E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Unë kryeministër, Rama t i kthehet kreut të Bashkisë”

Autori i Lajmit: red.
E MAJTA

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, nuk ka asnjë dilemë se do të jetë ai që do të krijojë qeverinë e re pas zgjedhjeve. “Rama t i kthehet Bashkisë, sepse këtë zgjedhje ka bërë”,- tha Meta, dje në një intervistë për “Balkan Insight”. Sipas Metës, LSI ndihmohet nga ky sistem proporcional dhe se fituesi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve do të jetë partia e tij.
Na ndajnë vetëm pak javë nga zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit. Si po shkon fushata elektorale sipas mendimit tuaj?
Fushata elektorale po shkon mirë, sidoqoftë sistemi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është ngatërruar disi. Disa prej transmetuesve kryesorë të televizioneve po u bëhet presion nga partitë politike. Ne jemi gjithashtu, të shqetësuar për shpërndarjen e letërnjoftimeve të reja, të nevojshme për të realizuar me sukses zgjedhjet e 28 Qershorit. Sidoqoftë, pavarësisht këtyre problemeve, unë besoj se vendi ka një shans për të mbajtur zgjedhje të pranueshme, duke siguruar se nuk do të ketë shkatërrim të klimës politike apo ndonjë tentativë nga Kryeministri aktual, Sali Berisha, për të kontrolluar rezultatet e tyre.

Nëse votuesit e mundshëm nuk kanë pasaporta dhe nuk do të mund të pajisen me letërnjoftimet e reja deri më 28 qershor, ekziston ndonjë mundësi që zgjedhjet të shtyhen?
Unë besoj se shtyrja e zgjedhjeve nuk do t i rriste standardet e saj, më shumë sesa do të shkatërronte klimën politike. E gjitha kjo mund të arrihet (për letërnjoftimet) në javët e pakta që kanë mbetur. Ne kemi kërkuar në vazhdimësi që kodi elektoral të dorëzohej më herët, dhe jo në minutën e fundit, kështu që do të kishim të gjithë kohën e mjaftueshme për të përmbushur kërkesat, si letërnjoftimet e reja dhe infrastrukturën tjetër të nevojshme për zgjedhjet. Unë nuk besoj se me shtyrjen e zgjedhjeve me dy apo tri muaj, standardet e tyre do të përmirësoheshin ndjeshëm. Unë besoj në fakt se imazhi i Shqipërisë do të përmirësohej nëse vendi do të mbante zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne duhet gjithashtu të konsiderojmë efektet e krizës ekonomike në një skenar të tillë politik. Do të na duhej të mbanim barrën e krizës ekonomike me një qeveri që nuk ka një mandat legjitim pas datës 28 qershor.

Ju keni deklaruar më parë se mazhoranca aktuale qeverisëse po përpiqet të manipulojë zgjedhjet. A keni ndonjë provë konkrete për të mbështetur akuzat tuaja?
Prova qëndron në pamundësinë e kohës për për të realizuar infrastrukturën e plotë logjistike të shpërndarjes së letërnjoftimeve të reja. Ne kemi thënë herë pas here se në bashki të veçanta të kontrolluara nga opozita e majtë, procesi i krijimit të kësaj infrastrukture është bllokuar.

Gjatë fushatës elektorale kohët e fundit ju keni deklaruar se partia juaj kërkon të fitojë 35 deputetë në parlamentin e ardhshëm. Nga e bazoni këtë vlerësim, i cili është perceptuar nga shumë të tjerë si shumë optimist?
Unë e bazoj këtë vlerësim në rezultatin që partia ime mori në sistemin proporcional të zgjedhjeve lokale të 2007-ës, ku dy partitë kryesore, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike arrinin 20 %, ndërsa LSI-ja, 9-10%. Me sistemin e ri elektoral dhe barrierat e tij më të larta, karriget do të ndahen mes tri partive, për pjesën më të madhe. LSI-ja do të jetë forca politike që do të krijojë mazhorancën, sepse asnjë parti politike nuk do të jetë në gjendje ta formojë atë e vetme. LSI-ja do të jetë faktori përcaktues, fituesi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve. Për të arritur objektivat tona, neve nuk na nevojitet një rezultat i jashtëzakonshëm. Ne nuk duhet të harrojmë se LSI-ja nuk ishte protagoniste në zgjedhjet e 2007-ës, sepse në shumë qytete ajo mbështeti kandidatët e Partisë Socialiste, ndërsa në zgjedhjet e tanishme i gjithë investimi i saj është në logon e saj.

Ju kini zbutur retorikën tuaj kundër Partisë Socialiste, por lideri i saj, Edi Rama, ka thënë se ai do t i fitojë zgjedhjet dhe do të krijojë qeverinë pa LSI-në. Si i përgjigjeni ju kësaj?
Mentaliteti i shprehur nga zoti Rama është një cilësi për të cilën ai do të jetë i aftë të fajësojë vetëm veten e tij pas zgjedhjeve. Unë duhet të theksoj se ne mbetemi të hapur (për bashkëpunim) me Partinë Socialiste. Pas zgjedhjeve unë do të thërras të gjitha partitë opozitare për të krijuar qeverinë e re.

A do t i bashkangjiteshit një koalicioni të kryesuar nga Partia Demokratike dhe kryeministri Sali Berisha, pas zgjedhjeve?
Nuk është vetëm e pamundur, por edhe e panevojshme, sepse me sistemin e ri zgjedhor e majta do t i fitojë zgjedhjet në rezultat të përgjithshëm. Do të jetë detyra ime për të bashkuar forcat e opozitës dhe për të krijuar qeverinë, ndërsa zoti Rama do t i kthehet kreut të Bashkisë së Tiranës.

Gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2007, ju i thatë elektoratit se Edi Rama ishte një model (politikan), i cili meritonte votat. Nëse ai i fiton këto zgjedhje, çfarë lloj Kryeministri mendoni se do të jetë?
Unë besoj se zoti Rama e ka bërë zgjedhjen e tij duke zgjedhur të mos dorëhiqet nga zyra e Bashkisë së Tiranës. Unë besoj gjithashtu se shqiptarët kanë pjekurinë e nevojshme për të hedhur një votë të zgjuar në zgjedhjet e 28 Qershorit.

Ju keni deklaruar më parë se Partia Socialiste kërkoi që me ndryshimet në Kushtetutë të bëra në vitin 2008, kërkonte të shkatërronte LSI-në. Do të përbënte kjo një problem në bashkimin me ta në një aleancë paszgjedhore?
Ndryshimet në Kushtetutë mund të kondicionojnë marrëdhëniet me emra të veçantë në këtë parti, por në përgjithësi ne jemi të hapur për një bashkëpunim me ta.

Kohët e fundit ju jeni ngrohur me ish-Kryeministrin socialist, Fatos Nano, ndërsa LSI-ja u formua nga gjiri i Partisë Socialiste dhe mënyrës se si Nano drejtonte Partinë Socialiste në kohën kur...
LSI-ja është e hapur për bashkëpunim me çdo faktor që ka dëshirën dhe është i interesuar për të kontribuar për fitoren e opozitës. Nga kjo pikëpamje, nuk ka arsye pse të përjashtohet zoti Nano.(Marrë nga Balkan Insight)

Ky lajm është publikuar: 03/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›