E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai apelon: Mos lejoni të përsëritet tragjedia ime

PUKE- “I kërkoj gjithë popullit, kush ka mend në këtë jetë, mos i përdorni armët, nëse nuk dojnë me e pësu si unë me fminë e vet dhe me qenë gjithmonë në vujtje dhe kjamet as dekun as gjalle mbi tokë”. Nuk asht apel i një politikani, profesori apo një intelektuali, por e një burri, të cilin skamja e dhimbja e humbjes së djalit e kanë vënë përposhtë, e se lënë të ngrejë kokë.

31 dhjetor 2010. Kur akrepat e orës u bashkuan në 00.00, ndërrimi i viteve, si në cdo cep të botës, do të mbërrinte dhe në bjeshkët e fshatit Gojan, e të ndalonte në banesën e familjes së Zef Përlleshit, gati 2 orë larg Pukës.

Një ndërtesë përdhese, që veç emrin shtëpi s’mund të mbajë. Me mure të çara, ku toka është dysheme, e tavanit prej vitesh i ka rënë suvaja, e hekurat dhe copëzat e betonit varen si të jenë në fije të perit. Përveç portës kryesore, (edha ajo e vjetruar sa ska më) asnjë dhomë tjetër nuk ka derë. Nuk ka as dollapë, as bufe, e në vend të karrigeve sheh dy tre stola të vegjël prej druri.

Skamja të trondit, e sytë erren sa hyn në dhomën e nxirë nga tymi i oxhakut. Në murim me njolla të zeza, varen 3 kryqe, e fotot e Jezu Krishtit e Marisë- mbase për t'i dhënë mëshirë, pak shpresë, e për t'i lënë të ëndërrojnë se ky vit do bëhet ma mirë.

Por se 2011 nuk filloi ashtu. Banorët e fshatit Gojan tregojnë se natën e ndërrimit të viteve gjuajtja me armë në ajër kishte zëvendësuar fishekzjarret. Kështu dhe në familjen e Zef Përlleshit, ishte festë. “Atë natë hangrëm mirë. Kishim makarona”- tregon Dava e zonja e shtëpisë, për darkën e Vitit të Ri që i kishte përgatitur familjes së saj të përbërë nga 4 fëmijë, dy djem e dy vajza. Për festë ishte qëlluar dhe në ajër me automatik. Në një moment djali i dytë 12 vjec, Aureli kishte marrë automatikun dhe aksidentalisht kishte qëlluar në drejtim të vëllait të tij 13 vjec, Gjonit.

“Djalin e mora, e çova, i doli gjak nga goja”.- tregon Zefi, i cili s'i mban dot lotët, ndërsa Dava shton “E çuam djalin te spitali, por nuk arriti të mbijetonte se ishte plaga shumë e madhe.” E babai vazhdon rrëfimin “Nga tmerri që kam hequr tesh 10 vjet, në këtë shtëpi të keqe, ia pava hajrin dhe e lava me kaptinën e djalit”.

Tani Zefit i duhet të kujdeset për 3 fëmijët e tjerë, 1 djalë e 2 vajza, por dhe të kapërcejë dramën e humbjes së djalit të madh. Pa i vënë fajin askujt për tragjedinë që i ka trokitur në derë, ai i kërkon ndihmë: 
“Ja se më ka borxh kush por në pastë mundësi me më ndihmu kush të largohem se s’mund të rri këtu ku mu vra djali”.
(Intervista në familje u bë nga gazetari Armir Mehaj i tv NEWS24)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›