E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lideri hitorik i PD-së ndez vendlindjen

16/06/2009  Tropoja e gjitha në festë për vizitën e Kryeministrit Sali Berisha

Karvanit kryeministror iu desh 40 minuta për të hyrë në qytet

Tropoja dy ditë me radhë është shndërruar në qytetin-miting, kryeqendrën e demokratëve, themelin e mbështetësve të Partisë Demokratike, ku bluja mbizotëronte. Karvanit që shoqëronte makinën e Kryeministrit Sali Berisha i është dashur të paktën 40 minuta për t’u futur në Tropojë, pasi banorë të zonës kishin dalë rrugëve, duke i rezervuar një ndër pritjet më madhështore. Ndoshta as vetë Berisha dhe organizatorët e kësaj vizite nuk e prisnin një mirëseardhje të tillë. Tropojanë me flamurin kombëtar kuqezi, me atë blu të PD-së dhe me dy gishtat e ngritur lartë pritën mbrëmjen e së dielës Kryeministrin, por më shumë liderin historik të të gjithë demokratëve. Banorët prej ditësh kishin mësuar për rikthimin në qytet të njeriut që prej shumë kohësh nuk kishte shkelur atë zonë. Mbrëmja e së dielës ngjasonte me njërën prej ditëve më të rëndësishme të qytetit të Bajram Currit. Në bulevard, rrugë, shtylla, ballkone vareshin flamujt, kudo ishin vendosur sllogani i PD-së “Shqipëria po ndryshon”e dëgjohej kënga me të njëjtin titull, himn i fushatës elektorale të Partisë Demokratike. Njerëzit pranë kryeministrit treguan emocionin që ai përjetoi në momentin e mbërritjes në vendlindje. Pritje të tillë nuk i ishte rezervuar askund. Festa vazhdoi gjatë mbrëmjen e së dielës. Pavarësisht faktit se një ditë më pas të gjithë do të ishin në miting, tropojanët nuk reshtën së thirruri emrin e Sali Berishës. Natën Kryeministri e kaloi në hotelin kryesor të qytetit të Bajram Currit, ish-turizmin e vjetër.

Berisha me këtë vizitë u “prehu gjuhën” të gjithë atyre që deri pak ditë më parë e kishin akuzuar për frikë që të shkelë tokën ku kishte lindur. Socialistët e sulmuan Berishën për vite e vite me radhë, duke thënë se ai nuk denjonte të vizitonte Tropojën. Shpeshherë zyrtarë të lartë të së majtës shqiptare deklaronin se Berisha duhej të jepte përgjigje pse nuk shkon në vendlindjen e tij, Tropojë. Ata kërkonin të dinin prej tij se pse atje ndaj tij ushqehej një ndjenjë urrejtjeje. Gjithë këto pyetje morën përgjigje pikërisht me këtë vizitë. Për cilindo demokrat, socialist e shqiptar u pritja që iu rezervua Kryeministrit Berisha në Tropojë ishte përgjigja që socialistët morën. Pas 12 vjet mungese Berisha u rikthye dhe u prit si njeriu më i dashur, jo vetëm për atë qytet, por për të gjithë zonën. “Malësia e Gjakovës është djepi, vendi ku kam lindur dhe jam rritur dhe kjo mjafton për ta dashur atë, edhe sikur qindra e qindra vite t’i kem. Por për mua malësia e Gjakovës është shumë më tepër se kaq. Ajo është vendi i universitetit tim të parë, të fëmijërisë time te hershme, universiteti që më mëkojë mua me mësimin e madh, se dashuria për vendin, se dashuria për kombin, se dashuria për ju, është dashuria e të gjitha dashurive”, - tha Berisha në Tropojë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›