Fondacioni “Qemal Stafa”, takim me të rinjtë në qarkun e Shkodrës
Fondacioni “Qemal Stafa”, në bashkëpunim me Partinë Laburiste Britanike, ka zhvilluar në Shkodër takimin e radhës me të rinj dhe të reja të këtij qarku në kuadër të programit "Lider të së ardhmes". Mbi 250 të rinj dhe të reja bashkëbiseduan me personalitetet e ftuara mbi temën "Intelektualët dhe Politika".
Bashkëbisedimi synonte shkëmbimin e ideve mbi rolin e politikanëve në politikë, angazhimin e tyre dhe përfitimet e shoqërisë nga përfshirja e intelektualëve në politikë.
Në hapje të këtij takimi, Drejtori Ekzekutiv i fondacionit “Qemal Stafa”, Saimir Tahiri, tha se të gjithë të rinjtë duhet t’i bashkohen rrugës së ndryshimit, për të besuar në hapjen e një kapitulli të ri për të ardhmen e Shqipërisë. “Secili prej nesh i konsideruar veçmas, nuk mund të bëjë dot gjë për të ndryshuar mënyrën sesi vendi ynë shkon përpara. Është pikërisht kjo arsyeja që na bën të konsiderojmë imperativ domosdoshmërinë për t’u bashkuar me të gjithë ata që zotërojnë kapacitetin për të vlerësuar me sy kritik zhvillimet në këtë vend. Këta njerëz nuk janë domosdoshmërisht të majtë, por janë të gjithë ata njerëz që besojnë se Shqipëria mund të bëjë ndryshe, të gjithë ata që besojnë se këta që qeverisin sot nuk kanë mundësi dhe aftësi të bëjnë atë që ne kërkojmë për familjet tona, për qytetet tona, për vendin tonë. Janë të gjithë ata që besojnë se ky popull ka të gjitha mundësitë për të kthyer faqen e historisë duke shënuar një kapitull të ri. Janë të gjithë ata që kanë vizionin, energjitë dhe potencialin e nevojshëm për të punuar bashkë me ne në përpjekjen për të fituar zgjedhjet, e nëpërmjet tyre për të qeverisur Shqipërinë ashtu siç duhet e siç e kërkon koha”, - tha Tahiri.
G99-a: Liberalizimi i kazinove, Berisha shkeli premtimin e tij
Lëvizja “G99” kundërshton miratimin nga ana e maxhorancës për ligjin e ri “Për Lojërat e fatit”. Aktivisti i G99-s, Arbër Mazniku, tha se ky ligj që synon liberalizimin e hapjes së kazinove në vend, kundërshton premtimin e kryeministrit Berisha për kontrollin dhe kufizimin e këtij tregu. Mazniku tha se të rinjtë shqiptarë kanë nevojë për arsimim, punë dhe shpresë për të ardhmen, dhe jo për iluzione për tu pasuruar nëpërmjet kumarit.
“Duket se politikat e qeverisë janë taksa të larta për punëtorët e thjeshtë, e ulje taksash për kazinotë; taksim për Arsimin e Lartë dhe heqje taksash për kumarin; taksim për Organizatat Jofitimprurëse dhe çlirimi nga detyrimet për bixhozin; taksim e kontroll për vlerat dhe liberalizim për veset. Të gjithë jemi dëshmitarë të premtimeve të vazhdueshme të kryeministrit Berisha, për kufizimin dhe kontrollimin e këtij sektori. Me sa duket tani në fund të mandatit premtimet nuk kanë më vlerë. Asnjë e mirë nuk mund t’i vijë shoqërisë shqiptare nga shtimi i kazinove dhe lojërave të fatit. Ky biznes nuk sjell as të ardhura të qëndrueshme për shtetin, as të mira për qytetarët, ashtu siç dhe i ka përkufizuar dikur ministri aktual i Ekonomisë ato janë, ‘fshesa me korrent’ që thithin para nga ekonomia reale. Për këtë arsye ligji duhet te ruajë apo krijojë kufizime në numra dhe në nivele pagese për lojërat e fatit”, - tha Mazniku.
PS-ja kërkon sërish garanci nga Berisha për kartat e identitetit
Partia Socialiste kërkon sërish garanci nga qeveria dhe kryeministri Berisha për shpërndarjen në kohë të kartave të identitetit. Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, tha se qeveria duhet të fillojë aksion konkret për shpërndarjen e kartave të identitetit.
“Përtej deklarimit zyrtar se shpërndarja do të fillojë në janar 2009, asnjë e dhënë konkrete nuk e mbështet këtë hipotezë. PS-ja është e shqetësuar edhe nga fakti se baza ligjore për bërjen e mundur të shpërndarjes së kartave në mënyrë të detyrueshme, pothuajse nuk ekziston duke hedhur më shumë dritë mbi falsitetin e deklarimeve zyrtare Më pak se 7 muaj na ndajnë nga zgjedhjet e radhës, dhe shqiptarët akoma nuk e dinë se kur do të pajisen me karta identiteti. Në ligjin e ri zgjedhor qeveria ka marrë angazhimin për pajisjen me përparësi me karta identiteti të zgjedhësve që nuk disponojë pasaportë. Por parashikimet buxhetore që u miratuan me kartonët e shumicës nuk parashikojnë asnjë fond në lidhje me këtë angazhim. Kjo gjë na bën të dyshojmë se edhe ky premtim është demagogjia e radhës, për të mos thënë një përpjekje tinëzare për të sabotuar pajisjen e zgjedhësve me karta identiteti, e si rrjedhim inxhinierimin e rezultatit elektoral me anë të përjashtimit të një grupi zgjedhësish nga procesi i votimit”, - tha Gjiknuri.
5 Dhjetor 2008