E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës: “Do të heqim taksën e sheshtë”

Autori i Lajmit: red.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, deklaroi të martën, në një prononcim për mediat, se Bashkia do të heqë taksën e sheshtë mbi biznesin, por nuk bëri të ditur kohën dhe modalitetet e heqjes së kësaj takse. Duke reaguar ndaj deklaratës të kryeministrit Berisha mesditën e sotme "se Bashkia shumëfishoi taksat për biznesin e vogël nga 2 deri në 4 herë", Shalsi tha se “me taksat e Bashkisë, bizneset e vogla pastrojnë e gjelbërojnë Tiranën, bashkë me të tjerët, ndërsa me taksën e re të qeverisë ata paguajnë spotet televizive dhe gënjeshtrat e Sali Berishës".
Kryeministri Berisha u takua sot në mesditë, me përfaqësues të biznesit të vogël, gjatë një vizite në tregun çam në kryeqytet, dhe siguroi mbështetjen e qeverisë ndaj biznesit të vogël, i cili, sipas tij, "është shumë i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të një vendi".
“Katër vite më parë, - tha ai,- ne premtuam përgjysmimin e taksës kombëtare për këtë biznes dhe e realizuam atë, si një vendim shumë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm".
Kryeministri nënvizoi se "ishte pikërisht politika e taksave të ulëta ajo që e ruajti Shqipërinë të paprekur nga kriza botërore ekonomike dhe që bëri që ndërkombëtarët të pohojnë se Shqipëria është e para për rritjen ekonomike në Evropë”.

Ky lajm është publikuar: 03/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›