E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshimet për tradhti, qëllon me thikën e bukës gruan dhe më pas veten

Përfundojnë në spital, në gjendje të rëndë Mentor dhe Burbuqe Osmani. Krimi brenda familjes ndodhi në fshatin Katund i Ri në Rrethin e Elbasanit

ELBASAN – Dyshimet e vazhdueshme për tradhti e kanë detyruar kryefamiljarin të masakrojë me thikë bashkëshorten dhe më pas, në tentativën për t’i dhënë fund jetës, është vetëplagosur. Burimet zyrtare të policisë së qarkut bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Katund i Ri, vetëm pak kilometra larg qytetit të Elbasanit. Sipas tyre, shtetasi Mentor Osmani ka plagosur me thikë bashkëshorten e tij, Burbuqen, për motive xhelozie, pasi ai dyshonte se e tradhtonte. Pasi ka kryer këtë veprim, ai ka tentuar të vrasë edhe veten. Çifti Osmani është dërguar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Elbasanit ku ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Përplasja
Çifti Osmani e ka nisur mëngjesin e djeshëm me konflikte. Mentori e ka akuzuar gruan e tij për tradhti bashkëshortore, gjë që ka nxitur debatet. Madje, 36-vjeçari i ka përmendur Burbuqes faktin se ëndërronte dhe jetonte me dashurinë e një personi tjetër, të cilin mendohet se ai e njihte. Në një moment, rreth orës 9.15 të paradites së enjte, kryefamiljari ka marrë një thikë në njërin nga raftet e kuzhinës dhe e ka goditur gruan disa herë në pjesë të ndryshme të trupit. Teksa ka parë gruan të mbuluar me gjak, Mentori ka qëlluar me thikë edhe mbi trupin e tij. Fqinjët e çiftit Tomorri, në fshatin Katundi i Ri, kanë dëgjuar zhurmë dhe kanë hyrë në banesën e tyre. Kur i kanë parë të shtrirë në dysheme, ata kanë njoftuar policinë si dhe Urgjencën e Spitalit të Elbasanit.
Gjendja
Ata janë nisur me urgjencë në repartin kirurgjik dhe i janë nënshtruar ndërhyrjeve mjekësore. Sipas burimeve spitalore, gjendja e Mentor dhe Burbuqe Osmanit mbetet kritike edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale. Pas verifikimeve të para, burimet policore sqarojnë se është bërë i mundur sekuestrimi, në cilësinë e provës materiale, të një thike buke, me të cilën është kryer plagosja dhe më pas tentativa për vetëvrasje e 36-vjeçarit. Ndërkohë, janë marrë dëshmitë e fqinjëve, si dhe pritet të merret në pyetje pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore edhe vetë çifti. Sipas burimeve policore, shkaku i plagosjes dhe vetëplagosjes dyshohet të jetë xhelozia mes çiftit dhe akuza që kryefamiljari i ka bërë gruas së tij për tradhti bashkëshortore.
Kohët e fundit janë regjistruar disa krime në familje për motive xhelozie. Një i dënuar vrau gruan e tij gjatë takimit special në Burgun e Peqinit dhe më pas përdori rrymën elektrike për t’i dhënë fund jetës, ngjarje që ndodhi para pak muajsh, ndërsa një efektiv i policisë së kryeqytetit qëlloi në mjedise publike me armë zjarri bashkëshorten dhe më pas vrau veten.

5 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›