në këto vite, janë vallë standardet e BE-së? Jo. Këto janë standarde që nuk kanë asnjë lidhje me standardet e BE-së sepse në kohën që shtrohen rrugët në anët e tyre shtrihet një proces kërpudhëzimi i ngrehinave që mbi tokën bujqësore krijojnë biznese, pika karburanti dhe situata që i kthejnë rrugët në vdekjeprurëse. Kjo është anormale. Duhet të keni parasysh se çfarë ndryshimi ka sapo kalon kufijtë e Shqipërisë për në Maqedoni, Mal të Zi, Greqi, rrugët janë të siguruara dhe të garantuara dhe jo korridore të një pasigurie jete dhe aksidentesh që janë të barabarta me bilance lufte pa llogaritur dëmet që kjo i sjell mjedisit, zhvillimit e bukurisë që është një nga asetet më të rëndësishme që ka Shqipëria, bukurisë së saj natyrore.
Thonë se ka rritur pagat. Është e thjeshtë, pagat mund të jenë rritur por me pagat neto, me ato që sot shqiptarët marrin në xhep, sot shqiptarët nuk blejnë më shumë se 4 vjet më parë.
Shqipëria në NATO është e vërtetë. Askush s e mohon edhe rolin e kësaj qeverie por është e papranueshme që hyrja në NATO të jetë sinonim i kësaj qeverie. Hyrja në NATO është sinonim i përpjekjes së përbashkët të klasës së sotme politike shqiptare, i qeverisë të opozitës si dhe i një angazhimi shpirtëror, moral historik, i popullit që ka qenë populli me konsensusin më të madh për hyrjen në NATO. Nëse hymë në NATO vetëm këtë vit kjo ka të bëjë me një përgjegjësi të madhe kësaj politike dhe personalisht të Sali Berishës i cili si president i Republikës në kohën kur rruga për në NATO ishte e hapur, kur realisht mund të bëheshim anëtarë, i shkaktoi vendit tragjedi që shqiptarët paguan për një kohë jo të vogël. Të gjitha këto e bënë qeverinë të sillet dhe të flasë si një ndërmarrje e komunale që ndërton rrugë, shkolla, kopshte ndërkohë që rrugët i ndërtojnë taksapaguesit dhe kompanitë rrugët nacionale si dhe taksapaguesit, kompanitë dhe pushteti vendor kur është fjala për rrugë urbane dhe rurale. Cila qeveri në botë mburret në një fushatë elektorale kur kujton një mandat me ndërtime rrugësh rurale dhe ndërkohë pasi ka premtuar në vitin 2005, 4 mijë km rrugë ka bërë 1400 km ndërkohë që Shqipëria ka nevojë për 9 mijë km rrugë rurale.

Rrugët pjesë e modelit që ju i keni ofruar Tiranës. Megjithatë gjithçka thatë për pasigurinë e rrugëve a vlejnë për rrugën Durrës-Kukës? Ka pasur eksponentë të partisë suaj që e kanë vlerësuar rrugën, megjithatë asnjë nuk ka shkuar ta vizitojë pasi ju keni frikë nga një rrugë e tillë. Një përgjigje e shkurtër për këtë pikë?
Ka ndryshim mes qeverisë kombëtare dhe vendore. Qeveria kombëtare garanton standarde në të gjitha aspektet. Qeveria vendore është shumë më pranë punëve konkrete. Në kryeqytet bashkia nuk ka bërë thjesht rrugë, por i ka paraprirë zhvillimit duke hapur akse të reja, duke zhvilluar akset ekzistuese dhe transformuar pjesë të tëra të këtyre akseve nga territore tërësisht të pakontrolluara dhe territore ndotëse në territore që janë sot hapësira urbane. Transformime që janë shtrirë dhe në blloqet e banimit. Pra flasim për dy mënyra të ndryshme për të ushtruar përgjegjësinë dhe për të garantuar votën e qytetarëve. Qeveria kombëtare në të gjitha aspektet thjesht dhe vetëm i ka lënë inercisë të zhvillimit të natyrshëm, duar të lira dhe ka rol shumë të vogël kur është fjala për të qenë pozitiv dhe të madh kur është fjala për të qenë negativ në dëmet e pallogaritshme të kësaj rritjeje që nuk është zhvillim i qëndrueshëm.
Për sa i përket Durrës-Kukës unë e kam thënë me zë të lartë që rruga Durrës-Kukës është prioritet kombëtar dhe kthimi i syve nga ajo rrugë është i vetmi moment i cili ka të bëjë me një politike dhe jo me një punë komunale të kësaj qeverie. Por për fat të keq atë rrugë që është aspiratë e hershme, ide aspak e re, ide e vjetër dhe e hedhur nga politika zyrtare me gojën e kryeministrit Pandeli Majko, Sali Berisha dhe kjo qeveri e ktheu në një projekt ku nga njëra anë filloi dhe vazhdoi fillimi i rrugës kurse nga ana tjetër në emër të asaj aspirate dhe atij prioriteti, në emër të të gjitha emocioneve që lidhen me atë rrugë, u krye një nga grabitjet më spektakolare dhe më të pafalshme, të historisë së administrimit të fondeve publike, një grabitje që ka një proces të hapur dhe për të cilën të gjithë personat përgjegjës duhet të përgjigjen para ligjit. Sepse dashuria për atdheun, qasja patriotike jo vetëm nuk janë arsye për të hapur kanal korrupsioni por janë arsye për të qenë edhe më transparentë, të drejtë e të ndershëm dhe të përkushtuar çka përbën një projekt të tillë në raport me emblema të tilla si rruga Durrës-Kukës.

Kur do ta vizitoni rrugën?
Do ta vizitoj kur ne ta inaugurojmë në formën e vet përfundimtare dhe jo copa-copa si po bëhet sot vetëm për përfitime elektorale.
Ky lajm është publikuar: 03/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›