Babai i arkeologjisë,feston 80-vjetorin
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së njërit prej themeluesve të arkeologjisë shqiptare, Françesk Prendi dhe promovimit të botimit të një pjese të veprimtarisë së tij të gjerë, u zhvillua dje një aktivitet i veçantë. Merrnin pjesë kolegë e nxënës të tij, të cilët nuk mund të mos flisnin për meritat e prof. Prendit në lëmin e arkeologjisë. Prof. Françesk Prendi njihet brenda e jashtë vendit, si themelues i shkencës së arkeologjisë prehistorike shqiptare, së cilës iu përkushtua për rreth gjysmë shekulli. Është njëherazi një nga lëvruesit e parë që kanë hedhur bazat në fushën e studimeve ilire në Shqipëri. Sipas drejtoreshës së Institutit të Arkeologjisë, Shpresa Gjongecaj, në fushën e prehistorisë, Prof. Françesk Prendi krijoi për të parën herë sistemin e periodizimit kronologjik e kulturor të të gjitha epokave pre e protohistorike në Shqipëri dhe realizoi strukturimin e kulturave prehistorike shqiptare në grupe dhe komplekse kulturore në një kontekst të gjerë ballkanik e mesdhetar. Françesk Prendi ndërmori gërmime në shumë vendbanime prehistorike, por më tepër në Maliq, ku ai gërmoi, me ndërprerje, përgjatë dhjetë fushatave, nga viti 1961 e deri në 1990. Ndërmori një numër gërmimesh në Kamnik të Kolonjës, në Podgorie dhe në Sovjan të Korçës, në Blaz dhe në Nezir të Matit, në Belaj të Shkodrës, etj. Ndërsa në atë të arkeologjisë mesjetare me rëndësi të veçantë është gjurmimi dhe kërkimi i vendvarrimit të Skënderbeut, të cilin ai e identifikoi në rrënojat e katedrales së Shën Kollit në Lezhë.