E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai i Klajdit: Jam OK për birësimin

• Artur Muharremi, ish-bashkëshorti i Xhoana Nanos ka dhënë pëlqimin që djali i tij Klajdi Nano, të birësohet nga ish-kryesocialisti Fatos Nano.Fatos Mahmutaj Kjo ka ndodhur gjatë një seance gjyqësore të zhvilluar më 8 nëntor të vitit të kaluar në Gjykatën e Tiranës. Gazeta ka siguruar një kopje të vendimit, i cili është shpallur pasi procedurat e gjyqit janë zhvilluar në një seancë të vetme. Ky vendim është publikuar edhe në ueb-siten zyrtare të gjykatës, ku bëhet i ditur se procedura ka zgjatur vetëm një javë, nga 53 ditë është kohëzgjatja mesatare e çështjeve të tilla. Madje për më tepër kërkuesi për birësimin e Klajdit 14-vjeçar nga Fatos Nano është vetë babai i tij biologjik 39-vjeçari, Artur Muharremi. Ky së bashku me Xhoana Nanon, ish-bashkëshorten e tij kanë pajisur me prokurë të posaçme avokatët Evelina Qirjako dhe Endri Toporja për t’i përfaqësuar në gjykatë. Objekti i padisë është njohje e dhënies së pëlqimit për birësim, ndërsa baza ligjore nenet 241, 246 e 247 të Kodit të Familjes. Procesi ka kushtuar 6100 lekë të reja, nga të cilat 6 mijë lekë kanë kushtuar avokatët dhe 100 lekë taksa gjyqësore, të cilat janë paguar nga kërkuesit ish-bashkëshortë.Provat Pas shqyrtimit të çështjes dhe administrimit të provave, gjykata ka dalë në konkluzionin se Artur Muharremi dhe Xhoana Nano, (Muharremi) kanë qenë bashkëshortë, derisa më datë 25 mars 1998 Gjykata e Tiranës ka vendosur zgjidhjen e martesës midis paditëses Xhoana Nano(Muharremi) dhe të paditurit Artur Muharremi dhe lënien për rritje dhe edukim të fëmijës Klajdi Muharremi paditëses Nano. Më datë 27 gusht 2003, Xhoana Nano është martuar përsëri. Kjo është vërtetuar në proces me certifikatën e martesës numër 12/9 lëshuar nga zyra e Gjendjes Civile më datë 24 tetor 2007. Nga martesa e Artur Muharremit me Xhoana Nanon, më datë 2 nëntor 1993, ka lindur fëmija Klajdi Nano, i cili aktualisht jeton me nënën e tij dhe bashkëshortin e saj të dytë, Fatos Nano. Kjo është provuar në gjyq me certifikatën e përbërjes familjare numër 12/9 datë 18 tetor 2007. Kërkesat Sipas shpjegimeve të Artur Muharremit dhe Xhoana Nanos, fëmija jeton me familjen e re të nënës dhe bashkëshorti i ri i saj, Fatos Nano është sjellë si prind biologjik i fëmijës, i cili jeton në një ambient familjar të shëndetshëm dhe të përshtatshëm për zhvillimin e tij psikologjik. Nëpërmjet një deklarate noteriale numër 5804 repertori dhe numër 1942 koleksioni, datë 02 nëntor 2007, ditën që djali ka mbushur 14 vjeç, bashkëshorti i kërkueses Xhoana Nano, Fatos Nano deklaron se është dakord që të birësojë djalin e bashkëshortes, Klajdi Nano i datëlindjes 2 nëntor 1993 dhe të njihet si babai i tij. “Për t’u realizuar kjo gjë duhet edhe pëlqimi i dy prindërve të fëmijës e në këto kushte ata i janë drejtuar gjykatës me kërkesë ku deklaruan me vullnetin e tyre të lirë pëlqimin për birësimin e fëmijës së tyre Klajdi Nano nga Fatos Nano”, - thuhet në vendimin e gjykatës. Ndërsa më tej në të pohohet se: “Në bazë të nenit 246/5 të Kodit të Familjes pëlqimi për birësim u deklarua në seancën gjyqësore të datës 2 nëntor 2007 dhe nga vetë fëmija Klajdi Nano”.Vendimi Bazuar në nenin 246 të Kodit të Familjes, gjykata ka çmuar se kërkesa e Artur Muharremit dhe ish-bashkëshortes së tij Xhoana Nano është e mbështetur në ligj. Më tej gjykata ka dalë në përfundimin se të dy kërkuesit janë prindërit biologjikë të fëmijës Klajdi Nano, të dy të aftë për të shprehur vullnetin e tyre të lirë, nuk rezulton që t’iu jetë hequr përgjegjësia prindërore dhe gëzojnë zotësi të plotë juridike për të vepruar. Në këto kushte, nisur edhe nga deklarimet e dhëna në seancë gjyqësore, gjykata ka çmuar pranimin e kërkesës së dy ish-bashkëshortëve. Më tej gjyqtarja e çështjes ka vendosur konfirmimin e dhënies së pëlqimit të kërkuesve Artur Muharremi dhe Xhoana Nano si prindër biologjike të të miturit Klajdi Nano për birësimin e tij nga shtetasi Fatos Nano. Gjithashtu është konfirmuar dhënia e pëlqimit nga i mituri Klajdi Nano për birësimin e tij nga shtetasi Fatos Nano. Kundër vendimit gjykata ka lejuar ankim në Apel brenda 15 ditëve, por nuk është paraqitur ankim, ç’ka ka bërë që ai të marrë formë të prerë.Babai i Klajd Nanos Artur Muharremi, ish-bashkëshorti i Xhoana Nanos, është punonjës i një banke në Tiranë. Të paktën sipas vendimit të nëntorit të Gjykatës së Tiranës ai është banor i kryeqytetit në rrugën “Hajdar Hidi”, pallati 55/1, shkalla 2, apartamenti 5. Datëlindja e tij është 1969, ndërsa atësia dhe mëmësia janë Nazi dhe Myzihate. Ai rezulton të jetë divorcuar nga Xhoana Nano në vitin 1998, pas disa viteve martesë midis tyre, nga e cila u ka lindur vetëm një djalë.ShortiParaditen e sotme kërkesë-padia e Fatos Nanos i është nënshtruar procedurave të shortit elektronik në Gjykatën e Tiranës pas të cilave është caktuar gjyqtarja Fiqirete Mullai për ta shqyrtuar atë. Në ditët në vazhdim pritet të caktohet seanca e parë e gjyqit, ndërsa parashikohet se procesi do të zgjasë vetëm një seancë. Nëse avokatja e Nanos, do paraqesë provat shkresore, gjykatëses së çështjes nuk i mbetet tjetër vetëm të pranojë kërkesën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›