Kodi i ri Zgjedhor, nuk priten surpriza, edhe pas rikthimit nga ana e Topit
Edhe pse Presidenti i Republikës ia ktheu Kuvendit për rishqyrtim Kodin e ri Zgjedhor, rivotimi dhe rishqyrtimi i këtij ligji pritet të mos prekë dhe të mos korrigjojë kapitullin më të kontestuar të këtij kodi, siç është ai i procesit të administrimit të zgjedhjeve. Si Partia Socialiste, ashtu edhe Partia Demokratike do të rishikojnë dhe do të votojnë vetëm dy nenet që kanë të bëjnë me datën e shpalljes së zgjedhjeve nga ana e presidentit. Ky i fundit nuk pranoi të dekretonte Kodin e ri Zgjedhor, pikërisht në lidhje me dy nenet në fjalë, të cilat, sipas presidentit binin në kundërshti me njëra-tjetrën. Burime nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike bën të ditur se do të rishohin në Kuvend vetëm këto dy nene, por nuk do të pranonin të korrigjonin kapitullin që ka të bëjë me procesin e administrimit të zgjedhjeve. Çka do të thotë se formula e përbërjes së komisionerëve do të jetë po ajo, 6+1, dhe që presupozon nga dy komisionerë për PS-në dhe PD-në, si dhe një komisionerë për Partinë Republikane dhe Partinë Social-Demokrate. Kjo formulë lë jashtë përfaqësimit të procesit të administrimit të votës LSI-në dhe PDK-në, deputetët e të cilave zhvilluan muajin e kaluar një grevë urie 8-ditore, pikërisht për të protestuar në lidhje me privimin e të drejtës së tyre për të qenë pjesë e procesit të administrimit të zgjedhjeve
5 Dhjetor 2008