Babai çon në pranga djalin e tij, i vodhi 200 mijë lekë në shtëpi
DURRËS – Zhdukja e një sasie parash në banesë e ka detyruar një prind të denoncojë djalin e tij, i cili më pas është prangosur. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se shtetasi Zekë Kola, lindur në Pukë dhe banor në fshatin Shën Vlash të rrethit bregdetar, ka bërë një kallëzim në komisariatin e policisë për zhdukjen e një sasie prej 200 mijë lekësh në banesën e tij. Ai akuzoi djalin e tij, Tomorrin, për zhdukjen e parave nga kasaforta. Menjëherë pas denoncimit, policia bëri shoqërimin dhe më pas prangosjen e 24-vjeçarit. Sipas policisë, “ndalimi i Tomorr Zekës është bërë për arsye se pak ditë më parë, pasi ka hyrë në banesën e të atit, ka hapur me thyerje një kasafortë që babai i tij e mbante në dhomën e gjumit dhe prej andej ka marrë një sasi prej 200 mijë lekësh. Pas arrestimit, dosja me materialet i ka kaluar Prokurorisë së Durrësit pasi shtetasi Tomorr Zeka akuzohet për veprën penale të “vjedhjes”.
5 Dhjetor 2008