E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja “Fazlliç”, Prokuroria sekuestron dokumentet e serbes “Rudnap”

Prokuroria ka marrë të gjitha të dhënat që KESH-i ka për kompaninë. “Rudnap” na importoi plot 34 milionë euro energji vetëm për vitin 2007

Habjon Hasani

Tiranë - Gjurmët e Damir Fazlliçit të çojnë te kompania serbe “Rudnap”. Kjo është dhe arsyeja që Prokuroria e Tiranës ka tërhequr pak ditë më parë të gjithë dokumentacionin që kjo firmë ka depozituar pranë Korporatës Elektroenergjetike, ku vetëm për vitin 2007 ka fituar 34 milionë euro tendera importimi energjie nga prokurimet e KESH-it. Gazeta “Albania” botoi ekskluzivisht lidhjen që firma qipriote “Altaria Research Limites” ka me degën e “Rudnap”-it në Zagreb. Firma qipriote “Altaria Research Limited” i bleu në Tiranë Damir Fazlliçit firmën “Croun Acquisitions”. Ky operacion i blerjes së firmës rezultoi i paligjshëm, ndërsa porsa Prokuroria nisi procedimin penal, Fazlliçi deklaroi se ia kishte shitur vetes. Pra dhe firma “Altaria Research Limited” ishte në pronësi të tij, sipas vetë Fazlliçit. Por sikurse tregon shpallja publike e Agjencisë së Regjistrimit të Kompanive rezulton se firma qipriote ka themeluar në Zagreb degën e “Rudnap Energija d.o.o”. Pikërisht kjo nyje e zbuluar nga “Albania” është bërë pjesë e hetimeve të Prokurorisë.
Prokurorët
Ndërsa informacioni për sekuestron e dokumenteve ishte përhapur me shpejtësi pasditen e djeshme, prokurorët e çështjes duken paksa të “kompleksuar” në dhënien e shpjegimeve. Ata kanë deklaruar se bëhet fjalë për një “këqyrje dhe verifikim të dokumenteve çka përbën një procedurë normale”. Megjithatë, “Albania” ka mësuar se në të vërtetë bëhet fjalë për një sekuestro “prej vërteti” të dokumenteve të kësaj firme, pasi hetimi i prokurimeve të energjisë prej saj është një prioritet i prokurorëve të çështjes, nisur nga fakti se me të del i lidhur Fazlliçi, të cilit i është kapur dhe transaksioni i dyshimit dhe joligjor i parave gjatë shitjes fiktive që i ka bërë firmës së tij “Croun Acquisitions” për llogari të qipriotes “Altaria Research Limited”. Fazlliç, ndër të tjera, po “skanohet” edhe në lidhje me firmat e tjera që ka hapur në Shqipëri, ndërsa pas verifikimeve të bëra në hipoteka ka rezultuar se ai është tashmë dhe një pronar i madh trojesh në Shqipëri.
“Rudnap”
Në raportin (për prokurimet dhe blerjet e energjisë elektrike) që kreu i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, i ka dërguar komisionit hetimor parlamentar për këtë çështje janë zbardhur të gjitha prokurimet në energji dhe firmat e huaja që na kanë importuar energji për vitin 2007. Në tabelat e prokurimit të energjisë për vitin 2007 ndihet një prezencë e theksuar e firmës serbe “Rudnap”, e cila gjatë gjithë vitit 2007 ka mundur të përfitojë dhjetëra miliona euro nga taksat e shqiptarëve për energjinë që ka importuar në vendin tonë. 33 milionë e 800 mijë euro ka përfituar firma “Rudnap” vetëm në vitin 2007, ndërsa burime zyrtare pranë KESH-it i thanë “Albania”-s se për shtatëmujorin e parë të vitit 2008 serbja “Rudnap” ka përftuar të paktën 19 milionë euro. Një total i sigurt (në dy vite 2007-2008) prej afro 53 milionë eurosh që i kanë kaluar firmës me të cilën Damir Fazlliç është i lidhur si aksioner nëpërmjet Qipros.

Bosi i “Rudnap”-it: “Jam mik i Arkanit dhe mbrojtës i Karaxhiçit”

Bosi i firmës serbe “Rudnap”, Vojin Lazareviç, në një nga intervistat e rralla të tij televizive është shprehur pa komplekse për lidhjet e tij me biznesmenë të inkriminuar të kohës së Millosheviçit. Madje ka pohuar lidhjet për një nga biznesmenët më famëkeq, si Zhelko Raznatoviç, Arkani. “E pranoj që kam pasur biznese me të. Por nuk është se kam pasur ndonjë miqësi apo shoqëri me zotin Raznatoviç. Kemi qenë të zënë në bizneset tona dhe kemi pasur disa ortakëri. Vetëm kaq”, - është shprehur Lazareviç. Ndërsa i pyetur për angazhimin e tij në Partinë Nacionaliste të Malit të Zi (e cila njihej për mbështetjen maksimale ndaj Karaxhiçit dhe për armiqësinë me shqiptarët), Lazareviç ka pranuar se ka qenë aktiv dhe me post në këtë parti, duke “premtuar” se në kohët e sotme është më pak radikal. ”Nuk kam qenë kurrë zëvendëskryetar, por anëtar dhe financues. Më vonë, pas rrëzimit të Sllobodan Milosheviçit, mora post në këtë parti. Nuk mund të them se kam ndonjë pendesë për aktivitetin tim. Po shikoni..., se kohët ndryshojnë, njerëzit evoluojnë. Prandaj nuk bëhet fjalë për pendesë, por për evoluim do të thosha unë”, - ka deklaruar Lazareviç.

Qiproja, vendi që vërteton se Fazlliçi është aksioner i grupit “Rudnap”

TË DHËNA ZYRTARE NGA QKR, TIRANË

Firma “Altaria Research Limited”

Është firmë e përbërë nga “Avomar Limited dhe Amerito Limited”

Adresa: Nikosia, në Qipro, 2, Irakli Egkomi, 2413

TË DHËNA NGA GJYKATA TREGTARE NË ZAGREB

Njoftim i Gjykatës Tregtare në Zagreb

Sot, më 19 nëntor 2007, Gjykata Tregtare e Zagrebit regjistroi një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar. Regjistrimi mori numrin e NIPT-it: Tt-07/13527-2 i cilësuar në regjistrin tregtar Nr. 080632088 me këto të dhëna:

Emri i shoqërisë: “Rudnap Energija d.o.o”, me qëllim negocim dhe shitblerjen e energjisë elektrike.

Selia: Zagreb, në Sveticen e poshtme, 38.

Anëtarët dhe themeluesit: “Altaria Research Limited”, me numër regjistri në sistem SE 178049, në Regjistrin Tregtar të Nikosias në Qipro në adresën: Nikosia, 2 Irakli Egkomi, 2413

5 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›