E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rrëshen-Kalimash”, dosja kthehet në ngërç konstitucional



Habjon Hasani

Tiranë - E shumëpërfolura dosje “Rrëshen-Kalimash” mundi që përveç rekordit prej qindra miliona eurosh abuzime (të paditura nga Prokuroria), të regjistrojë dhe një rekord përplasjesh të koklavitura të kompetencave të organeve gjyqësore. Dje, gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Fatmira Hajdari, vendosi të shqyrtojë kërkesën e avokatëve të ministrit Basha për të “shpallur të pavlefshëm vendimin e Prokurorisë që e cilësonte zotin Basha person të pandehur, pasi ky vendim binte në kundërshtim me vendimin paraardhës të Gjykatës së Tiranës për të pezulluar dhe anuluar hetimet e kryera pas datës 6 nëntor”. Prokuroria i kishte kërkuar gjyqtares Hajdari “të shpallte moskompetencën, pasi i pandehuri Lulzim Basha është deputet dhe mbi mund të ushtrojë vendimmarrje vetëm Gjykata e Lartë”. Por duket se pas pranimit të kërkesës së avokatëve të Bashës nga gjyqtarja Hajdari, gjithë labirinti i procedurave, i padive dhe kundërpadive mund ta çojë Prokurorinë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ta zgjidhur njëherë e mirë dilemën. Një mundësi e tillë është quajtur dje “mëse e mundshme në rast se Gjykata e Tiranës nuk shpall moskompetencën” nga prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme.
Përplasja
Pas vendimit të gjyqtares Hajdari për të vazhduar shqyrtimin e padisë së avokatëve të Bashës, “Albania” është interesuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme për të mësuar hapat që do të ndjekë ky organ nisur nga “rrethanat e reja” që u krijuan. “Në përgjigje të vendimit të gjyqtares ne kërkuam që ajo të zëvendësohej dhe do të paraqesim pas pak ditësh arsyet tona. Në rast se në finale do të vendoset që padia e deputetit të pandehur Basha të shqyrtohet nga Gjykata e Tiranës, patjetër që ne do të kërkojmë t’i sqarojmë këto përplasje dhe për nga mënyra se si ka evoluar historia e këtyre padive dhe kundërpadive, i vetmi institucion që mund t’u japë drejtim këtyre përplasjeve ngelet Gjykata Kushtetuese”, - i tha dje eksperti i Prokurorisë gazetës. Ai ka sqaruar se zakonisht është Gjykata e Lartë ajo që “ndreq” gabimet e Gjykatës së Faktit dhe asaj të Apelit, por duke qenë se në rastin konkret Prokuroria ka shpallur të pandehur një deputet, me shumë gjasa kjo do sjellë që “fjalën e fundit” ta thotë Gjykata Kushtetuese.
Kushtetuesja
“Nga sa kemi konkluduar deri tani na rezulton se vendimi i djeshëm i gjyqtares Hajdari ka sjellë automatikisht bllokimin e Prokurorisë dhe të Gjykatës së Lartë. Kjo ndodh pasi gjykatësja po shqyrton padinë e një deputeti të pandehur. Ne mendojmë se ajo nuk ka kompetencë. Por padia e ministrit ka lidhje vetëm me një “shkelje afatesh dhe procedurash” nga ana e Prokurorisë, ndërsa nuk duhet të harrojmë që ne presim të çojmë dhe dosjen e plotë të rrugës në Gjykatën e Lartë. Në këto kushte nuk mund ta çojmë, pasi Gjykata e Lartë do na thotë “se ajo i merr në shqyrtim këto ankimime vetëm pasi janë ezauruar në dy nivelet e para të Gjyqësorit. As dosjen e plotë nuk mund ta çojmë pasi nuk mundet që dy gjykata të japin vendime mbi të njëjtën çështje. Kështu që i vetmi opsion që shohim si rrugëdalje deri tani ngelet Kushtetuesja”, - i ka thënë eksperti i Prokurorisë dje “Albania”-s, i cili, ndër të tjera ka shtuar se kjo nismë, për të orientuar zgjidhjen drejt Kushtetueses, është planifikuar të ndërmerret vetëm në qoftë se Gjykata e Faktit do të përjashtojë çdo mundësi për shpalljen e moskompetencës.

5 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›