E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembja e tunelit falimenton linjat e autobusëve

Mbikalimi i Kalimashit në aksin e autostradës Durrës-Kukës-Morin po tërheq gjithnjë e më shumë interesin e shoferëve, ndonëse është një rrugë shumë e keqe dhe që përbën rrezik për aksidente. Por udhëtarët preferojnë të rrezikojnë nga rruga e shkurtër dhe të mos udhëtojnë nga linja e vjetër njëshekullore që i bie nga Puka. Edhe autobusi i linjës Kukës-Tiranë, pasi ka qëndruar në stacion në orarin e caktuar, është kthyer përsëri na parking pasi asnjë person nuk udhëton me të për shkak se i bie nga Puka. Një agjenci udhëtarësh e Kukësit prej shumë vitesh e mban linjën e Tiranës me një numër autobusësh ku vetëm në mëngjes ka pasur tre-katër autobusë (ku përfshihet linja direkte për Durrës), si dhe një autobus në orët e mbrëmjes. Por mbikalimi në segmentin Kalimash-Thirrë ka bërë që ata të humbin pasagjerët. "Nuk vjen njeri andej nga shkojmë ne, nga Qafa e Malit. Kam në autobus vetëm dy persona, që shkojnë në Fushë-Arrës, kështu që nuk kam asnjë interes të udhëtoj për Tiranë", thotë shoferi i autobusit me 50 vende, duke shtuar se edhe në Tiranë, tani për tani ai dhe të gjithë kolegët e tij me autobusë nuk gjenin pasagjerë. Shprehja "tani për tani" do të thoshte, për aq kohë sa mund të kalohet mbikalimi i Thirrës, pasi me fillimin e dëborës, atje edhe traktorët nuk guxojnë të ecin, e jo më makinat me pasagjerë. Furgonët që bëjnë rrugën nga mbikalimi po shfrytëzojnë më së miri motin e mirë të këtyre ditëve për një biznes fitimprurës duke ruajtur çmimin e biletës 1000 lekë të rinj për person, aq sa kushtonte edhe në rrugën e vjetër. E gjithë distanca nga Kukësi në Tiranë dhe anasjelltas zgjat deri në 3 orë duke u dhënë mundësi shoferëve që të kthehen brenda ditës, madje fuoristradat dhe ndonjë mjet tjetër mund bëjnë edhe nga dy rrugë. "Shyqyr që po mban mot i mirë, veç zotit di për faleminderit që mban mirë, sa ka fituar këto ditë gjatë verës nuk i kam fituar", thotë një shofer nga Bicaj të Kukësit, i cili me fuoristradë të modifikuar bart tetë persona në çdo rrugë dhe tregon se arrin të sigurojë një fitim bruto prej 240 mijë lekësh. Ndërsa qindra drejtues mjetesh dhe pasagjerë rrezikojnë në mbikalim për të kaluar sërish në autostradë, në tunelin e Kalimashit qindra punëtorë, inxhinierë e teknikë janë përqendruar në pjesën perëndimore të galerive. Në galerinë jugore ku rreth dy javë më parë ka ndodhur shembja, kamionët nxjerrin vazhdimisht inerte. Porta jugore ngjan me një kantier ku punohet me tre turne.

S.Dida

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›