Stafet elektorale të PS-së dhe të LSI-së për zgjedhjet në qarkun e Tiranës
Shaban Sulçe
Partitë kryesore të opozitës, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, duket se po i kushtojnë një rëndësi shumë të veçantë organizimit elektoral në të gjithë vendin, por veçanërisht në Qarkun e Tiranës. Ky qark duket se do të jetë fushëbeteja më e madhe, jo vetëm midis PS-së dhe LSI-së, të cilat do të kandidojnë të veçuara nga njëra-tjetra, por edhe përsa i përket rivalitetit të tyre me koalicionin e maxhorancës të drejtuar nga Partia Demokratike. Si Partia Socialiste, ashtu edhe Lëvizja Socialiste për Integrim prej kohësh kanë filluar përgatitjet organizative me strukturat dhe anëtarësinë e tyre në qarkun e Tiranës. Shumë shpejt PS-ja dhe LSI-ja pritet të grumbullojnë rreth stafeve organizative potencialet dhe kapacitetet më të rëndësishme të strukturave dhe forumeve të tyre, për një organizim sa më të fuqishëm elektoral në qarkun e Tiranës. Rezultati zgjedhor në këtë qark është i lidhur ngushtësisht me pretendimet dhe ambiciet e PS-së dhe LSI-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo jo vetëm sepse qarku i Tiranës do të ketë numrin më të madh të deputetëve, 33, por edhe sepse në të priten të kandidojnë liderët e tri partive kryesore, Berisha, Rama dhe Meta.
PS-ja
Në një nga mbledhjet e fundit të Kryesisë së Partisë Socialiste u caktuan edhe delegatët e kryesisë, të cilët do të ndjekin nga afër dhe do të jenë përgjegjës për organizimin elektoral në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Për qarkun e Tiranës, i deleguari i kryesisë është caktuar deputeti Shpëtim Idrizi. Ky i fundit duket se do të jetë edhe drejtuesi i stafit elektoral për selinë rozë. Në përbërje të këtij stafi pritet të jetë edhe kreu i Partisë Socialiste për Tiranën, Besnik Baraj, si dhe deputetët aktualë të zgjedhur në 2005-n në kryeqytet, si Ermelinda Meksi dhe Andis Harasani. Në përbërjen të stafit elektoral të PS-së për qarkun e Tiranës pritet të jenë edhe drejtues të FRESH-it, si Megi Ajteresa dhe Ajola Xoxa, drejtori i fondacionit “Qemal Stafa”, Sajmir Tahiri, drejtues të Forumit të Gruas Socialiste, drejtues organizatash të PS-së në këtë qark si dhe drejtues të komisioneve në selinë rozë.
LSI-ja
Lideri i LSI-së, Ilir Meta, prej kohësh ka shpallur kandidimin e tij në qarkun e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Përveç kandidimit të tij, por edhe për shkak të numrit të lartë të mandateve në këtë qark, Meta duket se do të udhëheqë edhe organizimin dhe fushatën elektorale të LSI-së dhe koalicionit të saj në qarkun e Tiranës. Në përbërje të këtij stafi pritet të jenë edhe deputeti dhe zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, si dhe anëtarë të tjerë të Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Stafit elektoral të LSI-së për qarkun e Tiranës pritet t’i bashkohen edhe drejtues të strukturave të saj në kryeqytet, si sekretari i LSI-së për Tiranën, Elez Gjozaj, kreu i Tiranës rreth Roland Çelmeta, sekretari për Marrëdhëniet me Publikun për LSI-në e Tiranës, Ilir Dashi, kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho, kryetari i LRI-së për Tiranën, Endrit Brahimllari, si dhe shumë kryetarë organizatash të LSI-së dhe LRI-së në kryeqytet.
Shtabet elektorale
Edhe pse duhen disa muaj deri në fillimin e fushatës zgjedhore, si PS-ja, ashtu dhe LSI-ja, gjatë kësaj periudhe nuk kanë humbur kohë të hartojnë strategjitë elektorale dhe organizimin e strukturave. Një vendim shumë i rëndësishëm që kanë marrë kryesitë e dy partive kryesore të opozitës ka qenë ngritja e shtabeve elektorale, të cilat çuditërisht nuk do të drejtohen nga kryetarët e tyre, por nga numrat 2 në partitë respektive.
Kështu, burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se është planifikuar ngritja e shtabit elektoral, i cili do të kryesohet nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi. Ndërkohë, shtabi elektoral që do të krijohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim do të kryesohet nga sekretari i Përgjithshëm i saj, Petrit Vasili. Interesant është fakti se si Ruçi, ashtu edhe Vasili, janë zgjedhur gjithashtu të drejtojnë organizimet elektorale të partive të tyre, përkatësisht në qarkun e Gjirokastrës dhe atë të Elbasanit.
5 Dhjetor 2008