E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, sot pritet shiriti i terminalit “Petrolifera”

Autori i Lajmit: red.
Projekti u firmos nga kryeministri Nano, u mallkua nga ambientalistët dhe më pas nga Berisha kur ishte në opozitë, por tashmë objekti “Petrolifera” është ndërtuar dhe kryeministri do të presë shiritin. Terminali “Petrolifera”, një investim prej 57.7 milionë eurosh, i kompanisë italo- shqiptare PIA, i konkretizuar në bregdetin perëndimor të qytetit të Vlorës, tashmë ka përfunduar, ndërkohë që nesër pritet përurimi i tij. Gërmadhat e ish- uzinës së Sodës, që shkaktonin një ndotje të jashtëzakonshme në këtë pjesë të bregdetit, tashmë janë zëvendësuar nga një objekt i krahasueshëm me standardet më të përparuara që aplikohen në vendet e zhvilluara perëndimore, në këtë fushë. Terminali “Petrolifera”, në këndvështrimin fiskal, do të funksionojë si një “zonë e lirë”, me të gjitha atributet dhe përfitimet e ndërsjella mes shtetit shqiptar, subjekteve që do të operojnë në këtë objekt dhe vetë kompanisë ndërtuese dhe menaxhuese. Shoqëria “Petrolifera Italo Albanese”(PIA), ushtron aktivitetin e vet, në shërbimet portuale dhe magazinimin e produkteve hidrokarbure, për llogari të klientëve të saj, të cilët janë importues shqiptarë dhe të huaj. Në këto kushte, terminali do të jetë një zonë e lirë doganore, ku PIA, merr përgjegjësi ligjore kundrejt shtetit shqiptar, për shlyerjen e detyrimeve fiskale për llogari të subjekteve që përfitojnë nga këto shërbime.
Ky sistem i ri i menaxhimit të porteve, që përbën rastin e parë në Shqipëri, krijon mjaft avantazhe. Të gjitha procedurat e llogaritjes dhe të shlyerjes së detyrimeve fiskale do të kryhen nga ana e kompanisë “Petrolifera”, për llogari të klientëve të saj. Kështu, garantohet vjelja 100 për qind e detyrimeve fiskale nga ana e shtetit shqiptar, sikurse lehtësohen importuesit për kryerjen e procedurave përkatëse, duke kursyer atyre kohë dhe mund. Pjesë përbërëse të objektit janë dy sferat gjigante të gazit të lëngshëm, me një kapacitet 2000 metër kub secila, 4 rezervuarë të benzinës, me kapacitet 3000 metër kub secili, 6 rezervuarë gazoili, me kapacitet 5000 metër kub secili, një rezervuar për naftën bruto, me një kapacitet të përgjithshëm prej 13 mijë metër kub, sistemi i komunikimit të tubacioneve, për të gjitha rezervuarët, sistemet e impianteve të mbrojtjes kundër zjarrit. Gjithashtu, brenda terminalit ndodhen zyrat e doganës, të kapitenerisë dhe të policisë kufitare, 6 vila moderne të zonës rezidenciale dhe një far 30 metra i lartë, pjesë e strukturës portuale.
Ky lajm është publikuar: 03/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›